Kërcënoi me letër anonime nusen e dajës për 500 mijë lekë, Prokuroria kërkon 2 vjet burg

0
160

Prokuroria kërkon dënimin me 2 vjet burg për Ardi Boshnjakun i cili kërcënoi me letër anonime nusen e dajës për 500 mijë lekë të reja.

Ardi Boshnjaku akuzohet për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Ngjarja është shënuar më 18 mars 2015 në qytetin e Elbasanit kur ai ka kërcënuar me një letër “anonime” E.D për t’i dhënë 5 mln lekë (të vjetra), pasi në të kundërt do të kishte pasoja.
Procesi është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe, në përfundim, Prokuroria kërkon dënimin e tij përfundimtar me 2 vjet burgim.

Pasi prokuroria vërtetoi se autori i letrës ishte ai, edhe ky I fundit e pranoi por shtoi se e kishte bërë për shaka. “Por, në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se kjo letër kërcënuese nuk ishte “një shaka”, për faktin se ai ka kryer të gjithë veprimet e nevojshme dhe ka qenë në pritje të posedimit të parave nga e afërmja e tij, pasi në letër i kishte dhënë edhe orientimet e nevojshme se ku do të dorëzohej shuma e parave” sqaron prokuroria

Hetimet ndaj të pandehurit u zhvilluan fillimisht në masën e sigurisë “arrest me burg”, vendosur nga Gjykata për Krime të Rënda, por nga data 15.04.2015 ai është i lirë, pasi Gjykata e Apelit caktoi ndaj tij masën e sigurimit ‘’detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore’’.

Ja pretenca e prokurorisë.

Letra anonime në derën e shtëpisë
Sipas hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se mbrëmjen e datës 19.03.2015, shtetasja E.D, e cila përkohësisht jetonte vetëm me fëmijët, pasi bashkëshorti i saj ishte arrestuar për “prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, gjen në derën e shtëpisë së saj një letër. Në përmbajtje të kësaj letre, një person pa emër, i kërkonte të dorëzonte të nesërmen në markatën e qytetit të Elbasanit shumën prej 5 milionë lekëve (të vjetra), pasi në të kundërt do të kishte pasoja. Gjithashtu, “letërshkruesi” i kërkon shtetases E.D. që të mos njoftojë policinë.

Gruaja kërkon ndihmë kunatit, babait të djalit
E shqetësuar, shtetasja e kërcënuar komunikon me kunatën e saj, e martuar me shtetasin F. Boshnjaku. Ky i fundit i sugjeron që të shkojnë të bëjnë kallëzim në Policinë e Elbasanit, veprim i kryer rreth orës 23.00 të të njëjtës datë.
Pas kallëzimit, shtetasi F. Boshnjaku kthehet në shtëpinë e tij, ku e presin bashkëshortja e tij dhe i biri, Ardi Boshnjaku, të cilët ishin në dijeni të letrës kërcënuese ndaj shtetases E.D. që prej disa orësh, të informuar nga vetë e kërcënuara.

Pranimi I shakasë

Shtetasi F. Boshnjaku i deklaron bashkëshortes dhe djalit të tij se, e kërcënuara E.D. kishte bërë kallëzim në Polici për ngjarjen. Në këtë moment ka reaguar djali i tij, shtetasi Ardi Boshnjaku, i cili ka thënë se përse kanë bërë kallëzim, pasi letrën e kishte shkruar ai për shaka.
Të gjendur në këto kushte, shtetasi F. Boshnjaku dhe bashkëshortja e tij shkojnë sërish në shtëpinë e të kërcënuarës E.D. për të sqaruar situatën, ndërsa djali i tyre largohet në drejtim të Tiranës, duke u strehuar tek halla e tij.

Djaloshi ikën
Ndërkohë, nga ana e Policisë, pasi është marrë kallëzimi, kanë nisur kryerjen e veprimeve hetimore, ndër të cilat edhe disa kamera sigurie në pallatin ku jetonte E.D., në të cilën dalloheshin qartë tiparet e personit që dyshohej se kishte lënë letrën kërcënuese.
Nga ana e Policisë u kërkua në shtëpinë e tij shtetasi Ardi Boshnjaku, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale, por nuk u gjet në apartament. Me ndërhyrjen e familjarëve dhe hallës së tij në Tiranë, shtetasi Ardi Boshnjaku u vetëdorëzua në polici, ku deklaroi se letrën e kishte bërë për shaka.

Në përfundim të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda e akuzon Ardi Boshnjakun për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, pasi i pandehuri ka kryer të gjitha veprimet për të marrë në dispozicion shumën e kërkuar në letër.

Përmbajtja e letrës tregon se i pandehuri Ardi Boshnjaku nuk ka pasë për qëllim për të bërë shaka me shkruarjen dhe çuarjen e kësaj letre para derës së hyrjes së nuses së dajës, por me këtë veprim ai ka synuar, dëshiruar dhe pritur që E.D, pasi ta lexonte, t’i dërgonte vërtet shumën e parave që ai i kishte shkruar në letër, tek vendi i paracaktuar prej tij (sigurisht pa e ditur se kush do i merrte ato më pas), duke e vënë dhe para kushtit që po të bisedonte me njeri, apo po të kallzonte në polici, ajo do kishte pasoja.

I pandehuri Ardi Boshnjaku, ka pritur vërtet që të nesërmen e asaj dite, E.D., të dërgonte paratë tek vendi që ai i kishte paracaktuar, duke shkuar e marrë vetë ato. I pandehuri e ka parashikuar këtë, dhe me vetëdije ka lejuar (pritur) ardhjen e pasojës (shtënien në dorë të parave). I pandehuri, në fakt ka menduar se E.D. nuk do të kallzonte në polici, dhe megjithëse ai ishte vënë në dijeni nga e ëma (kur u ndodh në shtëpi në darkë të datës 19), ai tregoi se letrën e kishte shkruar vetë, vetëm pasi i ati tha se kishin bërë kallzim në polici për të gjetur dërguesin e letrës.
Edhe pasi u vu në dijeni të kallzimit që kishte bërë në polici E.D, dhe megjithëse pohoi para prindërve se letrën e kishte shkruar vetë, i pandehuri, nuk shkoi bashkë me të ëmën në shtëpi të E.D. për ta ‘’sqaruar’’atë, por u largua drejt Tiranës (megjithëse kishte mundësi, dhe kohën e nevojshme ta bënte këtë) ku këtu, vetëm pasi u lajmërua nga e ëma se e kërkonte polica, me insistimin edhe të hallës së tij, vendosi të vinte nga Tirana në Elbasan, dhe të paraqitej në policinë vendore, ku pas marrjes së shpjegimit të tij u arrestua.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here