Në mungesë të sinqeritetit dhe kundër kartolinës bajate të fundvitit

0
148

 

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

Ndriçim-Mehmeti

Është bërë sa e zakonshme, kaq e shpifur dhe deri në bezdi, urimi i fundvitit nga ata që tërë vitin as që kujtohen për qytetarët apo grupet shoqërore që i drejtohen. Një ministër u drejtohet minatorëve, profesionit që e bëjnë të gjithë nga varfëria dhe përfundojnë gjysmat të vdekur ose të gjymtuar. Një deputet i drejtohet zonës së tij elektorale që ka 10 vjet pa ujë. Ministri i Mirëqenies i dërgon urimet e tij moshës së tretë, ndërkohë që ata pak prej moshës së katërt që kanë mbetur në këtë vend, vdesin ose nga karboni i mangallit të ndezur tërë natën, ose nga mungesa e dritës dhe ngrohje. Ministri i Arsimit u drejtohet mësuesve, që do t’i “mbështesë fort në punën e tyre pa rezerva”, po që i la pa kontratë kolektive dhe në duart e pista të militantëve të pashpirt dhe pas asnjë shpërblim financiar për festa.

Mos është vetëm hipokrizi, urimi i shtirë i fund vitit?

Jo. Kjo është veti e një shpure qeveritare e politikanësh shpirtzinj, të cilët nuk pranojnë dhe nuk duan të pranojnë se në vend të demagogjisë, ka një rrugë më të lehtë, por shumë të dhimbshme, për racën e tyre: Sinqeriteti. Ajo është një veti të cilën e kanë mësuar në fëmijërinë e tyre të hershme, e kanë përdorur deri në fillimet e adoleshencës, e kanë flakur në klasë të tetë dhe prej asaj kohe, as që nuk e dinë nëse ekziston kund. Mungesën e sinqeritetit e kanë zëvendësuar me një sërë vetish, të denja për ta dhe të adhuruara së fundmi edhe nga një pjesë e rinisë: Të gënjyerit, të hiqesh ai që nuk je, nuk ka nevojë të jesh i zgjuar por dinak; nuk ka nevojë të jesh vetë i fortë, por të kesh rreth vetes njerëz që janë gati të sakrifikojnë për ty etj.? Viktima e gjithë pasojave për përqafimin e vetive të mësipërme? Populli. Ai jo gjithmonë duhet të rrihet edhe pse kjo mundësi nuk përjashtohet. Më shumë ai duhet gënjyer. Kur vjen një festë cilado qoftë ajo, mjafton të dalim nga njëri televizion në tjetrin dhe të brohorasim për popullin tonë të “mençur, trim, bujar, të palëkundur, që nuk ia hedh kush (përveç racës së tyre), që meriton gjithçka” e që nuk i japin asgjë. Një nga rastet më të mira për të gënjyer, qarë, qeshur, zgërdhirë, zgërdheshur është fundviti. Në ditët kur ata që kanë pushim duan të çlodhen, ata që janë në punë zvarrisin këmbët me pahir, më shumë prej stresit sesa prej lodhjes, vjen bombardimi i pafund i lajmeve: “ministrja e Arsimit, ndodhet për të gëzuar me fëmijët e kopshtit, që sapo është rikonstruktuar prej donatorëve”, “ministrja e  Kulturës sheh nga afër orët e fundit të punës për restaurimin e ikonave që kishin munguar”, “ministri i Transportit premton se në fund të vitit maksimumi në fillim të janarit, do të rregullohet rruga që ka dhera në aksin Tiranë-Elbasan” etj. Ministrat e Financave dhe të Ekonomisë nuk kanë ndonjë urim të veçantë, përveç buxhetit, që u del si gjithnjë me sukses e që do të zbrazë xhepat e shqiptarëve. Mos prisni që dikush të dalë ose të caktojë tellallin Trifon që të dalë e të japë lajmin që mezi presin njerëzia: “Për fundvit, qeveria ka vënë dorën në zemër e ka caktuar ca miliona dollarë a lek, që të kënaqë ju dhe tryezat tuaja, jo vetëm me këngë e valle nga të gjitha trevat, në mungesë të ndonjë leku për këtë ditë të shënuar”. Mos doni të thoni se edhe kjo është mungesë sinqeriteti? Përkundrazi. Kjo është më e sinqertë, nga sa e kemi menduar, edhe pse nuk ka shumë shanse të ndodhë.

A do të ishte më mirë vallë që soji i këtyre politikanëve të strukeshin në shtëpitë e tyre të ngrohta në mal e në fushë, në Shqipëri e jashtë saj dhe të paktën për dy javë të heshtnin?

Përgjigjja e menjëhershme është po. Por Po-ja në këtë rast, nuk ka as peshë kur e thua, e nuk ka as gjasa për të ndodhur. Mbetet një dëshirë e njerëzve, të shumtë janë ata që besojnë, se asnjëherë nuk bëhet realitet. Për fat të keq në zakonin e politikanëve, që t’i drejtohen popullit sa herë u teket, me vend e pa vend, orë e pa orë, ka kontribuar vetë populli. Me shumë dashuri, jo me shumë qetësi, me shumë zhurmë e bujë, duke qarë e ndenjur net pa gjumë i ka ngjitur deri piedestal e u ka thënë: “Marshi nga ditët tona e na u bëfshin kurban armiqtë. Tani rrini e gëzoni në kolltukë, për veten tuaj dhe për ne”. Pa kaluar shumë kohë nga zhytja në kolltuk dhe joshja nga zarfet e parë të tenderëve pa mbarim, harrojnë kush i solli deri atje dhe për çfarë janë zgjedhur. Shkurt, kanë bërë atë që dinë më mirë të bëjnë: Të heqin maskën e hipokrizisë, të lenë mënjanë “sinqeritetin” me të cilin bënë popullin për vete dhe të dalin e të krekosen si gjeli majë plehut edhe kur s’ke bërë gjë e s’ke për të thënë kurrgjë. Edhe pse do të ishte më e udhës të strukeshin në vilat e tyre luksoze që gjenden në çdo pikë turistike të Shqipërisë, shto edhe ndonjë shtëpi të vogël 100 m2  edhe në vendet fqinje, ata rrinë e flasin, dalin, çirren e pëllasin në emër të popullit. Dhe unë u jap të drejtë të flasin. Në fund të fundit është shumë e rëndësishme për ta të justifikojnë majmërinë, e tyre duke ju drejtuar e bombarduar,përmes makinerisë së shkëlqyer të propagandës, popullit që mezi mbijeton. Propaganda e dendur, e zhurmshme, e dhunshme, është provuar historikisht që të jep rezultat, mbi një popull të kapitur prej halleve, padijes politike, varfërisë monetare e shpirtërore. Ku më shumë se në një terren të tillë, mashtrimi zë më shumë vend se e vërteta? Prandaj edhe prej shtëpive, ku janë me një regji të mirë menduar e me një mizë në këmishën e sapo dalë nga qesja, duke shëtitur në ambiente e tyre përrallore, ftojnë popullin të jetë i gëzuar e të pres, për ditë më të mira. Një pjesë e njerëzve mendojnë se ata që kanë zgjedhur, e dinë fare mirë gjendjen e tyre. Një pjesë mendon se bëjnë sikur nuk e dinë. Ndërsa e vërteta është që as e dinë e as nuk duan t’ia dinë, për popullin. Shumica e tyre, pavarësisht nga janë, ku janë zgjedhur e nga vijnë, kanë shtëpi në Tiranë, madje në lagjet më të mira të kryeqytetit. Shkojnë në vendlindje, për ndonjë fundjavë në shtëpitë e rikonstruktuara me shumë shije, pas ardhjes në pushtet dhe për aq pak kohë sa rrinë nuk marrin vesh asgjë. Por edhe sikur ta dinë ose të kenë parë gjësend përgjigjen e kanë në majë të gjuhës: “Të varfër ka kudo. Ne do përpiqemi të reduktojmë varfërinë, po nuk kemi ç’të bëjmë më shumë”. Por nuk harrojnë të thonë se çfarë suksesesh kemi arritur. Kryeministri si më i pari i të gjithë këtij maskarallëku, del e na mbush mendjen se jemi më mirë se ç’kemi qenë, madje do të bëhemi edhe më mirë po të presim edhe pak, nja 20 vjet. Në fund të fundit, edhe njerëzia kur  i takon të njëjtën gjë thonë: “Ne nuk kemi hallin tonë po të kalamajve”. Duke qenë në të njëjtën linjë me dëshirën e popullit, mos prisni që nga i pari deri tek i fundit të thonë ndryshe. Unë u jap përsëri të drejtë. Të flasin sa të duan, për aq kohë sa të gjithë ne, nuk i dalim për zot hallit tonë e t’i themi: “Ju që nuk meritoni të quheni njerëz e jo më drejtuesit e punëve tona, zhdukuni nga kolltukët që mbani me djersën tonë, e na lini t’i rregullojmë gjërat ashtu si i mendojmë më mirë vetë. Sakën se ju gënjen mendja se largoheni kurrkund. Do të qëndroni e të jepni llogari e më pas drejtësia dhe Zoti të vendosin fatin tuaj, në emrin tonë”. Se kur do të vijë ajo ditë, mos më pyesni se edhe vetë nuk e di.

*Opinioni përfaqëson mendimin e autorit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency