Abuzimi në sistemin arsimor, i kopsitur

0
139

 

 

Nga  Brikena BogdoBrikena Bogdo

 

“Çfarë guximi paske!”, “Fëmija gënjen”, kjo ishte qasja e shkollës shqiptare, kur guxova të ngrija zërin ndaj paaftësisë dhe abuzimit të mësimdhënies apo sistemit arsimor. Kjo është qasja e sistemit arsimor ndaj denoncimit. “Sistemin arsimor nuk e ndryshojmë dot”. Dikush, këtë shprehje, të dëgjuar rëndom, do ta quante pesimizëm, unë e quaj fatalizëm. “Mos u anko kot, se nuk e zgjidh dot”, “Do dëmtosh fëmijën”, “Të gjithë peshën do ta pësojë fëmija”, “Kujdes, se do të hakmerret me fëmijën”. Përkundrazi, nga hallkat e sistemit arsimor tentohet që të gjendet fajtori dhe i tërë faji bie mbi prindin apo fëmijën. Të përplasen me prepotencë dhe arrogancë të gjitha hallkat institucionale të arsimit, “Vetëm ti ankohesh”, “Shko, ankohu ku të duash!” Në këtë situatë informaliteti, prindërit vrapojnë të zgjidhin mikroklimën e tyre, me informalitet, mësuesin privat.

Këtu abuzon sistemi, tek “ndjeshmëria prindërore”. Kjo është arsyeja pse zëri prindëror denoncues është gati inekzistent. Mbi këtë ndjeshmëri prindërore lulëzon sistemi i paaftë dhe korruptiv arsimor. Forcën e çdo sistemi e ngre punktualiteti, “të vendosim pikat mbi i” – thotë populli. Nëse duam që të mbetemi në një sistem funksional, duhet që në çdo hap të jemi formalë, ku çdo detaj të jetë i përcaktuar qartë dhe saktë. Një denoncim nuk mund të trajtohet në rrugë informale. Prindi për denoncimin merr një trajtim informal, duke e detyruar që ta zgjidhë, në mënyrë informale, jashtë sistemit apo më qartë, me mësues privat. Tentohen të ngrihen ura fiktive komunikimi, midis prindit dhe shkollës. Shoqëria shqiptare do të lulëzojë vetëm, nëse do të arrijë të luftojë, brenda vetes, strukturat fiktive. Sipas dispozitave normative, fëmijët duhet t’u drejtohen disa hallkave, për ankesat e tyre, por të gjitha rezultojnë fiktive. Informaliteti shpërbën të drejtën dhe të drejtat e gjithkujt. Kur një fëmijë, që tenton të pasqyrojë një problem, e akuzojmë se po gënjen, i kemi hequr të drejtën e fjalës. Kur, në mënyrë sistematike, fëmijëve u thuhet që nuk kanë të drejtë tjetër, veç të mësojnë, kësaj qenie në rritje i kemi mohuar mundësinë, të njohë të drejtat e tij. Skllavi është qenie pa të drejta. Duke projektuar një njeri pa të drejta, kemi projektuar një skllav. Me teorinë, që sistemin arsimor nuk e ndryshojmë dot, ne i mundësojmë këtij sistemi, informalitetin, paaftësinë, abuzivizmin. Sistemi mbingarkohet, jo pa qëllim. Mbingarkohen tekstet shkollore, testet përtej limiteve humane, në mënyrë që prindërit, të vrapojnë drejt mësuesit privat. Por, edhe kjo nuk e zgjidh problemin. Nëse, ti kërkon notën maksimale, duhet të marrësh privatisht mësuesin e lëndës, që të dish edhe tezën e testit. Ky problem theksohet kryesisht, në shkollën e mesme, ku sistemi i notës është deciziv për zgjedhjet e fëmijës. Rëndom, mësuesit që japin mësime private, janë mësuesit e matematikës, fizikës, kimisë, pasi këto lëndë janë të tejngarkuara, po ashtu edhe testet, ku abuzimi është në nivele shumë të larta.

Jemi përballë një frenetizmi teknologjik, ku truri i njeriut vihet përpara sforcove, apo sfidave, shpesh të papërballueshme. Në këtë frenetizëm, është përfshirë sigurisht edhe dija, shkollimi, sistemi arsimor, duke rritur stresin. Kjo është arsyeja, që tekstet shkollore, testet, e gjithë mësimdhënia, duhet të mbështeten mbi studime të rrepta shkencore.

Nga studime të ndryshme, rezulton se dhuna psikologjike nëpër shkolla (e lidhur ngushtësisht me mbingarkesën), konsiderohet, po aq e dëmshme për fëmijën, sa dhe dhuna fizike, duke deformuar inteligjencën emocionale dhe psikologjinë e fëmijës. Dhuna fizike, e përdorur deri dje nëpër shkolla, po zëvendësohet, në përqindje të frikshme, nga dhuna psikologjike, e cila ka ndikim në psikën e fëmijës, duke i shkaktuar frikë, depresion, deri çrregullime personaliteti. Pasojat e dhunës prekin nivelin e përgjithshëm të funksionimit emocional të fëmijës, me mundësinë për të zhvilluar sjellje të dhunshme në të ardhmen. “Presion i fortë psikologjik” – shprehen fëmijët, nëpër shkolla.

Sipas studimeve, karakteristika kryesore e njerëzve që dhunojnë, është paaftësia. Një e treta e mësuesve u bërtet fëmijëve, në shkolla, në formën më të shpeshtë të mundur, duke i kërcënuar me forma nga më të ndryshmet. Kjo, tregon nivelin e lartë të përqindjes së mësuesve të paaftë, në sistemin shkollor. Kjo, lidhet sigurisht edhe me korrupsionin. Përgjatë punës time, në fushën antikorrupsion, kam realizuar dokumentarë televizivë (të cilët janë transmetuar nëpër disa televizione), ku mësues shprehen, se kanë paguar, nën dorë, miliona lekë, për të ushtruar profesionin. Një sistem arsimor, i bazuar mbi ryshfetin, sigurisht do të prodhojë figura të deformuara mësuesish, deformime në mësimdhënie, si dhe paaftësi serioze.

Një e treta e nxënësve perceptojnë pasiguri të niveleve të ndryshme, të cilat lidhen të gjitha, me përdorimin e dhunës fizike dhe psikologjike. Dhuna fizike dhe psikologjike është rritur ndjeshëm, duke kapur shifrat e 57% të fëmijëve, nëpër shkolla. Por, fatkeqësisht, fëmijët janë të prirë të denoncojnë më shumë dhunën, që ushtrojnë mbi ta, fëmijët e tjerë dhe më pak, të prirë të denoncojnë, dhunën e mësuesve. Ajo që mbetet problematike, është fakti që trajtimi i rasteve të denoncimit të dhunës, është i përciptë dhe mbi të gjitha nuk merret seriozisht.

Ndërkohë, legjislacioni shqiptar, nuk përcakton qartë, çfarë përbën dhunë psikologjike dhe nuk e trajton në mënyrë tërësore e të detajuar, të gjitha aspektet e dhunës kundër fëmijëve. Nëse për dhunën seksuale, si dhe për trafikimin e fëmijëve ka një paketë ligjesh dhe dispozitash specifike, për dhunën fizike dhe sidomos për dhunën emocionale, ligjet dhe dispozitat janë jotërësore, të padetajuara, të paadresuara specifikisht për fëmijët. Së pari, duhet të përcaktohet saktë, se çfarë konsiderohet dhunë psikologjike, në mënyrë që fëmijët, ta perceptojnë saktë, të reagojnë ndaj saj dhe ta denoncojnë atë. Legjislacioni shqiptar, duhet të mbulojë ligjërisht, të gjitha format e dhunës, në të gjitha mjediset, ku banon dhe mëson fëmija, që më pas të parashikojë masat e duhura ndëshkimore; dëmshpërblimin, kompensimin e viktimave të dhunës, etj. Ndërkohë, në Shqipëri, lidhur me trajtimin e të miturve, në sistemin gjyqësor, mungon Gjykata e të Miturve.

Kodi penal përmend vetëm masën e dënimit. Dy muaj, deri në tre vjet ndaj atij që ushtron dhunë fizike dhe psikologjike. Në pikën 3, të nenit 36, të dispozitave që përmendëm më sipër, theksohet e drejta e fëmijës për të mos u dhunuar psikologjikisht dhe emocionalisht, në lidhje me rezultatet mësimore. Këtu përfshihen mënyrat e vlerësimit të nxënësve dhe e drejta e tyre për t’u ankuar, në rastet, kur nxënësi mendon se, nuk është vlerësuar drejt nga mësuesi. Edhe në këtë rast, konceptimi i termit “dhunë emocionale” është i paspecifikuar. Nuk përcaktohet saktë, se çfarë përfshihet konkretisht në dhunën psikologjike. Gjithashtu, mungon edhe parashikimi i masave ndëshkuese, për ushtruesit e dhunës emocionale. Kjo përbën një zbrazëti të madhe, në kushtet kur dhunimi psikologjik i fëmijëve, shfaqet në përqindje mjaft të larta, si në shtëpi, në shkollë dhe në mjedise te tjera, veçanërisht, në kushtet kur toleranca për dhunën emocionale është më e madhe, si në rrafshin e mentaliteteve, ashtu edhe në praktikën e përditshme. Në Shqipëri, nuk ka ende struktura qeveritare, në nivel qendror e lokal, që të trajtojë në mënyrë parësore, të mirëfilltë dhe specifike problemin e dhunës tek fëmijët. Ende nuk ekzistojnë struktura të posaçme parlamentare, të cilat të merren specifikisht me dhunën kundër fëmijëve. Aktivitetet e organizatave shqiptare (me ndonjë përjashtim) lidhen përgjithësisht me gjeografi të kufizuara. Po ashtu, aktiviteti i tyre është i paorkestruar dhe si pasojë, shpesh krijohen dublime të panevojshme. Ndërkohë, veprimtaria e organizatave ndërkombëtare është e shtrirë, në një territor më të madh. Në përgjithësi, iniciativat e organizatave jo fitimprurëse, kanë të bëjnë me trajnimin e profesionistëve dhe të publikut për të parandaluar e trajtuar çështjet e dhunës, me këshillimin e tyre, me sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e publikut të gjerë, me anë publikimesh, me kryerjen e studimeve mbi të drejtat e fëmijëve dhe dhunën që ushtrohet mbi ta, me ofrimin e shërbimeve mbështetëse dhe avokatore, në ndonjë rast, edhe shërbime rehabilituese për fëmijët, etj. Por, ky rol është i paefektshëm, nëse nuk hartohen ligje të qarta, ku të përfshihen konkretisht rastet e dhunës psikologjike e fizike ndaj nxënësve, nëse nuk ndërmerren masa ligjore për të gjithë ushtruesit e dhunës psikologjike dhe fizike. Po shihet si domosdoshmëri ngritja e një sistemi, që do të merret me ankesat e fëmijëve, që vuajnë episode dhune në arsim dhe në institucione të kujdesit social; sistem për regjistrimin e të gjitha rasteve që përfshijnë dhunën në institucione arsimore, njësi këshillimore dhe rehabilitimi, që merren me rastet urgjente, ku ka dhunë ndaj fëmijëve. Specialistë të kurrikulave dhe shoqëria civile, po ngre si shqetësim kryesor, rishikimin e lëndëve shkollore, me qëllim që të pakësohet stresi tek mësuesit dhe nxënësit, si dhe të merren masa, për trajnim, lidhur me menaxhuesit e stresit. Një rol kyç në realizimin e saj do të luajë “elita intelektuale”, e cila do të marrë vlerë, më tepër se kurrë. Sot, në një bum informatik, ku gjithkush mund të hedhë dhe të marrë informacion, në një kompjuter, kjo elitë përzgjedhëse, seleksionuese, shkencërisht e saktë, është një domosdoshmëri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here