“Receta dixhitale” / Kryeministri Rama: Përparësi në shëndetësi. Basha: Sistemi në zi

0
126

Kryeministri Edi Rama, gjate inspektimit te punimeve ne mjediset e jashtme te QSUT, ku pas shembjes se objekteve pa leje ka nisur mbjellja e pemeve, riprteritja dhe mirembajtja e hapesirave publike.

Sejrie Baleta

Në Durrës u prezantua projekti pilot i lëshimit të “recetave mjekësore dixhitale”. “Ky projekt -tha kryeministri Edi Rama- brenda vitit do të shtrihet në të gjithë vendin dhe hap rrugën një transformimi rrënjësor”. Sipas tij, sigurohet shpejtësia në shërbim, përfshirë shtimin e transparencës në administrimin e fondeve dhe duke i dhënë fund korrupsionit me rimbursimin. Kreu i qeverisë theksoi se “reforma në shëndetësi është komplekse”, duke premtuar se “do të bëjmë të mundur që hap pas hapi njerëzit ta ndjejnë ndryshimin”. “Reforma në shëndetësi është shumë e rëndësishme, pasi e prek fizikisht dhe shpirtërisht njeriun që ka nevojë për shërbimin mjekësor. “Receta Elektronike” do të shtrihet në të gjithë territorin në harkun e këtij viti. Na duhet një panoramë e qartë e problematikave dhe nevojave, bazuar në statistikat e sëmundshmërisë”, u shpreh Rama. Kryeministri nënvizoi se në të kaluarën nuk është bërë asgjë për të reformuar shëndetësinë: “Më mirë një vezë sot, sesa një pulë mot. Kjo ka qenë motoja e qeverive të mëparshme. Ja kanë lënë të tjerëve të merren me malin e problemeve që janë krijuar në mungesë të reformave. Shëndetësia sot do të ishte në një situatë krejt tjetër nëse do të ishin ndërmarrë reformat”. “Sot po paguajmë ende faturën e reformave të pandërmarra dje. Reforma në shëndetësi është jo për të garantuar pushtetin e sotëm, por të përcaktojmë një rrugë që definon atë që duhet të bëjë shteti në të ardhmen”, shtoi kryeministri.Ndërsa  akuzave të kryeministrit Rama u pergjigjet kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Nëpërmjet një postimi në Facebook iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se shëndetësia është në ditën e saj më të keqe. “Çdo bashkëqytetar që halli e ka çuar në dyert e spitaleve, është ndjerë sot edhe më keq kur ka dëgjuar kokoshin që flet nga një sallë me regji e me audiencë të sjellë me forcë për suksese dhe fitore që nuk i prek askush. E kundërta, shëndetësia është në ditën më të keqe. Sepse shëndetësia e kapi që në fillim për ta kthyer në minierën më të madhe të përfitimeve përmes atij që njihet tashmë si kampioni i korrupsionit, Ilir Beqa. Këto vite, ilaçet humbën sigurinë, spitalet u mbushën me militantë të paaftë, mjekët e talentuar dhe infermierët me përvojë u dhunuan nga një ministër i paaftë, nga një qeveri injorante, e ditur vetëm për të vjedhur”, shkruan kreu i PD-së. “Mbi 360 milionë euro që mund të ishin investimi historik në shëndetësi u ndanë me klientelën në koncesionet më skandaloze që kanë ndodhur ndonjëherë. 100 milionë euro i dha Edi Rama mikut të tij me një murator për sterilizimin, ndërkohë që spitalet po rrënohen nga çdo mungesë, nga radhët e gjata e nga mallkimet e qytetarëve që nuk gjejnë zgjidhje veçse duke nxjerrë qindarkat e fundit. 120 milionë euro i dha kokoshi dhurueses së tij për “check up”-in që nuk e bën as 20% e popullsisë, por ama paratë e shqiptarëve janë dhënë, janë futur në xhep”, shton Basha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency