Për ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave/ Mazhoranca i rrëzon amendamentin Topallit. Zbardhet debati i tensionuar Strazimiri-Peza

0
144

topalli ne komision strazimiri pezaIsh-kryeparlamentarja: Ligji i sjellë nga qeveria i krahasushëm me ligjin e tufëzimit dhe kolektivizimit, ai do të rrëzohet ose nga kushtetuesja ose nga Strasburgu

Gëzim Saliu

Pasi rrëzoi dekretin e Presidentit të vendit, mazhoranca po ashtu rrëzoi dje në Komisionin e Ligjeve amendamentin e ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli për ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Amendamenti i deputetes demokrate i depozituar dy muaj më parë në Kuvend zgjaste ligjin aktual të pronave edhe me një vit pasi sipas opozitës dhe jo vetëm ligji i ri i pronave që po bën qeveria është shpronësim për së dyti i pronarëve. Por pavarësisht qëndrimeve kundër, mazhoranca e majtë vendosi të mbrojë ligjin e qeverisë duke i dhënë mundësi të votohet në seancën e sotme parlamentare

Qëndrimi i Topallit

Në dëgjesën e saj në Komisionin e Ligjeve, ish-kryetarja e Kuvendit shpjegoi arsyet se pse duhet votuar amendamenti që propozonte dhe se pse ligji i sjellë nga qeveria nuk zgjidh problemet e pronarëve. “Është një amendament, që i bëhet ligjit ekzistues për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave, me idenë e shtyrjes së afatit të procesit së njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave me një vit. Kjo për një arsye, që për bazë ka vendimet e gjykatës, jo vetëm vendimin pilot të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, por vendime të shumta të Gjykatës së Strasburgut, në lidhje me çështje të pronave në disa raste”,- theksoi Topalli. Më tej ajo theksoi se,: “Çdo gjë që ne bëjmë mbetet e shkruar. Për çdo gjë që ne vendosim ne do të gjykohemi, sot, nesër dhe pas 100 viteve. Ky ligj që keni sjellë është më i keqi ndër 25 vite. I papranueshëm, i afërt dhe i krahasueshëm me ligjin e tufëzimit dhe kolektivizimit”. Por në reagimin në emër të mazhorancës deputetja socialiste Vasilika Hysi theksoi se ligji aktual nuk e ka siguruar atë që themi siguri juridike, nuk krijuar barazi, por përkundrazi diskriminim. “Sot që ne flasim, vetëm 2.5 përqind e pronarëve kanë përfituar nga këto ligje që kemi patur në 25 vjet. 97.5 përqind e tyre nuk kanë përfituar. Pikërisht, në 9 muaj ju vetë me këtë nismë, edhe nëse do ta votonim këtë, nuk mund të zgjidhim atë problem që nuk është zgjidhur për 25 vjet”, reagoi relatorja socialiste. Por në replikën e saj Topalli theksoi se nisma  nuk ishte për të zgjidhur çështjen e pronës. “Ishte një kohë që do t’i jepej qeverisë për të reflektuar vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Ju mund ta hidhni sot në kanal. Votojeni kundër, votoni edhe nesër kundër, por ky ligj do të rrëzohet dhe do të vijë sërish këtu. Do të vij unë përsëri këtu për të gjetur një zgjidhje kushtetuese dhe në sintoni me vendimet e Gjykatës së Strasburgut”- deklaroi Topalli.

Debati Strazimiri-Peza

Në mes të debatit për amendamentin e Topallit, deputeti demokrat Gent Strazimiri akuzoi mazhorancën se me ligjin e sjellë nga qeveria po tentojnë të rikthejnë kohën e regjimit. Por në deklaratën e tij ndërhyu deputeti socialist Dashamir Peza i cili akuzoi mazhorancën e kaluar se la vendin në këtë gjendje për problemet e pronës. Në këtë kontekst ai akuzoi personalisht Strazimirin se kur kishte qenë në rolin e zv.ministrit të Brendshëm së bashku me policinë i kishte marrë pronën që zotëronte. Në kundërpërgjigje deputeti demokrat i tha Pezës se koha për të cilën ai fliste nuk përkonte aspak me kohën kur ai ka mbajtur postin e zv.ministrit. Në mes të tensionimit të debatit, Strazimiri e cilësoi Pezën si kolektivist duke iu referuar edhe prejardhjes familjare, gjë e cila ndezi edhe më shumë debatin mes palëve. Nga ana e tij deputeti socialist tha se në pushtetin e së djathtës u përvetësua prona pa të drejtë dhe se sipas tij vetëm PD nuk duhet të flasë për çështje të pronarëve. Ndërhyrjet e deputetëve Ulsi Manja dhe Bashkim Fino mes debatit Strazimiri-Peza i dhanë edhe më shumë hov debatit i cili u mbyll para kohe nga kreu i komisionit Fatmir Xhafaj duke mos i dhënë mundësi Strazimirit të reagonte në fund pas deklaratës së socialistes Vasilika Hysi e cila e akuzoi se nuk lexonte ligjet.

 

Debati i plotë në Komision

Peza, Strazimirit: Më erdhe me polici te shtëpia. Demokrati: E ke pas merituar, je kolektivist

 

Jozefina Topalli– Ky ligj që keni sjellë është më i keqi ndër 25 vite. I papranueshëm, i afërt dhe i krahasueshëm me ligjin e tufëzimit dhe kolektivizimit. Unë e di që ju sot do votoi kundër amendamentit se ju ka dhënë urdhër Rama që të votoni kundër

Fatmir Mediu- Kjo betejë sapo ka nisur, nuk mbyllet as me votimin nesër në Kuvend, as me vendimet e njëanshme që mund të merren. Do të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese, edhe në Gjykatën e Strasburgut

Dashamir Peza– Unë e dëgjova atë që tha znj. Topalli që ne na paska urdhëruar Rama për të votuar kundër.. Por unë dua të them se do votoj kundër propozimit të saj…

Bashkim Fino– Pse me të vërtetë ashtu tha, se nuk isha këtu në fillim…

Gent Strazimiri– Në emër të interesit publik jemi kthyer në 1945, ja marrim atyre që kanë dhe ja japim atyre që s’kanë. Shumë romantike. Unë jam i bindur se amendamenti i znj.Topalli nuk zgjidh gjë, po të paktën jep sinjalin. Dje nuk fola asnjë llaf kur rrëzuat dekretin e Presidentit dhe Strasburugun,po sot me sjelljen ndaj zonjës Topalli, nuk rri qafol dot se shpirt e gjak kam edhe unë…

Ndërhyn nga vendi Bashkim Fino….. Strazimiri: të lutem tani shoku Bashkim

Fino: Po shoku Strazimir, jam zotëri unë, jo shoku e more vesh…

Strazimiri– Këtu keni dal kundër Strasburgut, do ju hedhi poshtë të gjithën..

Vasilika Hysi– Ej po ce na di ti ne, injorant na di….

Strazimiri– Po sikur vetëm koncesionet e Beqjes të kishit ndarë për pronarët se ka hardhuar 400 milionë euro

Ndërhyn Ndoka pa mikrofon: Edhe më shumë ka harxhuar…

Strazimiri- Ja ku e thotë edhe Nardi që ka harxhuar edhe më shumë…

Ulsi Manja– Kolegu Peza foli edhe si pronar por edhe si…

Strazimiri pa mikrofon: edhe si kolektvist…

Revoltohet Peza: Ore ti,jam krenar për babanë tim, për atë pjesë që ai ka…

Strazimiri: S’po merrem fare me tët atë, skam punë

Peza: Ju keni 20 vjet që s’keni bërë asgjë.. Ti erdhe 2 vite më parë dhe më përvetësove pronën kur ishe zv.ministër s’ke turp, bën gjoja sikur i mbron..

Strazimiri: Më vjen keq por nuk përkon deklarata me kohën, kam 6 vjet që e kam dorëzuar detyrën e zv.ministrit të brendshëm. Por edhe nëse kjo ka ndodh 6 vite më parë dhe të kam ardh, me siguri ka qenë kundër ligjit dhe e ke merituar…

Peza: po ju përvetësuat pronat mor…

Strazimiri: Kur flet edhe ti…

Manja: lëre lëre… se këta njohin vetëm kur flet babai shpirtëror i këtyre Sali Berisha

Peza del jashtë nga mbledhja në korridor, po ashtu edhe Strazimiri i cili konsumon një cigare

Hysi– Ju lutem z.kryetar (Xhafajt) të ndalohen fyerjet e kolegëve. ( Ndërkohë Strazimiri hyn në sallën e mbledhjes)

Hysi– këtu po përdoret fjalor i padrejtë ndaj kolegëve. Ky del e pin cigare e nuk di fare se cfarë thotë ligji e pastaj flet për të…

Strazimiri kërkon fjalën nga Xhafaj për replikë, por kryetari nuk ja jep të drejtën: E hedhim për votim, rrëzohet amendamenti i znj.Topalli ( Ndoka abstenon, opozita pro)

Strazimiri pa mikrofon: Ti s’mund ta bësh këtë, kam të drejtën e fjalës, s’bëhet këtu shfaqje me maska…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency