Meta: Nuk ka kushte nga PD, por 10 çështje. S’duhet paragjykuar dialogu, e vetmja rrugë për t’u dakortësuar

0
102

Kryeparlamentari: LSI nuk çedon për reformën në drejtësi, duhet bërë dhe s’ka alternativë tjetër

 

Gëzim Saliu

 

Kreu i Kuvendit Ilir Meta nuk u shpreh dje i shqetësuar pas mungesës së dakordësisë mes palëve në punimet e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. Duke vënë theksin tek faktin se kjo mbledhje ishte e para pas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, Meta deklaroi dje për mediat se askush nuk priste konsensus që në fillim prej palëve. Ndërkaq ai ka theksuar se duhet më shumë vullnet për të qenë më racionalë dhe për interpretim objektiv. “Unë mendoj që baza e konsensusit është shumë e gjerë dhe solide, sepse ajo buron nga vullneti i më shumë se 90% të qytetarëve shqiptarë për të shkundur sistemin e drejtësisë përmes një reforme të thellë.  Së dyti, të gjithë e kanë pranuar dhe vlerësojnë raportin, rekomandimet dhe opinionit e Komisionit të Venecias si bazën e referimit dhe të certifikimit të standardeve më të mira evropiane. Tani duhet më shumë vullnet për të qenë më racional dhe për të bërë një interpretim objektiv të atyre opinioneve që ka dhënë Komisioni i Venecias për të gjitha pyetjet, çështjet dhe opinionet që i janë drejtuar.  Kështu që kemi ende kohë dhe besoj se vullneti është i plotë për ta përmbushur me sukses këtë reformë”, deklaroi kryeparlamentari.

10 pikat e PD

I pyetur lidhur me 10 kërkesat e demokratëve që nga socialistët në Komision u cilësuan si kushte dhe majde bllokues të reformës, kreu i Kuvendit tha se për të nuk është rasti i kushteve por i 10 ccështjeve. “Kemi të bëjmë me 10 çështje, që Partia Demokratike synon që të zgjidhen apo të diskutohen sipas këndvështrimit që ajo ka. Që do të thotë se me më shumë durim dhe vullnet, absolutisht është e mundur që reforma të përmbyllet, pasi për çdo çështje kemi rekomandim të Komisionit të Venecias, pra për çdo çështje të diskutueshme, ku palët ndajnë mendime apo lexime të ndryshme”, pohoi ai. Më tej Meta tha se ka ende disa çështje, që thjesht kanë nevojë për një vlerësim, interpretim dhe lexim sa më objektiv e racional. “Për këtë ne duhet t’i referohemi dhe te kërkojmë asistencën e misionit të EURALIUS-it dhe OPDAT-it, në mënyrë që të facilitojnë dialogun dhe të arrijmë në një interpretim sa më racional të opinionit të paraqitur nga Komisioni i Venecias, i cili është gjithëpranuar si udhërrëfyesi i këtij procesi. Nuk duhet të paragjykojmë dialogun dhe as të heqim dorë prej tij, sepse është e vetmja rrugë për t’u dakortësuar mbi të gjitha çështjet. Aty ku ka opinione apo qëndrime të ndryshme, të thërrasim në ndihmë EURALIUS dhe OPDAT, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë proces”- theksoi kryeparlamentari. I pyetur nëse është e gatshme LSI për një takim të nivelit të lartë politik, Meta u përgjigj duke pohuar,: “Nuk përjashtojmë asnjë mundësi që ndihmon për të forcuar klimën e mirëbesimit dhe për të formësuar vullnetin e përbashkët për ta mbyllur këtë reformë sa më parë. Për çështje të caktuara që mund të lexohen ndryshe, mund të kërkojmë ndihmën e EURALIUS”. Ndërsa sa i takon Byrosë së hetimit, kreu i LSI-së tha se nuk ka rëndësi varësia e Byrosë sesa efikasiteti i saj: “Për ne si LSI nuk është e rëndësishme varësia e Byrosë Kombëtare të hetimit sesa të jetë efikase dhe të realizojë qëllimet. Ne mbështesim çdo zgjidhje”.

Protesta te Liqeni

Meta: Duhet raport transparent me qytetarët për vendime që prekin hapësirat publike

Në prononcimin për mediat, kreu i Kuvendit komentoi dje për herë të parë edhe protestat tek Liqeni kundër ndërtimit të parkut të lodrave. “Do të ishte mirë që për këtë çështje të pyesnit përfaqësuesit e LSI në Këshillin Bashkiak. Por meqenëse ju po më bëni një pyetje unë them se duhet gjithnjë një raport i hapur, transparent në raport me qytetarët, komunitetin dhe me gjithë opinionin për çdo vendim që ka të bëjë me hapësirat publike të kryeqytetit dhe kudo sepse dihet që është krijuar një ndjeshmëri e madhe për shkak të dëmeve të mëdha që i janë shkaktuar mjedisit në të kaluarën. Por natyrisht kjo gjithmonë ndihmon për të lënë sa më pak hapësirë për të gjithë ata që duan të spekulojnë dhe që dëshirojnë të krijojnë tensione të panevojshme”, deklaroi Meta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here