Projektbuxheti për arsimin/Sindikatat e arsimit, akuza qeverisë për mosrritjen e pagave për mësuesit

0
108

ll

 

Qeveria dhe Ministria e Arsimit ka tri vite që nuk mban premtimet elektorale. Ish-ministri Tafaj kërkoi një rritje deri në 5% të pagave për mësuesit

 

Dori Hoxha

 

Planifikimi buxhetor për sektorin e arsimit në vitin 2016, është rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes në Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Ishin përfaqësuesit e sindikatave të arsimit ata që kanë kritikuar projektbuxhetin e vitit 2016 për arsimin, pasi, sipas tyre, ndryshe nga sa është premtuar, nuk është parashikuar rritje e pagës së mësueseve, edhe pse kjo qeveri po hyn në vitin e tretë të qeverisjes. Të ftuara në seancë dëgjimore në Komisionin e Medias, sindikatat e arsimit paraqitën kërkesat e tyre, ku një rendësi të veçantë i kushtuan rritjes së pagave të mësuesve, një premtim që qeveria e ka renditur në fushatën elektorale. Ndërkohë, kërkesa e sindikatave të arsimit është mbështetur edhe nga ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili kërkoi një rritje deri në 5% të pagave të mësuesve.

 

Debatet

Përfaqësuesit e sindikatave u deklaruan se në këtë vit, i cili është viti i tretë i qeverisjes nga socialistët, duhet të ketë një rritje page. “Për 2016-ën të mos jetë më pak, po kërkojmë minimumin, dyfishi i inflacionit me treguesit zyrtarë”, – theksuan ata. Ndërkohë, nënkryetari i Komisionit të Medias, njëkohësisht deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza, lidhur me kërkesat e përfaqësuesve të sindikatave të arsimit deklaroi: “T’i lëmë hallet e partisë tek SHQUP-i, hallet e arsimit t’i qajmë këtu”. Ndërsa kreu i Konfederatës së Sindikatave Shqiptare, Kolë Nikolla, reagoi duke deklaruar se mësimdhënia kërkon mësues cilësorë, por edhe paga të mira. “Këtu nuk kemi ardhur për të përcaktuar as se kush është sindikata e qeverisë, as e opozitës, as sindikata e kontratës kolektive, as kush është përfaqësueshmëria. Këto janë probleme teknike dhe të karakterit ligjor që zgjidhen në strukturat përkatëse. Mësimdhënia cilësore kërkon mësues cilësorë, të kualifikuar dhe të trajnuar, por edhe të paguar mirë”, – u shpreh Nikolla. Lidhur me mosrritjen e pagave për mësuesit, prej tri vitesh qeverisje nga Partia Socialiste, reagoi edhe ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili theksoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e rritjes së pagave për arsimtarët. “Çmimet në Shqipëri janë rritur, madje edhe çmimet e produkteve të shportës. Dhe për pasojë, çdo pagë është goditur. Për rrjedhojë, edhe pagat e mësuesve dhe të pedagogëve janë goditur. Kërkesa për të rritur pagën me dy herë inflacionin është një kërkesë realiste. Dy herë rritja e pagës së mësuesve do të thotë rritja 5% e pagës, çka do të thotë janë 11 milionë dollarë plus në fondin e pagave të Ministrisë së Arsimit”, – theksoi ish-ministri i Arsimit. Ndërsa sa u përket kontratave kolektive për mësuesit, përfaqësuesit e sindikatave të arsimit deklaruan se pas një viti diskutimesh me Ministrinë e Arsimit janë në prag të nënshkrimit të kësaj kontrate.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency