Libër për qytetin e gurtë/“Gjirokastër – Histori suksesi 2016”; Bordi përzgjedh 13 personazhet e para

0
208

 

 

kadareShkrimtari i shquar Ismail Kadare përgëzon organizatorët për projektin

 

Të paktën 13 personazhe ka miratuar Bordi i projektit “Gjirokastra – Histori suksesi 2015”, një projekt i Albanian Excellence, Agjencisë Telegrafike Shqiptare nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Gjirokastër dhe kryetares së Bashkisë së qytetit të gurtë, znj. Zamira Rami.

 

Libri i më të suksesshmëve

Anëtarët e Bordit, njerëz të njohur të qytetit nga fusha të ndryshme pas propozimeve përkatëse të bëra në mbledhjet e mëparshme, njohjes së personazheve, miratuan për të qenë në librin e suksesit në botë të qytetarëve të Gjirokastrës të ikur pas viteve ’90, figura të tilla të njohura, si: Bashkim Ahmeti piktor, Ervis Gega violiniste, Arben Xhixho gazetar, Agron Fico studiues, Edmond Angoni artist, Mumtaz Dhrami skulptor, Hari Papazisi mjek, Dhurarta Lazo pianiste, Aristotel Pano analist ekonomik, Geri Kokalari ekspert në komunikim, Mira Mezini informaticiene, Rigels Halili student i laureuar me çmim ndërkombëtar, Bujar Llapaj dirigjent. Ndërkohë, vazhdon puna nga anëtarët e Bordit për përzgjedhjen e personazheve të tjerë të spikatur në fusha të tjera, të cilët me dinjitetin e tyre profesional kanë ditur të ndërtojnë një histori suksesi atje ku ata jetojnë. Çdo gjë është mirëpërcaktuar nga ideatorët e këtij projekti, të cilët nënvizojnë se kriteret bazë të përzgjedhjes së personazheve që do të jenë në librin “Gjirokastër – Histori suksesi 2016”, është një CV profesionale e arrirë, të qenët aktivë në komunitetin shqiptar ku jetojnë, sikundër do të kihen parasysh rekomandimet nga njerëz të njohur të kandidatëve, apo edhe referimet që do t’u bëhen shkrimeve të ndryshme që janë botuar për këta personazhe apo edhe studimeve apo referateve të shkruar nga vetë personazheve, të cilat sipas shumë gjasave do të botohen krahas intervistave të këtyre personazheve dhe në librin “Gjirokastra – Histori suksesi 2016”.

 

Mbështetja e Kadaresë

Drejtuesit e projektit i njohën anëtarët e Bordit me takimin e zhvilluar pak ditë më parë të kryetares së Bashkisë Gjirokastër, znj. Zamira Rami dhe të stafit të Albanian Excellence, me shkrimtarin me famë botërore, Ismail Kadare, lindur ne Gjirokastër, i cili ndër të tjera dashamirësisht mbështeti këtë projekt, i cili evidenton vlerat njerëzore të qytetarëve gjirokastritë në botë. Një sërë aktivitetesh do të zhvillohen në Gjirokastër në kuadër të lindjes së shkrimtarit të madh, i cili më 28 janar 2016 mbush 80 vjeç. Deri më tani është menduar që në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh të organizohet edhe Ditët e Ekselencës Gjirokastrite, ditë e cila do ta vendosë qytetin e gurtë, pasuri botërore e UNESCO-s në qendër të vëmendjes së jetës sociale, politike dhe diplomatike në vend. Ashtu sikundër është vepruar dhe në qytetet e tjera ku është organizuar ky aktivitet, si në Vlorë, Berat, Fier, gjatë këtyre ditëve në Gjirokastër do të ftohen të vijnë, personazhet e librit “Gjirokastra – Histori suksesi 2016”, ndërsa do të organizohen edhe një sërë aktivitetesh të karakterit qytetar. Një mbrëmje Gala do të promovojë librin, parahyrja e të cilit do të shkruhet nga shkrimtari i madh Kadare, ndërsa në skenën e kësaj mbrëmje do të ngjiten personazhet e suksesit gjirokastrit në botë.

 

Çfarë është “Albanian Excellence”

“Albanian Excellence”, AE, e krijuar në fillim të vitit 2012 në formën juridike të qendrës, ka si qëllim të kontribuojë në prezantimin, evidentimin, promovimin dhe përkrahjen e shqiptarëve, që kanë arritur të integrohen profesionalisht në vendet ku kanë emigruar, apo ku aktualisht jetojnë dhe kanë treguar vlera të larta qytetare dhe arritje profesionale të larta; kanë ruajtur identitetin dhe kulturën shqiptare, kanë treguar një lidhje me atdheun e tyre.

Deri më tani, veç librit, “100 histori suksesi në 100-vjetorin e Pavarësisë”, i promovuar me një mbrëmje gala, në Teatrin e Operas dhe Baletit në nëntor 2012, në kuadrin e qëllimit të Albanian Excellence, janë botuar “Berati – Histori suksesi 2013”, “Fieri – Histori suksesi 2014”, “Vlora – histori suksesi 2014”, libra të cilat janë promovuar përmes një lëvizje qytetare, ku në qendër të saj kanë qenë personazhet e librave të ardhur enkas për këto evente nga vendet që jetojnë. Mbrëmja Gala, ka qenë eventi i cili ka promovuar librat përkatës, sikundër personazhet kanë qenë në qendër të saj me historitë e tyre të suksesit. Albanian Excellence është promotore e projektit për ndërtimin e vendkalimeve për invalidët, si dhe projektit për përdorimin e biçikletave, një lëvizje mbarëkombëtare, e cila është zhvilluar në Fier, Pogradec, Vlorë, Elbasan dhe në Korçë. Në proces është “Zonjat shqiptare në Nju Jork”, projekt i cili ka qëllim të evidentojë dhe prezantojë histori suksesi të grave të të gjithë hapësirës mbarëshqiptare në SHBA dhe konkretisht në Nju Jork, të cilat janë integruar profesionalisht dhe familjarisht në nje nga metropolet më të mëdha të botës. Ky projekt zhvillohet nën patronazhin personal të Presidentit të Republikës, Zoti Bujar Nishani. Po ashtu më 16 Dhjetor, në tre vjetorin e krijimit të saj, Albanian Excellence do të përzgjedhë gjatë një mbrëmje gala, për herë të parë, “Historitë e suksesit shqiptar për vitin 2015”. ATSH

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here