Ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë janë mbledhur në Tiranë për takimin e dytë trepalësh i cili synon nxitjen e dialogut rajonal dhe përshpejtimin e integrimit europian të Ballkanit perëndimor.
Gjatë takimit të parë, mes ministrit të jashtëm shqiptar Bushati dhe atij italian Gentiloni, u diskutua për axhendën evropiane të Shqipërisë, masat e vendeve anëtare dhe atyre kandidate për përballimin e krizës së refugjatëve, si dhe koordinimin më të mirë për sfidat e sigurisë.
Gjatë takimit me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, u diskutua mbi ecurinë e raporteve dypalëshe edhe pas vizitave të dy Kryeministrave, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç. Bushati dhe Daçiç shprehën nevojën e konkretizimit të marrëveshjeve të dakordësuara në parim në fushat e zhvillimit ekonomik, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe arsimit të lartë. Dy ministrat vlerësuan hapat e kryera nga të dy mbi angazhimet e marra në kuadër të procesit të Berlinit.
Ministri i jashtrëm italian Gentiloni u prit në një takim edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Kreu i Shtetit e siguroi Ministrin e Jashtëm italian për orientimin e qartë e të plotë evropian të Shqipërisë, si dhe për angazhimin e strukturave shtetërore shqiptare në kryerjen e reformave. Presidenti Nishani theksoi se reforma në drejtësi mbetet kryefjala dhe falë asistencës së Komisionit të Venecias dhe mbështetjes nga vendet dhe organizatat partnere, pritet që shumë shpejt kjo reformë do të finalizohet në mënyrë konsensuale.