Ish-të përndjekurit tentuan të hynin në Parlament, nisma u shoqërua me përplasje dhe ndalime nga policia

0
135

 

 

tregtaret-protesteAshpërsimi i procedurave tatimore, tregtarët paralajmërojnë protestë të hënën përpara Kryeministrisë, thirrje për gjithëpërfshirje të qytetarëve

 

Protestat nuk ndalen, nga njëra anë janë ish-të përndjekurit politikë, të cilët protestuan dje duke kritikuar qeverinë për mosshpërndarjen e kësteve për vitet e dënimit, dhe nga ana tjetër janë tregtarët të cilët paralajmërojnë protesta të hënën përballë Kryeministrisë kundër ashpërsimit të masave ndëshkuese për kuponin tatimor.

 

Protesta e ish-të përndjekurve

Ish-të përndjekurit politikë zhvilluan dje protestën e radhës përpara Parlamentit, ndërkohë që zhvillohej seanca plenare. Ata kanë tentuar të futen në Parlament, por janë ndaluar nga policia. Tentativa u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Forcat e policisë ndaluan një prej protestuesve, Dostan Peposhi, që tentoi i pari të futej me forcë në Parlament. Kanë qenë katër efektivë të njësisë “Shqiponja”, të cilët kanë bërë shoqërimin e tij në polici, ndërkohë që ish-të përndjekurit e tjerë vijuan protestën. Për shkak të insistimit të ish-të përndjekurve politikë për t’u futur në Parlament, policia mori masa, duke krijuar një gardh jashtë Parlamentit për të mos lejuar acarimin e situatës. Protestuesit kanë hedhur parulla kundër deputetëve, gjithashtu kanë tentuar që të hedhin edhe vezë në drejtim të tyre. Ishte sekretari i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Përndjekurve Politikë Shqiptarë, Besim Ndregjoni, i cili paralajmëroi vijimin e protestave, duke kërkuar të mos rikthehen prokurorë e gjyqtarë të diktaturës. Gjithashtu gjatë fjalës së tij, Ndregjoni bëri thirrje t’u bashkohen protestave në ditët në vijim të gjithë ata qytetarë të cilët kanë pakënaqësi ndaj qeverisjes Rama. “Të mos rikthehen më në sistemin e drejtësisë prokurorë e gjyqtarë të diktaturës. Dosjet e ekspertëve të reformës në drejtësi janë të mbushura me ta. Çdo javë, çdo muaj do protestojmë. Pa liri nuk ka jetë, nuk ndërtohet shteti demokratik. E ftoj Edi Ramën të paraqesë para popullit, vilat dhe paratë që ka shpenzuar për to. I ftoj deputetët të tregojnë pasuritë e tyre para popullit, jo para Shkëlqim Ganit. I ftoj qytetarët të protestojnë që fëmijët tanë të mos ngelen më lypsarë të sistemit oligarkik. A do ta lejojmë të vritet liria? A do t’i lejojmë këta të mos dalin para drejtësisë? Çdo qytetar që e ndjen veten të kënaqur me qeverinë e Edi Ramës të rrijë në shtëpi, ai që e ndjen veten e shtypur të marshojë me ne”, – tha Ndregjoni. Më tej, sekretari i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Përndjekurve Politikë Shqiptarë i bëri thirrje policisë që të lirojë menjëherë ish-të përndjekurin politik, i cili u ndalua. “Policia të lirojë menjëherë të ndaluarin. Ne nuk kemi punë me policinë, kemi punë me deputetët. Policia është organ që mbron të drejtat e liritë tona. Nga sot do të jemi çdo ditë në mbrojtje të lirisë, të të drejtave tona”, – përfundoi Ndregjoni.

 

Ashpërsimi i procedurave tatimore, tregtarët paralajmërojnë protestë

Tregtarët kanë paralajmëruar protestën e radhës kundër masave ashpërsuese, të cilat, sipas tyre, po rrezikojnë falimentimin e biznesit të vogël në të gjithë vendin. Përmes njoftimit ata deklarojnë se të gjithë qytetarët, tregtarët dhe aktivistët të cilët duan të protestojnë kundër ligjit për procedurat tatimore, protesta do te zhvillohet ditën e hënë më 30 nëntor, ora 12:00 përpara Kryeministrisë. “Ky vend është i mbushur me histori konfliktesh përpara Kryeministrisë. Ka aq shume sa mund te shkruhet një libër. Ne nuk do të jemi pjesë e atij libri sado që të na ftojnë. Protesta jonë është qytetare! Protesta jonë është jopolitike! Ditën e hënë, do të jemi edhe më shumë! Kryeministrit! Ditën e hënë, në orën 12:00 do ritakohemi poshtë Kryeministrisë. Do të jemi shumë më shumë se herën e parë. Aty do të kuptosh se protesta, kur është e drejtë dhe e bazuar në fakte, në argumente, në halle konkrete e të përditshme, nuk mund të anulohet me hile, me skema apo me intriga. Do të kuptosh se Ligji për Procedurat Tatimore është seriozisht i dëmshëm për shëndetin e biznesit në Shqipëri. Do të kuptosh se kjo protestë nuk është e një partie kundër një tjetre për pushtet, por thjesht e një grupimi qe lufton për një kauze të drejtë. Pasi të kuptosh të gjitha këto, në urojmë dhe besojmë se do tërhiqesh. Askush nuk do të përqesh nëse e bën, askush nuk do të shaje. Do të kesh vetëm duartrokitje! Mendohu! Takohemi të hënën, ne orën 12:00”, – përfundon njoftimi për protestën kundër ashpërsimit të ligjit për procedurat tatimore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency