DOKUMENTI/ Kushtetuesja hedh sërish poshtë qeverinë

0
126

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për  shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, caktimin e një dënimi nga 7  deri 15 vite për mbajtjen e armëve,  bombave apo minave, ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun.

Argumentet kryesor të gjykatës :

Gjykata arrin në përfundimin se shtesa e bërë në nenin 55, paragrafi i dytë i KP-së, cenon parimin e ndarjes së pushteteve, të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, si dhe përbën kufizim të kompetencave në dhënien e drejtësisë. Për pasojë, pretendimi i gjykatës referuese se ky rregullim vjen në kundërshtim me nenet 7, 135/1 dhe 145/1 të Kushtetutës, është i bazuar.

Gjykata vëren se ligjvënësi në periudha kohore të ndryshme ka ndërhyrë në legjislacionin penal, si duke përcaktuar vepra të reja penale, ashtu edhe duke ndryshuar marzhet e masave të dënimit për t’iu përgjigjur shqetësimeve të shoqërisë, si pasojë e zhvillimit të kriminalitetit, në veçanti të krimit të organizuar. Gjykata ka theksuar edhe më parë se ndërhyrje të tilla të ligjvënësit jo vetëm duhet të synojnë uljen e kriminalitetit, por duhet të jenë realisht efektive, në mënyrë që t’i shërbejnë në radhë të parë parandalimit të veprave penale.

Gjykata vëren se ndryshimet e ndërmarra nga ligjvënësi në dispozitat objekt shqyrtimi (por edhe të tjera të shqyrtuara më parë nga kjo Gjykatë), kanë qenë përgjithsisht spontane, nisur nga synimi për të luftuar kriminalitetin, por pa iu nënshtruar më parë studimeve të thelluara për të shmangur prishjen e balancave jo vetëm midis masave të dënimit të veprave penale të një kapitulli, por edhe në raport me veprat e tjera penale, në varësi të rrezikshmërisë shoqërore të tyre. Një qasje (strategji) e tillë e gabuar ka deformuar strukturën e Kodit Penal, duke krijuar disproporcione të pashpjeguara (paarsyeshme) midis dënimeve të parashikuara për vepra të ndryshme të Kodit, në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës dhe të proporcionalitetit, në rastet e kufizimit të të drejtave dhe lirive të individit. Përfaqësuesit e subjekteve të interesuara (KM) nuk ishin në gjendje të argumentonin para kësaj Gjykate nevojën e domosdoshme për ndërhyrjen në Kodin Penal, duke u mjaftuar vetëm me argumente të përgjithshme, si p.sh. “kriminaliteti ka pësuar rritje” apo “për të luftuar krimin e organizuar”.

Gjykata vëren se sipas doktrinës së të drejtës penale, prodhimi apo mbajtja pa lejen e organeve kompetente të armëve luftarake është element thelbësor i anës objektive të kësaj vepre penale. Ligjvënësi e ka konsideruar vepër të dënueshme penalisht mbajtjen e armëve pa leje, pavarësisht nga qëllimi i mbajtjes së tyre (për t’i përdorur ose jo). Në këtë kontekst, Gjykata e sheh të pajustifikuar përpjekjen e ligjvënësit për të përcaktuar rrezikshmërinë e kësaj vepre penale dhe përcaktimin e masës së dënimit nisur nga kritere të tilla, si lloji i armës luftarake, dhe në veçanti vendi i mbajtjes së tyre (banesë, automjet, vendi i punës, etj.). Për më tepër, Gjykata i konsideron joproporcionale dallimet në masat e dënimit të paragrafit të pestë të KP-së dhe paragrafëve të tretë dhe të katërt të këtij neni. Për ilustrim, një qytetar që mban një armë pa leje në banesë për të mbrojtur pronën, veten apo familjen, dënohet nga një deri në pesë vjet burgim. I njëjti person kur armën e mban për të njëjtën arsye në automjetin e tij, dënohet nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim.

Gjykata e konsideron joproporcionale ndërhyrjen në paragrafin e pestë të nenit 278 të Kodit Penal, duke e krahasuar këtë dispozitë edhe me të tjera që ndodhen në të njëjtin kre të Kodit, “Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike”. Kështu, trafikimi i armëve dhe municioneve, një krim ndërkombëtar, dënohet sipas Kodit Penal nga shtatë deri pesëmbëdhjetë vjet burgim (neni 278/a, paragrafi i parë). Të njëjtën masë dënimi ligjvënësi ka parashikuar edhe për veprat penale të trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive (neni 282/a, paragrafi i parë), etj.

Gjykata vlerëson se armët nuk përfaqësojnë gjë tjetër veçse mjetin për të kryer vepra të tjera penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilat prekin kryesisht marrëdhëniet shoqërore që lidhen me mbrojtjen e jetës. Në këtë kuptim, edhe dënimet e parashikuara për to duhet të jenë në proporcion të drejtë me natyrën e krimit të kryer nëpërmjet përdorimit të tyre. Veprat penale mbulojnë një shkallë të gjerë veprimesh ose mosveprimesh, të cilat dallojnë mes tyre për sa i përket natyrës së shkeljes dhe rrezikut që i kanoset interesit që ligji synon të mbrojë. Mjafton t’u referohemi disa veprave të parashikuara në seksione të ndryshme të Kodit Penal, që kryhen nëpërmjet përdorimit të armëve, për të arritur në përfundimin se ndryshimet objekt shqyrtimi janë disproporcionale.

Gjykata vëren se vrasja e kryer nga një person me një armë që e mban pa leje, në gjendjen e tronditjes së fortë psikike të çastit, të shkaktuar nga dhuna ose fyerja e rëndë e viktimës, dënohet me burgim gjer në tetë vjet (neni 82, sek.I, “Krime kundër jetës të kryera me dashje”). Ndërsa, për armën që ka shërbyer si mjet për kryerjen e krimit, dënimi do të ishte jo më pak se shtatë deri pesëmbëdhjetë vjet. E njëjta logjikë vlen edhe për vrasjen e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, që dënohet me burgim gjer në shtatë vjet (neni 83, sek.I, “Krime kundër jetës të kryera me dashje”).

Për të njëjtat arsye të marra në analizë më lart, Gjykata çmon se ligjvënësi ka cenuar edhe parimin e sigurisë juridike, pasi ky parim lidhet me plotësimin e disa kërkesave paraprake të detyrueshme gjatë procesit ligjvënës.

Gjykata konstaton se në relacionin bashkëshoqërues të ligjit nuk ka argumente të mjaftueshme mbi domosdoshmërinë e këtij mjeti ashpërsues.

Kjo gjykatë ka evidentuar edhe me vendime të mëparshme se eksperienca ka treguar që ashpërsimi jo proporcional i sanksioneve penale nuk ka pasur gjithmonë ndikim pozitiv ose ndikimi ka qenë i papërfillshëm në arritjen e qëllimeve të legjislacionit penal.

Për sa më lart, Gjykata vlerëson se paragrafi i pestë i nenit 278 të Kodit Penal bie në kundërshtim me parimet kushtetuese të proporcionalitetit dhe të sigurisë juridike, për rrjedhojë duhet shfuqizuar.

Gjykata konstaton se paragrafi i gjashtë i nenit 278 të KP–së, mbart të njëjtat probleme kushtetutshmërie si dhe paragrafi i pestë i nenit 278, i konsideruar si i papajtueshëm me Kushtetutën. Sipas Gjykatës, edhe ky dënim është dukshëm joproporcional. Për më tepër, dhe shprehja “pasoja të rënda” është e paqartë dhe lë vend për interpretime të ndryshme, në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike, për rrjedhojë edhe ky paragraf duhet shfuqizuar.

Ndërsa për pretendimin për shfuqizimin e paragrafëve 1, 3 dhe 4 të nenit 278 të KP-së, për shkak se bien në kundërshtim me nenin 17/1 të Kushtetutës, Gjykata, pasi i mori në analizë, arriti në konkluzionin se nuk kanë elemente të papajtueshme me Kushtetutën.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here