Për reformën në drejtësi/Xhafaj: Venecia nuk rrëzoi asnjë nga propozimet e draftit, pse LSI ka opinion ndryshe nga PS

0
123

 

 

xhafaj me gazetaret ..Riorganizimin e Prokurorisë e mbështet edhe Venecia, për zgjedhjen e kryeprokurorit kërkojnë mekanizmin zhbllokues kur nuk arrihet shumica prej 3/5-ve

 

Gëzim Saliu

 

Kreu i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën në drejtësi, socialisti Fatmir Xhafaj, mbrojti dje më forcë draftin e ekspertëve për këtë reformë duke theksuar se vërejtjet e Komisionit të Venecias nuk rrëzojnë asnjë prej propozimeve të draftit. Në përgjigje të deklaratave të djeshme të demokratëve të cilët theksuan se pas kritikave të Venecias, drafti i mazhorancës do të duhet ndryshuar thelbësisht, Xhafaj vlerësoi propozimet e ekspertëve të nivelit të lartë. “Nuk ka asnjë dispozitë të atij projekti që s’ka gjetur mbështetjen e Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias në raportin e tij në asnjë faqe dhe në asnjë rresht të tij nuk kryqëzon ndonjë nga amendamentet, përkundrazi mbështet shumicën e amendamenteve dhe zgjidhjeve të dhëna nga ekspertët e nivelit të lartë dhe është rasti për ti thënë atyre një faleminderit të madh dhe jemi disa sugjerime sesi mund të përmirësohen më mirë. Komisioni i Venecias ka mbështetur tërësisht çështje thelbësore të këtij projekti që përbëjnë edhe themelet bazë të të gjithë strukturës së amendamenteve kushtetuese”, – tha socialisti në një bashkëbisedim me gazetarët.

 

Reforma dhe PD-ja

Në bashkëbisedimin e gjatë me gazetarët, socialisti Xhafaj foli jo pak lidhur me qëndrimin e PD-së duke theksuar se më parë demokratët ishin kundër reformës në drejtësi. “Ndihem mirë që edhe ata që deri dje kanë folur dhe çfarë nuk kanë folur, kanë gjuajtur me fjalë guri ndaj reformës, procesit, njerëzve që kanë punuar në të dhe produktit të nxjerrë prej tyre, sot janë duke vrapuar të bëhen pjesë e saj të rreshtohen përkrah reformës dhe reformatorëve. Është një lajm shumë inkurajues i fundvitit fakti që Partia Demokratike e ka përqafuar publikisht dhe pa ekuivok idenë tonë të ditës së parë të punës për reformën në drejtësi se Komisioni i Venecias është pika më e sigurt e referimit për një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të drejtësisë”, – pohoi ai duke theksuar se mazhoranca ka qenë dhe mbetet e vendosur në qëndrimet për të pasur një projekt kushtetues produkt të ekspertizës më të mirë vendase e ndërkombëtare dhe jo produkt të pazareve partiake. Më tej ai nënvizoi disa nga pikat e opininonit paraprak të Komisionit të Venecias duke pohuar: “Komisioni i Venecias shpreh mbështetjen e tij për përpjekjen që po bëjnë autoritetet shqiptare për reformën e thellë në sistemin gjyqësor shqiptar. Një reformë e tillë nevojitet në mënyrë të menjëhershme dhe situata kritike në këtë fushë i justifikon zgjidhjet radikale. Ndryshimet kushtetuese përfaqësojnë një bazë të qëndrueshme për punë të mëtejshme në këtë drejtim”. Në këtë kontekst nuk mungoi edhe një mesazh i ligjvënësit socialist i cili pohoi: “Mirë se vini në trenin e reformës! Ky është treni i drejtësisë për qytetarët dhe jo drejtësisë për politikanët e zyrtarët ! Ky është treni i drejtësisë ku të gjithë duhet të ulemi dhe të sillemi, të respektohemi dhe të ndëshkohemi si të barabartë para ligjit ! Kush e pranon këtë udhëtim si të tillë është i mirëpritur të zërë vendin që i përket. Ka vend për të gjithë”.

 

LSI-ja

I pyetur nga gazetarët për qëndrimet e ndryshme të LSI-së lidhur me reformën në drejtësi, ku edhe përmes ministrit Manjani ka shprehur disa kritika për draftin e ekspertëve të mbështetur nga PS, deputeti socialist shpjegoi: “Për sa i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim, ne jemi pjesë e mazhorancës. Dhe për të freskuar memorien tuaj dhe të kujtdo tjetër, kur nisi ky proces nuk e nisi Partia Socialiste në sensin e miratimit të saj, e gjithë mazhoranca e ka votuar këtë proces dhe Lëvizja Socialiste asnjëherë nuk e ka lënë karrigen bosh në tryezën e komisionit të punës. Nëse ju dëshironi ta ndani për shkak të disa komenteve dhe sugjerime të bëra prej ekspertëve të saj lidhur me dokumentin e ekspertëve, kjo mendoj se nuk është një qasje e drejtë”, – u shpreh Xhafaj. Ndërkaq lidhur me shqetësimet e shprehur nga shoqata e gjyqtarëve dhe prokurorëve, socialisti bëri të ditur se tashmë është shumë vonë dhe dera është mbyllur. “Natyrisht është e drejtë e tyre ta artikulojnë në mënyrën se si e çmojnë, por më duhet të them që shoqatat e gjyqtarëve dhe gjyqtarët, prokurorët, avokatët, noterët, përmbaruesit, pedagogët e fushës kanë qenë jo thjeshtë të ftuar, por të lutur në vijimësi nga ana jonë për tu shprehur dhe në mënyrë institucionale shoqatat e gjyqtarëve i është dhënë mundësia të flasin ë të gjitha tryezat, në të gjitha jo vetëm të jenë prezent, por të flasin ë të gjitha tryezat, të dorëzojë komente”, – deklaroi ai. Duke mbetur te kritikat e draftit, Xhafaj mbrojti edhe ato pjesë të tij që prekin riorganizimin e Prokurorisë dhe zgjedhje e Kryeprokurorit. “Riorganizimin e prokurorisë e mbështet Komisioni i Venecias duke dëshmuar domosdoshmërinë e rritjes së pavarësisë profesionale të prokurorive në raport me hierarkinë institucionale. Për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Kuvendi mbi bazën e një liste ku renditet të gjithë kandidatët sipas kualifikimit si edhe parashikimin e një mekanizmi zhbllokues thotë jo se nuk duhet bërë kështu, kështu duhet të bëhet, por parashikojeni një mekanizëm zhbllokues se e dinë që ne e kemi për qejf t’i bllokojmë gjërat në rast të mosarritjes së shumicës prej 3/5-ve”, – mbylli sqarimin e tij deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj, i cili mban edhe postin e kreut të Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency