Takimi /Shërbimet e Hipotekës, Manjani:Nga janari i 2016-ës tek zyra e noterit

0
132

manjani

 

Bashkëpunimin mes noterëve dhe institucioneve shtetërore, ministri Manjani ka bërë me dije se janë në proces realizimi disa projekte me rëndësi, që do të mundësojnë lehtësi në dhënien e shërbimit, veçanërisht lidhur me Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

 

Shërbimi i noterisë do të kthehet në One Stop Shop, ku nga 1 janari 2016 i gjithë shërbimi i shit-blerjes dhe regjistrimit të pronave do të bëhet pranë noterit duke mos shkuar fare në hipotekë. Këtë projekt e promovoi ministri i Drejtësisë gjatë një takimi me noterët ku shtoi se shumë shpejt zyrat noteriale do të lidhen online dhe me agjencinë e pastrimit të parave për të parandaluar që tek noteri të legalizohen paratë e pista. “Që nga data 1 janar qytetarët e Republikës së Shqipërisë do të duhet të marrin shërbim dhe çelësat në dorë tek zyrat e noterit pa qenë e nevojshme të shkohet në ZRPP ose le të themi hipotekë. Do të duhet të aktivizojmë shërbimin e noterisë edhe për çështje të tjera sidomos me çështje që lidhen me pastrimin e parave, sepse moda e fundit ju e dini është që iket nga zyra e noterisë dhe kush ikën nga zyra e noterit është e sigurt që bën një pisllëk”, – tha Manjani. Në takim ishte i pranishëm dhe kreu i Dhomës së Noterisë italiane Maurizio D’errico ku u fol dhe për binjakëzimin e shërbimeve të noterisë, me fokus shërbimin e unifikuar për qytetarët italian që jetojnë në Shqipëri dhe shqiptarët në Itali.

 

Noteria, pjesa më e mirë

Gjatë takimit me noterët, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka shprehur fjalët më të mira për këtë shërbim. “Të jem i sinqertë, shërbimi i noterisë është avangarda jonë dhe nga më të mirët kërkohet më e mira. Jam koshient që ju keni vështirësi përballë publikut, por uroj që edhe shërbimet e tjera ta arrijnë nivelin e shërbimit të noterit. Kam qenë kundërshtues i idesë së liberalizimit të noterisë dhe i mbetem kësaj pikëpamje, për arsye se realiteti shqiptar nuk mund të jetë i ndryshëm nga realiteti i origjinës së noteriatit. Juve jeni përfaqësuesit e mi më të mirë. Aty ku shërbet, në zyrat tuaja, aty është fytyra ime dhe e Ministrisë së Drejtësisë. Sigurisht që kemi edhe probleme dhe mbetem përkrahës i zgjidhjes së problemeve dhe jo i ndërhyrjeve të dhunshme”, u shpreh në nisjen e fjalës së tij, Manjani.

 

Bashkëpunimi

Referuar problematikës që vërehet në bashkëpunimin mes noterëve dhe institucioneve shtetërore, Ministri Manjani ka bërë me dije se janë në proces realizimi disa projekte me rëndësi, që do të mundësojnë lehtësi në dhënien e shërbimit, veçanërisht lidhur me Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. “Që nga data 1 janar e vitit të ardhshëm, qytetarët e Republikës së Shqipërisë, duhen të marrin shërbim me çelësa në dorë tek zyra e noterit, pa qenë e nevojshme të shkohet në ZRPP ose në hipotekë. Në zyrat e regjistrimit të pasurive nuk jemi ende gati ta japim shërbimin 100 për qind ashtu sikurse duhet dhe reforma e dixhitalizimit është një reformë shumë e madhe, por ndërkohë duhet të shërbejmë. Atje ku kemi mundësinë të bëjmë shërbim online është mirë që ta mbyllim ciklin. Ju lutem ta ndihmojmë njëri tjetrin dhe ta realizojmë këtë projekt. Sot i kemi mundësitë dhe duhet ta realizojmë”, – sqaroi Manjani.

 

Pastrimi i parave

Duke vlerësuar si prioritar rolin e noterit, veçanërisht në çështjet që lidhen me pastrimin e parave, Ministri Manjani theksoi se ky shërbim duhet të kontribuojë edhe në drejtim të sistemit të hetimit. “Më ndihmoni me propozime konkrete dhe unë do t’i lobojë aty ku duhet. Frymën e bashkëpunimit si dhe nivelin tepër të lartë të shërbimit të noterisë që kemi sot duhet ta ruajmë dhe ta përmirësojmë. Unë i jam mirënjohës dhomës suaj, kryetares së dhomës dhe të gjithë ekipit drejtues, për punën e jashtëzakonshme dhe që ju përfaqësojnë në mënyrën më dinjitoze të mundshme”, – u shpreh Manjani. Në përfundim të takimit, Ministri Manjani ka tërhequr vëmendjen për më shumë kujdes në ofrimin e shërbimit, pas ndryshimeve që mund të kenë shoqëruar reformën e re të ndarjes administrativo territorial.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency