Prezenca e OSBE-së organizon veprimtari me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut

0
22

Pritja-e-OSBE

 

 

Prezenca e OSBE-së në Shqipëria organizoi sot në mbrëmje një veprimtari me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Mes pjesëmarrësve ishin zyrtarë të lartë shtetëtorë, institucione partnere, trupi diplomatik, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ishte e ftuara e nderit.

“Të drejtat e njeriut qëndrojnë në thelb të konceptit të OSBE-së për sigurinë gjithëpërfshirëse”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Florian Raunig. “Tanimë pranohet gjerësisht që të drejtat e njeriut janë thelbësore për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe për të promovuar zhvillim të qëndrueshëm. Por siguria nuk ekziston e veçuar: nevojitet një ambient i sigurt për të mbrojtur plotësisht të drejtat e njeriut. Për këtë arsye, Prezenca e OSBE-së investon thellësisht për reformën në sektorin e sigurisë. Kjo është gjithashtu arsyeja për të cilën kemi krijuar partneritet të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes”, shtoi ai.

Ministrja Kodheli tha se Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut ishte një prej arritjeve më të mëdha të njerëzimit, shekullin e shkuar. Ajo kujtoi se asnjë diplomat shqiptar nuk kontribuoi në këtë Deklaratë, pasi Shqipëria nuk ishte ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 1948. Ajo shtoi se edhe më 1975, kur 35 shtete u mblodhën për të firmosur Aktin Final të Helsinkit, i cili shpallte edhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që mungonte, për shkak të rrugës së izolimit që ndiqte klasa politike e shqiptare e asaj kohe.

“Ndryshimet e mëdha të fillim viteve ’90 e gjetën Shqipërinë të varfër e të dërrmuar, por me një bindje të qartë për t’iu bashkuar sa më shpejt familjes së cilës i përkiste dhe që i kishte munguar për dekada me radhë. Anëtarësimi, fillimisht në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, e më pas në OSBE, ishte rrjedhë e logjikshme e asaj që e gjithë Shqipëria dëshironte”, tha ajo. “Shqiptarët kujtojnë me respekt rolin e OSBE-së në të gjitha përpjekjet tona për demokraci”.

Ministria Kodheli tha se Ministria ka zbatuar projekte të shumta me ndihmën e OSBE-së, përmes të cilave janë ndihmuar Forcat e Armatosura të trajtojnë çështjet më të nxehta të trashëguara nga e kaluara diktatoriale.

“Eliminimi i lëndëve kimike, si dhe pastrimi i zonave të nxehta me mbetje eksplozive, e ka bërë Shqipërinë një vend ditë pas dite edhe më të sigurt. Projekte të tjera janë duke u diskutuar, negociuar dhe shpejt do të finalizohen. Sepse partneriteti është shndërruar në solidaritet. Dhe Përfaqësia juaj në Tiranë meriton përgëzimet e mia më të mira”, tha Kodheli.

Në këtë veprimtari, ambasadori Raunig shpalli edhe fituesin e çmimit vjetor të Prezencës së OSBE-së, i cili iu dha Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafikim për kontributin e tyre të spikatur në përmbushjen e qëllimeve më të gjera humanitare dhe të sigurisë të mandatit të OSBE-së në Shqipëri. Koalicioni Kombëtar përbëhet prej tri strehëzave të drejtuara nga OJF dhe një shtetërore. OJF-të “Të ndryshëm por të barabartë” në Tiranë, “Vatra” në Vlorë, “Tjetër Vizion” në Elbasan, së bashku me qendrën pritëse, e njohur si “Linza”, krijuan këtë koalicion në vitin 2007, me qëllimin e përbashkët për t’u dhënë mbrojtje, mbështetje, rehabilitim dhe riintegrim të grave dhe fëmijëve që kanë qenë viktima të trafikimit njerëzor. Që prej vitit 1997, këto katër strehëza kanë ndihmuar rreth 4 000 gra dhe fëmijë, shumica e të cilëve tashmë gëzojnë jetë normale falë tyre.

“Ky çmim i jepet Koalicionit Kombëtar si mbështetje për kontributin heroik në luftën ndaj trafikimit të personave në Shqipëri, dhe sepse ka qenë në vijën e parë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të viktimave të këtij krimi të urryer. Gjithashtu, ky çmim është vlerësim për shembullin shumë pozitiv të bashkëpunimit në këtë koalicion, që përfshin partnerë nga shoqëria civile dhe shteti,” tha ambasadori Raunig.