Malaj nuk pajtohet me rrëfimin e Fevziut për çështjen Blushi – Rama/ Miqësia e tij me Ramën persekutoi LMN -në

0
137

malaj fevziu blushi

 

 

Arben Malajt nuk i ka pëlqyer rrëfimi i Blendi Fevziut mbi atë se çfarë ka ndodhur mes Ben Blushit e Edi Ramës. Pjesa  me të cilën Malaj nuk pajtohet është ajo e themelimit të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe (LMN) dhe rolin e Blushit në këtë lëvizje që u krijua për t’u bërë oponencë disa vendimeve të Ramës. Ja çfarë shkruan Fevziu në lidhje me këtë:

“Në këtë kohë, (2009) së bashku me 6 deputetë të tjerë Blushi krijoi Lëvizjen për mendimin Ndryshe. LMN funksionoi disa kohë, ajo e kontestoi PS në bazën dhe thelbin e saj, i solli mjaft probleme Ramës, por pushoi, pa ndonjë shpjegim të qartë. Nuk ka asnjë dyshim që rolin kryesor këtu e luajti Blushi që u tërhoq në momentin e një vendimi me mjaft përgjegjësi: A qenë ata 6 deputetë të gatshëm të krijonin një formacion tjetër politik në atë moment që Rama i mbylli shtigjet dhe ata s’mund të vijonin më tej brenda PS? Nuk dihet se ç‘ka lëvizur tjetër, por një bilanc mund të bëhet këtë moment. LMN ndikoi mjaft për të kthyer një seri vendimesh absurde që do ta kishin rrënuar krejt të ardhmen e PS, bojkotin e parlamentit dhe strategjinë e dhunës. Dy gjëra që Blushi vijoi t’i mbrojë ende, siç është në rastin e dytë qëndrimi që ai ka mbajtur kundër grevës së urisë së majit 2010 dhe për 21 Janarin.

Por Malaj, në replikën e tij thotë se ishte pikërisht miqësia e Blushit me Ramën ajo që e “persekutoi” Lëvizjen për Mendimin Ndryshe. Malaj thotë se ky rrëfim i Fevziut ka shumë të pavërteta e deformime. Ja komenti i tij:

“Sot është një ditë e bukur dhe besoj nuk i prishet bukuria nga këto analiza dhe komente, por analiza e Fevziut lidhur me LMN­në ka shumë të pavërteta dhe shumë “deformime”. Koha vërtetoi se LMN ishte një inspirim pozitiv për njerëzit e mrekullueshëm të vendit tonë dhe jo një aritmetikë personale e askujt prej kolegëve. Në mirënjohje të të gjithë kolegëve që e inspiruan dhe mbështetën LMN­-në, kam detyrim të qartësoj nëpërmjet një artikulli, jo vetëm për saktësi historike – standard që Fevziu përbetohet se nuk e shkel asnjëherë, disa prej të pavërtetave dhe deformimeve. Koha është aleati dhe gjykatësi më i mirë lidhur me motivet e angazhimeve dhe kontributeve publike dhe politike të individëve dhe forcave politike. Pas 20 vitesh angazhim politik ndjej detyrim edhe ndaj historianëve të shkencave politike, por sidomos ndaj mbështetësve të LMN-së në çdo nivel, të cilët u “persekutuan” edhe në kohë të “demokracisë” për këtë angazhim fisnik. Fatkeqësisht, por është e vërtetë, që ky “persekutim” nisi që në kohën kur miqësia Blushi­Rama lulëzoi, ndoshta edhe nga braktisja e LMN­së.”

Malaj, kujton se ky persekutim preku edhe familjarët e ish –kolegëve të LMN –së.

“Persekutimi arriti deri aty sa djali i një ish­kolegut tonë, student i talentuar dhe i diplomuar në një universitet perëndimor, u hoq nga puna sapo socialistët erdhën në pushtet, sepse babai i tij u shpall armik i drejtuesve aktualë të PS­së. E trishtueshme deri në neveri – kjo sjellje, e cila shfaqet shpesh në politikën tonë edhe pas 25 viteve. Ky nuk është një rast i vetëm. Ku dallon këtu persekutimi sot nga ai i viteve të komunizmit?! Pse dëshpërohen disa nga “udhëheqësit” majtas apo djathtas kur analistë vendës dhe të huaj i cilësojnë se kanë mentalitete diktatoriale?! Faktet janë kokëforta – fjalët shpesh prodhojnë demagogji.”

Në këtë replikë Arben Malaj i kujton gjithashtu Fevziut, por edhe vetë Blushit, se nga aleancat parazgjedhore në PS u persekutuan dhe u braktisën shumë kolegë të arsimur. Dhe kjo braktisje, – thotë ai – është një mëkat që vazhdon t’i ndjekë nga pas LMN –istët.

“Personalisht përzgjodha që midis një karrigeje partiake dhe lirisë, t’u përkushtohesha angazhimeve jopartiake. Prandaj nuk vetëpërfshihem në të persekutuarit e aleancave parazgjedhore në PS. Por, braktisja e shumë kolegëve të mirarsimuar, të përkushtuar, me integritet të lartë njerëzor dhe profesional, solidariteti qoftë edhe në heshtje me persekutimin e tyre, të cilët nuk u angazhuan në PS për asnjë interes të vogël, është një njollë/mëkat që na ndjek nga pas. Kjo nuk është një pengesë e përhershme për asnjë koleg që të inspirojë, të organizojë dhe të udhëheqë lëvizje të reja edhe politike, të cilat mund të jenë për individë të caktuar, një mundësi shumë e mirë për të korrigjuar edhe gabime të së shkuarës. Ne duhet të respektojmë çdo individ, që në çdo kohë reflekton për atë që duhet të bëjë më mirë për sfidat ekonomike, sociale dhe politike të vendit të tij. Askush prej tyre majtas apo djathtas nuk duhet penguar, askush prej tyre nuk duhet cilësuar armik, ndaj askujt prej tyre nuk duhet të përdoret asnjë qindarkë para private apo publike për t’i penguar apo për t’i “vrarë” politikisht.

Konkurrenca politike është shumë më e domosdoshme dhe e shëndetshme për demokracitë e reja. Institucionet e forta janë më të dobishme se individët e fortë. Në teoritë e zhvillimit, institucionet e forta nuk nënkuptojnë ndërtesa, por: lirinë e fjalës, lirinë e pronës, lirinë nga korrupsioni, lirinë nga kapja e shtetit, lirinë nga pengesat për barazi të mundësive për mirarsimim dhe shëndet, liri nga procedurat e gjata dhe kostot e rënda për të bërë biznes, liri për ta ndërtuar dhe shijuar jetën tënde si produkt të punës dhe aftësisë individuale, por në një shoqëri që krijon kohezion dhe solidaritet social.”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency