Këshillat e mjekut/Sëmudja e gripit, si përhapet ajo dhe cilat janë simptomat e para

0
319

 

yJa cilat janë këshillat që duhet të ndiqni për ta parandaluar para virusi i gripit të godasë organet me imunitet më të dobët

Gripi i zakonshëm është një sëmundje virale, kryesisht e përhapur gjatë stinës së dimrit, megjithëse kohët e fundit për shkak të ndryshimeve klimaterike të planetit tonë dhe ndryshimit të menjëhershëm të temperaturave shfaqet edhe në stinët e tjera. Madje po t’i referohemi verës së vitit që sapo lamë pas, kanë qenë mjaft të shpeshta rastet e prekura nga gripi stinor. Simptomat e gripit janë kryesisht rinitet (rrjedhje hundësh), lotim i syve, djegie fyti, kollë, dhimbje muskujsh dhe koke dhe temperaturë e lartë mbi 38-39. Në disa raste, gripi mund të shoqërohet dhe me të përziera dhe të vjella, sidomos tek fëmijët e vegjël.

 

Vaksina antigrip

 

Vaksina antigrip këshillohet të merret nga të gjitha moshat, po kryesisht nga fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë në periudhën kohore fundi i muajit shtator – fillimi i tetorit, që përkon me kohën kur nisin ndryshimet e para të temperaturave dhe shfaqen simptomat e sëmundjeve virale. Për shkak të mutacioneve që mund të pësojë virusi, vaksina nuk jep efekt për më shumë se një vit. Për këtë arsye Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon se cilët viruse do të qarkullojnë në ajër vitin e ardhshëm e pas kësaj lejon shoqëritë farmaceutike të krijojnë vaksinat që garantojnë mbrojtjen më të mirë ndaj këtyre viruseve. Në rast se e bëni vaksinën për herë të parë duhet ta bëni atë dy herë; një herë në periudhën e përmendur më lart dhe herën e dytë, pas një muaji, pra në fillim të muajit nëntor. Vaksina antigrip përmban rreth 5-6 lloje virusesh virale që janë shfaqur në vende të ndryshme të planetit tone një vit më parë. Bërja e vaksinës nuk të bën imun ndaj gripit, pra nuk nënkupton se nuk do të prekeni nga gripi, por garanton një prekje më të lehtë nga virusi. Nëse një person që nuk e ka bërë vaksinën i ndjen pasojat e gripit përreth 4-5 ditë, një person i vaksinuar i ndjen ato përreth 1-2 ditë. Tek fëmijët 0-3 vjeç duhet të injektohet vetëm gjysma e dozës që merr një person i rritur.

 

Cilat janë kategoritë që preken më shpejtë

 

Zakonisht sëmundjet virale prekin më shumë dhe në formë më të rëndë fëmijët e vegjël (0-12 vjeç), moshën e tretë (mbi 60 vjeç) dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike. Kategoria e parë, fëmijët, janë më të predispozuar të preken, pasi imuniteti i organizmit të tyre është më i dobët, sesa i të rriturve, ndërsa tek moshat e treta gripi stinor komplikohet edhe më tepër për shkak të sëmundjeve kronike nga të cilat vuajnë shpesh të moshuarit. Tek personat me imunitet të dobët, si p.sh. ata të prekur nga HIV/AIDS ose ata që kanë realizuar transplante, sëmundjet virale mund të shfaqen në formë të rrezikshme. Gjithashtu personat që vuajnë nga bronkiti kronik apo astma mund të përkeqësohen ndërsa janë të prekur nga gripi. Duhanpirja është një tjetër faktor risku, pasi kur është e shoqëruar me sëmundje serioze rrit vdekshmërinë nga gripi.

 

Kurimi

Çfarë duhet të bëjmë kur prekemi?

Sapo filloni të ndjeni simptomat e para të gripit (rinite, lotim sysh, dhimbje fyti, koke apo muskujsh, kollë etj), nisni të përdorni antiviralët si aspirina C, gripostad, tylolhot, fervex, rinostop, kafetine gold, daleron gold, zerinol flu etj. Përdorimi i këtyre antiviralëve zvogëlon mundësitë e përhapjes së mëtejshme të virusit në organizëm dhe ju ndihmon të kaloni më lehtë sëmundjen. Nëse gripi shoqërohet me temperaturë të lartë, rekomandohet përdorimi i paracetamolit. Antiviralët përdoren çdo 4 apo 6 orë në varësi kjo të progresit të sëmundjes. Nëse keni temperaturë të lartë, kryeni një vizitë tek mjeku, pasi vetëm ai mund t’ju rekomandojë mjekimin e duhur.

Si përhapet gripi

Nëpërmjet teshtitjes apo kollitjes, personi i infektuar mund të përhapë në ajër virusin, i cili mund të bjerë menjëherë në kontakt me hundën, sytë apo gojën e personit të shëndoshë. Për të mos u prekur nga sëmundjet virale, këshillohet larja e shpeshtë e duarve me sapun, sidomos nëse ndodheni në ambiente me persona të sëmurë. Zakonisht simptomat e para të gripit shfaqen brenda 24 orëve, pasi organizmi është prekur nga virusi dhe ato vazhdojnë për rreth 5-7 ditë. Gjendja gripale paraqitet më e theksuar ditën e dytë dhe të tretë pas infektimit, ditë kur zakonisht shfaqen edhe ethet e temperatura e lartë. Në rastet kur gripi prek një person me imunitet të dobët apo që vuan nga sëmundje kronike, duhet pasur shumë kujdes, pasi mund të përballemi me pasoja shumë të rrezikshme. Virusi i gripit, kur prek organizmin, tenton të godasë organet me imunitet më të dobët e për pasojë, një grip i thjeshtë mund të krijojë dëme të shumta, duke rrezikuar dhe jetën e njeriut. Ka mjaft raste gripi që, kur nuk marrin mjekimin e duhur, kalojnë në ftohje e deri bronkopneumoni, që kërkojnë një mjekim mjaft të kujdesshëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency