Masat e sigurisë/SHISH dhe Policia me listë të personave që mbajnë në vëzhgim për akte terroriste

0
141

 

poliPolicia ka shtuar masat e sigurisë edhe në pikat e kalimit kufitar të zonave ku mendohet se operojnë këta individë. Policia thotë se pikat e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, Muriqanit, Morinës së Kukësit dhe Kapshticës janë zonat ku është intensifikuar vëzhgimi.

 

Një grup personash mbahen nën vëzhgim prej disa javësh në Shqipëri, si pjesë e masave antiterror. Një listë me emrat e këtyre personave me prirje radikale është shpërndarë për Agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ato të antiterrorit pranë Policisë së Shtetit, që pas kërcënimeve të para nga ISIS. Lidhjet e këtij grupimi personash me besim radikal, vijnë nga Kosova dhe Bosnje Hercegovina. Nuk bëhet e ditur se sa është numri i këtyre personave, por ato përbëjnë një rrezik potencial konkret, për sulme terroriste në vendin tonë. Agjentët e shërbimit kanë shtuar masat e vëzhgimit për këtë grup personash, të cilët dyshohet se kanë lidhje me individë të caktuar dhe organizata bamirëse me seli në Bosnjë dhe Kosovë. Këto organizata dyshohet se kanë hapur degë të tyre edhe në Shkodër e Tiranë, pikërisht në zonën e Kamzës. Lidhjet e tyre shtrihen edhe me besimtarë myslimanë rezidentë në qytetet e Kavajës, Cërrikut, Pogradecit, Elbasanit dhe Librazhdit. Këto individ, mësohet se janë edhe frekuentues të rregullt të xhamive të cilat nuk janë nën juridiksionin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

 

Masat në kufi

Krahas këtyre informacioneve operative në terren, burimet thanë se policia ka shtuar masat e sigurisë edhe në pikat e kalimit kufitar të zonave ku mendohet se operojnë këta individë. Policia thotë se pikat e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, Muriqanit, Morinës së Kukësit dhe Kapshticës janë zonat ku është intensifikuar vëzhgimi. Në këto pika të kalimit kufitar, policia thotë se janë angazhuar edhe agjentë të SHISH-it të cilët në bazë të informacioneve operative, kanë arritur të listojnë disa emra të personave me rrëzikshmëri apo prirje radikale. Këto individë, sipas policisë, nuk lejohen të dalin nga territori shqiptar. Madje personat që janë pjesë e listës së dyshimeve dhe që jetojnë jashtë vendit nuk lejohet të hyjnë në territorin shqiptar. Nga ana tjetër, burimet pranë Policisë së Shtetit thonë se janë shtuar masat e sigurisë pranë rezidencave të personelit diplomatik dhe të huaj të akredituar në Shqipëri si dhe pranë Ambasadave të tyre. Ata thonë, se informacioni i ardhur nga agjencitë e huaja vënë theksin pikërisht këto ambiente, ndërtesa apo edhe vende ku frekuentohen nga rezidentët e huaj në Shqipëri përbëjnë potencial rreziku. Ajo që bie në sy është fakti që përjashtohet mundësia e një sulmi në zona të mbipopulluara nga qytetarët shqiptarë.

 

Ndeshja me Francën

Një aktivitet futbollistik mes Shqipërisë dhe Francës që do të zhvillohet këtë muaj në vendin tonë, është në shënjestër të sulmeve terroriste të ISIS. Bëhet fjalë, për ardhjen e kombëtares franceze të futbollit për femra, që pritet të vijnë në Tiranë për një ndeshje me kombëtaren shqiptare, në datën 27 të këtij muaji. Në dukje, një aktivitet normal sportiv, madje më pak si i tillë, pasi futbolli për femra në Shqipëri, nuk është se ka shumë ndjekës. Por në situatën aktuale kjo datë dhe ky aktivitet, pikërisht pas valës së sulmeve terroriste në Francë dhe pas alarmit për sulme të tilla edhe në Shqipëri, e komplikon disi situatën, duke vënë në alarm drejtuesit e SHISH dhe policisë. Dyshimi dhe frika është se pikërisht ky aktivitet sportiv mund të jetë një objektiv sulmi, nga elementë të dyshuar si të lidhur me ISIS. Për këtë arsye, gjithmonë nëse do t’i qëndrohet axhendës sportive dhe ky aktivitet do të zhvillohet, po hartohet një plan masash për të garantuar sigurinë e sportistëve, por dhe të tifozëve që do e ndjekin atë. Pikërisht për këta të fundit, SHISH ka sugjeruar që mos të bëhet shumë publicitet në mënyrë që të shmanget një numër i madh tifozësh pasi në këtë mënyrë agjentët e policisë dhe SHISH mund ta kenë më të lehtë mbarëvajtjen e sigurisë se aktivitetit. Nuk dihet nëse kjo ndeshje do të luhet apo jo sepse nuk ka një vendim të tillë për takimin mes kombëtares franceze dhe asaj shqiptare të futbollit për femra, nga Federata Franceze dhe ajo shqiptare e futbollit, por gjithsesi data 27 Nëntor për shkak të këtij aktiviteti, ashtu si dhe datat 28 dhe 29 Nëntor të Festave Kombëtare, mbeten si datat me punën më të ngarkuar për organet e rendit dhe sigurisë, për shkak të rrezikut të paralajmëruar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency