Kryetarja e LDG-së/Vokshi: Ndryshimi vjen nga gratë, sot të gjitha bashkë kundër qeverisë së krizës

0
113

albana-proteste

 

Kryetarja e Lidhjes së Gruas në PD, Albana Vokshi, ftoi dje të gjitha femrat që të bashkohen me protestën e opozitës kundër asaj që e cilësoi si qeveria e krizës. Sipas saj në 8 dhjetor duhet të protestohet për shpresën e humbur dhe dëshpërimin e thellë që solli qeveria e majtë. “Ndryshimi vjen nga gratë sepse ato kanë energjinë e jetës dhe shpresës për ditë më të mira. Gratë mbeten aleatet dhe besniket më të mira të lirisë, e demokracisë, të Partisë Demokratike dhe vlerave që ajo ka përcjellë për zhvillimin e Shqipërisë në këto 25 vite. Ky ka qenë viti më i trishtë i sakrificave deri në vetëmohim i grave dhe nënave që janë përballur me varfërinë dhe mjerimin që gjunjëzon. Është gruaja dhe nëna, viktimë e një diskriminimi të thellë të politikave qeveritare, arrogancës qeverisëse, korrupsionit masiv dhe interesave të krimit. Ndaj, në 8 dhjetor, do të jemi të gjitha bashkë sepse çdo grua, nënë, vajzë e ka një arsye qenësore për të protestuar kundër qeverisë së krizës. Në 8 dhjetor do të protestojmë për varfërinë dhe papunësinë në rritje që po mbyt të tashmen dhe të ardhmen e çdo gruaje”, – u shpreh ajo. Më tej deputetja demokrate listoi disa arsye të tjera pse gratë duhet të protestojnë ditën e sotme duke vënë theksi tek largimi i mijërave grave e vajzave që u larguan dhunshëm nga vendet e tyre të punës, e për shumë të tjera që u detyruan të paguajnë mijëra euro për ta mbajtur atë. Në 8 dhjetor do të protestojmë për Brunildën, Melitën e për dhjetëra gra që nuk janë më mes nesh, u vetëvranë dhe hoqën dorë nga jeta, viktima të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së humanizmit të kësaj Qeverie. Protesta e 8 dhjetorit do të jetë homazh për këto nëna, për këto gra, për këto jetë të humbura padrejtësisht. Në 8 dhjetor të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare do të jenë të gjitha bashkë në shesh për të mbrojtur familjet e tyre nga skamja, varfëria, padrejtësia, presioni, shantazhi, burgosja, përçmimi, denigrimi, poshtërimi”, – theksoi Vokshi. Sipas ligjvënëses së djathtë në 8 dhjetor duhet protestuar edhe për mohimin e të drejtës për shërbim shëndetësor, për mohimin e të drejtës së fëmijëve për arsimim dhe edukim. “Gratë dhe vajzat nuk mund të heshtin më! Le të bashkohemi në barrikadën për të jetuar me dinjitet! Nesër (sot) do të jemi të gjitha bashkë, përkrah djemve dhe burrave, për të rrëzuar qeverinë e tenderëve, regjimin e mohimit të të drejtave të njeriut. Bashkë do t’ia dalim!”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency