Protesta e Papërr –Sollakut, goditja e parë e kambanës së alarmit për arsimin

0
145

Ndriçim-MehmetiNga Ndriçim Mehmeti

Papërr-Sollaku ishte një fshat që nuk e kisha dëgjuar, nuk e kam parë në ndonjë tabelë anës rrugës dhe ndoshta nuk kisha për ta njohur asnjëherë. Por shprehja “sa të rrosh do të mësosh”, vlen edhe në këtë rast. Një qytezë e vogël, fshat apo quaje edhe katund, po deshe, tregoi se ka shumë më shumë ndjeshmëri, se qyteti i lindjes së arsimit në Shqipëri, Korça, shumë më tepër se Elbasani i Normales, akoma më tepër se Shkodra e alfabeteve shqipe. Banorët, thirrën, kërkuan ndihmë, ju drejtuan Ministrisë së Arsimit, Bashkisë së Elbasanit, duke kërkuar, të lirohet shkolla nga ujërat, që fëmijët të shkojnë në shkollë.

A ishte kjo një kërkesë kaq e pamat, sa që u desh më shumë se 10 ditë që të dëgjohej zëri i tyre

Zëri i banorëve të fshatit të padëgjuar deri më sot, nuk u dëgjua as në sallonin e hapur të godinës së përkohshme të MAS, as në zyrat e përshtatura për punonjësit e arsimit parauniversitar të MAS në ish-godinën e Shtëpisë së Librit Shkollor, e aq më pak në kryeministri. Banorët nuk e lanë fatin e tyre në dorë të qeverisë, të bashkisë, së ministrisë. Ata morën në dorë fatet e veta dhe treguan se nuk tërhiqen as para fodullëkut, as para arrogancës e as para shurdhërisë, së qeveritarëve, deputetëve, pushtetarëve lokal, sojit e sorollopit të tyre. Këta njerëz, na treguan se nuk është frika që i ndalon njerëzit, është guximi që u mungon, në kërkim të së drejtës së tyre. Jam shumë i sigurt se mes banorëve, mungonin disa syresh, jo nga frika, por ndoshta nga halli. Të munguarit më të mëdhenj, ishin mësuesit e shkollës, për të cilën protestohej. Ata së bashku me drejtuesit e shkollës, duhet të prinin, komunitetin e prindërve, në kërkim të një të drejte thelbësore, për këdo që jeton në këtë rruzull, e drejta për arsimim. Me tyre në Elbasan nuk u gjend askush, përveç deputetit të këtij qarku, njëkohësit edhe drejtues i Departamentit të Arsimit të partisë më madhe në opozitë, Partisë Demokratike. Aty mungonte kreu i listës së deputetëve, të Partisë Socialiste, ish-ministër i arsimit, Ben Blushi, aty mungonte “mbrojtësi i paepur i të drejtave qytetare”, të qarkut Elbasan, deputeti i kudo ndodhur në media, Balla. Aty mungonte drejtuesja e arsimit të qarkut Elbasan, mësues, prindër të shkollave të tjera. Nëse do të ndërtohej një pedant dërrase, nga shtira për të kaluar nxënësit, do të ishin të pranishëm: Ministri Kodheli, ministri i Brendshëm, i Arsimit, Shëndetësisë, ndoshta edhe ajo e Kulturës, e shoqëruar nga një grup artistësh të vegjël, për të shijuar, panoramën e liqenit artificial para shkollës. Por të gjithë munguan. Kaq e pamat ishte kërkesa e këtyre banorëve, për ta bërë shkollën një mjedis të përshtatshëm për fëmijët e tyre, saqë u braktisën nga të gjithë, veç kurajos dhe qëndresë së tyre fisnike? Kaq pa vlerë është arsimi në një fshat, saqë mësues, banorë të qytetit, fshatrave përreth, nuk mundën të përkrahin një kërkesë kaq minimale,m kaq të pafajshme të një grupi banorësh? Kaq shumë rixha, do Avokati i Popullit, që të zbres tek banorët e fshatit e të shoh se cili është halli i tyre? Po nesër kur një mësues të dhunohet nga nxënësit, një mësues të abuzoj me nxënësit, një drejtues të tërheq zvarrë fëmijë, kush do t’i mbrojë, vetëm familjet e të dëmtuarve?

Me shumë gjasa askush nuk do të prishi rehatinë e vet. Është telash i madh sot të merresh me arsimin. Është një ngatërresë akoma më e madhe, po të thuash atë që nuk shkon. Pale më të kritikosh. Të çohesh në protestë? “Është kuazi-krim” – në gjuhën moderne shqiptare – t’i biesh më qafë qeverisë e vendorëve tanë për një gjë kaq të vogël. Në fund të fundit, ka nxënës që mezi presin të bëjnë ca ditë pushim më shumë, këtyre të fshatit Papërr-Sollak, ju erdhi dhuratë nga shiu, e qahen. Papërr-Sollaku, dha një goditje, të parë, shumë të fuqishme, jo të mekur e me pambuk, por të fortë e me çomange. Gjithkush që trembet se nuk të dëgjon njeri, ata dikush së paku formalisht i dëgjoj. Ata i përkrahu një politikan, qoftë edhe i vetëm. Mbase të tjerë do të shtohen, ashtu sikundër edhe mund të mos mbetet asnjë. Por banorët e Papërr-Sollakut, nuk u trembën të marrin rrugën në qytet, po qe e domosdoshme ata vijnë edhe në Tiranë.

A është kjo goditja e parë e vërtetë, e organizuar e shoqërisë së përgjumur shqiptare për arsimin?

Padyshim që po. Kjo jo për faktin se impakti i shkollës së Papërr-Sollakut, është kaq i madh në arsimin shqiptar, saqë të ndikoj në të gjitha treguesit e arsimit në vendin tonë. Porse banorët e këtij fshati harruan çdo problem që përmbytja sjell në arrat e tyre, në pemëtari, në rrugë edhe urra dhe ngritën zërin, më së pari për shkollën., Ata nuk u tërhoqën prej ditës së parë e deri në ditën e dhjetë, kur të paktën dikush nga Bashkia Elbasan u hapi derën t’i dëgjojë. Mbase ai që i dëgjoj nuk do të bëj gjë tjetër, veçse të kthej edhe një përgjigje shumë të thatë, por “tepër korrekte” për situatën që kalojmë: Shiu do të pushojë dhe uji do të tërhiqet vetë”. Edhe po qe se nuk është thënë në një mënyrë të tillë, se mendohet nuk bëhet keq. Bashkia i di mirë zonat me probleme të përmbytjes, prefekti i di akoma më mirë, pasi është kryetari i shtabit të emergjencës, qarku Elbasan po ashtu i di këto ndodhi, por askush nuk u kujtua. Atëherë banorët iu ngritën vetë, njëherë rreth e rrotull nahijes së vet dhe kur ju erdhi në majë të hundës morën rrugën për në kasaba.  Kur e panë kajmekani dhe zëvendësi i tij, se njerëzia mund të merrnin flakë, atëherë kreu i kasabasë, caktoi zëvendësin e tij, të bënte zahmet e t’i dëgjonte. Por për grigjën e madhe në sanxhakun tonë shqiptar, kjo protestë, ishte goditja e madhe në kambanën e alarmit të arsimit, që gati ishte ndryshkur fare.

Ndërsa pritej me kureshtje, protesta e mësuesve për pagën e 13-të, në këmbë ishin banorët e Papërr-Sollakut, që dolën në rrugë për arsimin

Sindikatat e mësuesve, kishin lajmëruar me shumë bujë për një protestë, për pagën e trembëdhjetë!. Ata nuk e bënë dhe nuk kanë për ta bërë, një gjë të tillë. Banorët e Papërr-Sollakut u ngritën në këmbë, për ujin që lagte fëmijët e tyre dhe mësuesit. Ata nuk kërkuan asgjë më shumë, sesa zhvillimi normal i procesit mësimor. Ata goditën në zemër të kambanës së ndryshkur të arsimit, ndërkaq që mësimdhënësit e fëmijëve të tyre, kanë preferuar startin e ngrohtë të shtëpisë dhe ndonjë teke në barin e lagjes, me rastin e përmbytjes së shkollës. Mësuesit, nuk do të ngrihen as për pagat, as për trajtimin e tyre profesional e as për shpërblimin e fund vitit. Banorët e Papërr-Sollakut do të jenë aty, sa herë që të përmbytet, shkolla, sa herë që cenohet siguria e saj, sa herë që të shohin se diçka nuk shkon. Para do kohësh, në një shkrim, tërhiqja vëmendjen se për arsimin flitet, pak ose aspak, pale më të guxoj të ngrihen në protestë, të ngrenë pak zërin, OJF, Sindikata, Avokati i Popullit, Avokati Kundër Diskriminimit, Shoqata e pafundme të arsimit. Tani pas protestës së komunitetit të Papërr-Sollakut, nuk ka nevojë të flasim shumë, as të këmbëngulim në biseda pa bereqet. Mjafton të bëjmë atë që na mësuan njerëzit e panjohur, deri më tash, të Papërr-Sollakut: Të protestojmë njëherë për arsimin, për tempullin e dijes, që është shkolla. Nga kjo protestë ka gjasa të vijojë shumë më mbarë, rruga drejt së ardhmes sonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency