Shkatërrohet banda e falsifikimeve në Elbasan, 3 në pranga

0
230

ee

 

Policia e Elbasanit ka sekuestruar një numër të madh mjetesh identifikimi, shqiptare dhe të huaja të cilat ishin të falsifikuara nga një grup prej 3 personash të cilët merreshin me falsifikim të dokumenteve. Në pranga kanë rënë poseduesit falë një operacioni të koduar “Kalaja” nga Sektori Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me Sektorin Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, përmes të cilit janë sekuestruar letërnjoftime të falsifikuara, 2.5 kg zhivë e bardhë, 4 aparate celularë, 5 vula të institucioneve të ndryshme dhe pikave të kalimit kufitar, 1.000 dinarë, 1.000.000 lekë dhe 1.500 euro si dhe sende të tjera të cilat i shërbenin grupit për realizimin dhe bërjen e dokumenteve të falsifikuara. Pas informacioneve të siguruara, janë arrestuar në flagrancë tre poseduesit e letërnjoftimeve të falsifikuara dhe të sendeve të tjera të sekuestruara ku u bë e mundur arrestimi në flagrancë i Anastas Çyço, 51 vjeç, Alban Nuredini, 38 vjeç dhe Lulzim Gjoci, 48 vjeç, që të tre nga Elbasani. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 50 pasaporta shqiptare, 3 pasaporta bullgare, 1 pasaportë greke, 3 karta identiteti bullgare, 2 leje drejtimi bullgare, 1 vizë kalimi të shtetit të Pakistanit si dhe 200 dokumente të tjera të gjitha të falsifikuara. Po ashtu, janë gjetur leje drejtimi, leje qarkullimi, dëftesa të ndryshme pjekurie, diploma të degëve ndryshme të shkollës së lartë, certifikata personale dhe familjare, akte pronësie noteriale të qytetit të Tiranës, vërtetime të shkollave të ndryshme, vërtetime të Bashkisë Elbasan, 3 leje qëndrimi në shtetin italian etj. Në banesat e tyre janë gjetur edhe 5 vula të institucioneve të ndryshme dhe pikave të kalimit kufitar si dhe para dhe dinarë e euro. 3 personat e prangosur ende nuk dihet se prej sa kohësh e ushtronin aktivitetin e tyre kriminal dhe as sesa ka qenë vlera monetare e përfituar prej tij. Ata do të përballen me drejtësinë për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve”, “Falsifikim i pasaportave dhe vizave”, “Moskallëzim krimi” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive“, të kryera në bashkëpunim.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency