Për reformën në drejtësi/Basha: Përshëndesim qëndrimin e LSI, po s’ka afrim. PD me Venecian, Rama urren konsensusin

0
128

mbledhja e grupitNga protestat tek programi qeverisës, ja cila është strategjia e PD-së për zgjedhjet e parakohshme

“Rama ka tentuar të shartojë  vullnetin amerikan e europian për drejtësinë me hilet për kapjen e sistemit. Konsensusi zhduk pazaret e shantazhet”

Gëzim Saliu

Partia Demokratike mbështet reformën në drejtësi si një prej detyrave  të mëdha që Shqipëria ka  për hapjen e negociatave me BE, por kundërshton me çdo mjet kapjen politike të sistemit. Kështu deklaroi dje kreu i PD-së Lulzim Basha në takimin e zhvilluar me grupin parlamentar në nisje të sesionit të ri parlamentar, ku theksoi se fjala kyçe në këtë proces ka qenë dhe mbetet fjala konsensus. “E gjithë kjo pritshmëri e lartë e qytetarëve shqiptarë por edhe e partnerëve  tanë ndërkombëtarëve është sfiduar deri më sot nga banaliteti dhe qëllimet e mbrapshta të Edi Ramës dhe kupolës së tij. Edi Rama dhe kupola e tij kanë tentuar dhe tentojnë akoma të shartojnë  vullnetin amerikan, vullnetin europian për reformimin e drejtësisë me konceptet e tyre  të vjetra, me mendësinë dhe planet e tyre oligarkike, me hilet e tyre të panumërta,  që lidhen në një pikë: Kapja e drejtësisë”, theksoi Basha. Në këtë kontekst kryedemokrati theksoi se grupi parlamentar demokrat e di se kryeministri e urren konsensusin, gjë kjo e treguar sipas tij që në fillim të mandatit me ligjin e nëpunësit civil. “Ne ngulmuam dhe do të vazhdojmë të ngulmojmë, investuam dhe do të vazhdojmë të investohemi deri në fund për  konsensus bazuar në sugjerimet e Venecias. Konsensusi zhduk pazaret, konsensusi zhbën shantazhet e Vilës 30 apo 31. Konsensusi që kërkon Komisioni i Venecias është rruga që e shpëton drejtësinë nga kapja politike. Edi Rama, ky usta i pazareve dhe shantazheve me të drejtë i druhet kësaj”, tha lideri i opozitës.

Qëndrimi i LSI

Sipas Bashës, mosmarrëveshjet Rama-Meta nuk kanë qenë dhe nuk janë parimore, pavarësisht veshjes së jashtme. “Ata kanë treguar se merren vesh në çast, pra i bashkojnë numrat, sapo ua kërkojnë interesat e tyre, që i mbivendosen sistematikisht interesit publik. Ne as  varemi dhe as i maturojmë qëndrimet tona në  bazë të  humoreve të tyre”. Por duke thënë këtë, kryedemorkati nuk nguroi të theksonte dje në mbledhjen e grupit se qëndrimi i LSI-së për reformën në drejtësi është ëpr tu përshëndetur. “Çdo forcë politike kundërshtare që mbështet në qëndrimet e saj gjithpërshirjen dhe konsensusin bazuar në opinionin e Venecias i shërben zgjidhjes, i shërben reformës dhe përshëndetet prej nesh. Qoftë PS, LSI a çdo parti tjetër. Do të ishte absurde që ne të bënim ndryshe dhe këtu merr përgjigje edhe fushata primitive, sigurisht e instrumentalizuar sigurisht,  rreth të ashtuquajturit afrim të PD-së me LSI, meqenëse kjo e  fundit ka refuzuar, ashtu si dhe ne, draftin e njëanshëm të Ramës, dhe po kërkon konsensus dhe përfshirjen e opozitës. Ne e përshëndesim këtë qëndrim të LSI-së”, theksoi ai duke shtuar se drejtësia e pavarur është fundi i lojës për Ramën.

Programi dhe zgjedhjet e parakohshme

Në deklaratën e tij përballë deputetëve demokratë Basha theksoi nga ana tjetër se PD është përgatitur dhe do të  të konkurrojë përballë dyshes Rama-Meta  në aleancën me të gjerë  të mundshme, duke përfshirë këtu elektoratin shqiptar, partitë politike dhe faktorët e opozitarimit pa përjashtim. “Rama-Meta janë qeveria, ne jemi opozita. Ata janë oligarkia, ne jemi demokracia Ata janë  dështimi, ne jemi alternativa. Viti 2016 është vit i intensifikimit të aksionit tonë politik për largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e reja politike”, tha Basha duke pohuar se situata që po kalon vendi është tepër e vështirë. “Ne kemi bërë e do të bëjmë çmos ta largojmë këtë qeveri. Kemi kohë që avancojmë pjesë të alternativës tonë në opozitën që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë. Dje, ka marrë formë programi paraprak që do t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë me grupin parlamentar së pari dhe pastaj me grupet e interesit”, deklaroi kreu i PD-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency