PS-ja e rilindur me thyerje statuti e mendësi pushteti. Ku kanë humbur senatorët?!

0
133

rama ke selia

Nga Gëzim Saliu

E thënë nga mediat dhe e vërtetuar nga realiteti: “Partia në pushtet, pushon së ekzistuari”. Prej kësaj aksiome të pashkruar, nuk ka shpëtuar as Partia Socialiste, e cila që prej ardhjes në pushtet para dy vite e gjysmë, jo vetëm që nuk po prodhon më lajme, por duket se ka “ngecur keq” në raport me normat statuore dhe rregullat e brendshme. Kjo lënie pas dore e partisë vihet re që nga prezenca e kreut të saj, kryeministrit Rama, i cili e viziton selinë e purpurt në rastin më të mirë një herë në javë në mbledhjen e përjavshme të grupit dhe në rastin më të keq një herë në dy apo tre javë kur ka axhendë të ngjeshur apo ndodhet jashtë vendit. Por nëse në muajt e parë të pushtetit, kryeministri debatonte gjatë me deputetët në seli dhe ndonjëherë i thërriste ata edhe në mesjavë për të diskutuar për çështje me rëndësi, tashmë prania e tij në PS nuk i kalon as 60 minutat. Ndërkaq edhe konferencat për shtyp nga ana e kësaj partie janë reduktuar në maksimum. Kjo vjen pasi në rastet kur ka denoncime nga selia blu, përgjigja ndaj tyre tashmë nuk vjen më nga selia e purpurt, por nga zyra e kryeministrisë përmes portalit “transparenca.al”. Ky portal duket se i ka “vjedhur” foltoren socialistëve, të cilët tashmë reagimin për akuzat e demokratëve nuk e dëgjojnë më live nga deputetët që kanë votuar, por nga adresa online e siti-t qeveritar. Por kjo nuk është e gjitha, pasi pjesa më e rëndë e kësaj situate lidhet me shkeljen e statutit dhe rregullave të brendshme të partisë. Këto mjaftojmë ti listojmë sipas radhës: 1-Prej dy vitesh kryeministri Rama qëndron në postin e kreut të PS-së pa mandat. 2-Forumet e ngritura brenda partisë nuk mblidhen sipas kohës së përcaktuar në statut. 3- Zgjedhjet dhe ristrukturimi i brendshëm kaloi çdo afat të parashikuar. 4-Kongresi i vendosur nga Asambleja për tu zhvilluar në janar këtij viti u shty për shkak të prapambetjes së punës me zgjedhjet e brendshme dhe me shumë mundësi ai do të mbahet në mars. Dhe ajo që e shton edhe më shumë “shuarjen” e brendshme të PS-së është fakti se për të gjitha këto shkelje nuk ka pasur asnjë qëndrim kundërshtues apo kritik nga brenda radhëve, përjashto deklaratat e herëpashershme të deputetit Ben Blushi. Ka qenë ky i fundit që u përfshi në debat me kreun e partisë ku militon lidhur me skadimin e mandatit. Por ndërsa Blushi kërkonte respektimin e statutit, Rama i kundërpërgjigjej duke pohuar se kryetari i partisë që fiton zgjedhjet nuk ka domosdoshmëri të rizgjidhet në krye të forcës që drejton. Ky debat u përcoll edhe në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare në verën e vitit të kaluar ku Blushit ju kundërvunë si kryeministri Rama ashtu edhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Ky i fundit theksoi se në PS kryetari zgjidhet me një anëtar, një votë dhe kur partia fiton zgjedhjet, kryetari konfirmohet me votë popullore. Por kjo “shpikje momentale” pavarësisht se mund të ketë brenda saj argumenta që qëndrojnë, përbën një mekanizëm në kundërshtim me statutin e partisë që parashikon zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e partisë çdo katër vjet.

Senatorët dhe “mbytja” e debatit

Ndërkohë që situata e brendshme në PS i ngjason një shtëpie që i pikon çatia, duket se në forcën më të madhe politike të vendit po mungon prej kohësh edhe zëri i atyre që janë cilësuar si “senatorë”. Në kohën e opozitës së PS-së, zëri i senatorëve socialistë ishte i dukshëm dhe me peshë. Në vendimmarrjet që binin në kundërshtim me statutin, por edhe për shumë nisma, qofshin këto edhe të kryetarit, nuk mungonte zëri kritik i deputetëve tradicionalë të PS-së. Kështu prej kohësh në mbledhjet e grupit, por edhe në parlament nuk dëgjohet zëri i Namik Dokles. Ky i fundit duket aktiv vetëm në debatet e Komisionit të Jashtëm ku bën pjesë, ndërsa duket se ka “harruar” kritikën e brendshme. Po ashtu edhe Pandeli Majko, i cili nuk ka munguar të reagojë fort ndaj qeverisë për disa çështje, duket se kohët e fundit ka ndjekur “trendin e kohës”. Në debatin e madh për mungesën e zgjedhjeve për kryetarin e PS, Majko nuk u përfshi. Ndërkohë roli i Gramoz Ruçit vazhdon të mbetet i fortë dhe me peshë, por në një ndër çështjet që u investua më shumë, siç ishte ajo për mbajtjen e Kongresit sipas afateve të Asamblesë, ai arriti vetëm dështim. Po ashtu edhe Arta Dade, përveç rasteve kritike ndaj diplomacisë dhe ndonjë denoncimi specifik, ka munguar në ngritjen e zërit për ato raste kur brenda partisë është shkelur “kushtetuta”. Duket se që prej ardhjes në pushet dhe sidomos në vitin e fundit, në PS mungon debati i brendshëm ose edhe në rastet kur ai zhvillohet, mbetet i pjesshëm dhe pa stabilitet. Në vitin që lamë pas debati më i madh brenda PS-së mund të cilësohet ai për përjashtimin e deputetit Tom Doshi, ndërsa për ligjet dhe projektligjet e sjella nga qeveria debati ka mbetur i “mbytur”. Në këto kushte, PS-së do ti duhet një “shkundje” e fortë që të mundësojë ripërtëritjen e zërave kritikë, aq të domosdoshëm brenda partisë, si edhe efikasitetin e strukturave. Ndoshta parapërgatitja për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2017-ës do të ndikojë pozitivisht në këtë situatë, pasi “ndryshkja” në vetëm dy vite e gjysmë pushtet duket e papranueshme si për logjikën e vijueshmërisë së një partie ashtu edhe për vetë socialistët.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency