Çfarë po bëjmë për shqiptarët e eksodeve?!

0
141

 

 

albina DedaNga Albina Deda

 

 

Shqipëria po vuan krizën e brezit të mesëm nga eksodet biblike të post `90-ës dhe, sipas Eurostat-it, aty jetojnë mbi 1.2 milionë emigrantë, të cilët in extremis rrugëtim, kanë arritur të vetëm rezultate maksimale, ndërsa qeveritë shqiptare u mbeten atyre debitore për mosfirmosjen e marrëveshjeve mes shteteve për mbrojtjen shoqërore, sigurimet apo pensionet, që edhe ata të jenë sikur qytetarët evropianë.

 

Shqiptarët e eksodeve

Ata meritojnë tashmë vëmendjen primare të shtetit amë dhe opozita ofron mbështetjen e saj maksimale për të arritur deri në votimin parlamentar ligjet përkatëse si edhe realizimin e tyre me marrëveshjet me shtetet e Bashkimit Evropian, si edhe më gjerë. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, për mbrojtjen shoqërore”, i cili është pjesë e procesit të koordinimit të skemave të mbrojtjes shoqërore, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera, nuk duhet të mbetet i vetmi. Ky proces, është bërë i mundur falë marrëveshjes, “Për mbrojtjen shoqërore” me negociatat e nisura nga PD, e më pas u firmos më datë 17 mars 2015, në Shkup nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, si edhe nga homologu i tij maqedonas. Kjo marrëveshje, bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitimet dhe të ardhurat, si edhe garanton personat që lëvizin nga njeri vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit të ruajnë të drejtat e fituara apo që ata janë duke i fituar. Por, ajo që ka më shumë rëndësi dhe që prek një kategori të madhe qytetarësh nga të dyja vendet është mundësia që krijon për bashkimin e periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare, të cilat tashmë do merren në konsideratë, për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe përllogaritjen e tyre për pension pleqërie, të invaliditetit e familjeve, për personat e punësuar e të vetëpunësuar, për punëdhënësit si edhe të drejtën për të eksportuar përfitimet, atje ku ata jetojnë. Kjo marrëveshje është e treta e nënshkruar me vendet e Ballkanit, pasi më parë një gjë e tillë është bërë me Rumaninë e Kosovën. Marrëveshja zbatohet për skemën e sigurimeve shoqërore dhe konkretisht, për përfitimet në të holla, për: – sëmundjet, për personat e punësuar; – barrëlindjet, për personat e punësuar, të vetëpunësuar si edhe për punëdhënësit; – aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale. Për personat e punësuar; – pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, për personat e punësuar, të vetëpunësuar dhe punëdhënësit. Marrëveshja zbatohet edhe për përfitime nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore, të cilat jepen në formën e përfitimeve në natyrë, për subjektet përfituese të siguruara. Dispozitat për përfitimin në natyrë, përcaktojnë kushtet që personi duhet të ketë për të marrë të drejtën e kujdesit shëndetësor nga ana e institucionit ku edhe ka vendbanimin apo vendqëndrimin e tij, në masën, llojin, si edhe mënyrën e përfitimit, sipas dispozitave ligjore që janë të vlefshme për atë institucion, sikur të jetë i siguruar tek ai. Këta janë për një periudhë kohore të përcaktuar, sipas dispozitave ligjore që janë të vlefshme për institucionin kompetent, i cili edhe e ka përgjegjësinë e ofrimit të kujdesit shëndetësor, me kusht që: – të ketë vendbanim të përhershëm në territorin e palës tjetër. Gjendja e tij, gjatë kohës së vendqëndrimit te pala tjetër, të kërkojë ofrimin urgjent të ndihmës shëndetësore, por me kusht që personi të mos ketë shkuar atje për këtë qëllim. Këto dispozita, zbatohen edhe për anëtarin e familjes që ka vendbanim në territorin e palës tjetër. Numri i shqiptarëve me qëndrim të përkohshëm në Maqedoni është, 1468 persona. Emigrantët shqiptarë që kanë periudha sigurimi janë relativisht të rinj dhe duan të paktën, 6-10 vjet për të dalë në pension kështu që, efektet financiare do të fillojnë direkt pas kësaj periudhe. Kostot administrative për zbatimin e kësaj marrëveshjeje janë të pallogaritshme dhe mbulohen nga institucionet zbatuese të secilës palë. Mbi bazën e kësaj skeme, ka shkuar në 8 numri i marrëveshjeve të nënshkruara ku, përpos Gjermanisë dhe Çekisë, është zyrtarizuar bashkëpunimi edhe me Belgjikën, Luksemburgun, Hungarinë, Rumaninë, Kanadanë e Francën. Ne, deputetet e opozitës e përshëndesim marrëveshjen me Maqedoninë që përfshin rreth 1500 persona dhe e votuam pro, por i kërkojmë qeverisë të intensifikojë negociatat për mbrojtjen shoqërore të qytetarëve shqiptarë kudo jetojnë dhe duhet urgjentisht që ky problem të vihet si pikë kryesore në axhendën qeveritare, në të gjitha vizitat dypalëshe, sidomos me Italinë dhe Greqinë, në drejtim të garantimit të të drejtave të barabarta të qytetarëve shqiptarë. Të gjitha negociatat janë kryer në përqindjen më të madhe gjatë periudhës së qeverisjes nga Dr. Berisha. Me Italinë, nga nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe, do të mund të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë prej më shumë se dy dekadash, por edhe rreth 19.000 qytetarët italianë që aktualisht punojnë në Shqipëri. Sipas shifrave të MMSR-së, zyrtarisht në Itali nga 506 mijë emigrantë shqiptarë të regjistruar me letra të rregullta, 250 mijë janë kontribuues dhe taksapagues të rregullt. Nga këta, 210 mijë janë me kontrata të rregullta si të punësuar duke i paguar përafërsisht 3.1 miliardë euro taksa vjetore shtetit fqinj me rreth 40 mijë biznese, ata janë edhe të vetëpunësuar si ndërtues apo si artizanë, në bujqësi apo edhe me tregti. Rinia ka pushtuar bankat e dijës, ku rreth 130 mijë janë nxënës e studentë, ndërsa mbi 88 mijë janë fëmijë të lindur në Itali. Brezi i tretë aty me një moshë prej 60- 65 vjeç nuk janë më shumë sesa 29 mijë shqiptarë, por shumica e tyre kanë punuar aty apo jetojnë me fëmijët. Pra, edhe sikur sot të bëhet marrëveshja, maksimalisht përfitues do të jenë 29 mijë vetë, ndërkohë që kontribuojnë 250 mijë vetë në sistem. Pyetja që shtrohet nga ne është e thjeshtë, ligjvënësit dhe politika a duhet t’ua ofrojnë atyre këtë ligj dhe marrëveshje pasi këta emigrantë e presin nga shteti amë implementimin dhe zbatimin e ligjeve ndërkombëtare pa asnjë vonesë, direkt dhe me kosto në të ardhmen e tyre. Dikur në opozitë e majta, nëpër tubimet elektorale me premtimet e saj utopike dhe fotografitë me bojë uji ripremtonte parajsën për ta, por këtyre premtimeve shpejt ju doli boja, dhe tashmë Edi Rama po udhëton për ekspozitat personale ndërsa emigrantët dhe azilantët që presin nga kryeministri të firmosi marrëveshjet bilaterale të vonuara për të garantuar të ardhmen e tyre janë të zhgënjyer totalisht. Qeveria e Partisë Demokratike, me të ardhur në pushtet që në vitin 2006 bëri kërkesën zyrtare për të nisur bisedimet edhe me shtetin fqinj, Greqinë, për njohjen e pensioneve të emigrantëve apo edhe më gjerë, mbrojtjen shoqërore, por ende nuk i kemi negociatat zyrtare në vazhdim. Instituti i Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë, duke pasur parasysh se në Greqi është numri më i madh i emigrantëve shqiptarë me rreth 680 mijë ka insistuar deri në 2013 e në vazhdimësi që këto marrëdhënie të zyrtarizohen, por sot përse po heshtet? Dhe për këtë opozita është gati të bashkëpunojë intensivisht dhe me procedurë të përshpejtuar që ky problem të përfundojë njëherë e mirë. Por çfarë ka bërë Qeveria juaj pasi mori votat edhe të emigrantëve që i sollët me autobusë dhe avionë, po sot konkretisht ku jeni ju dhe çfarë po ju pengon të mos e vazhdoni punën e nisur me hapa konkretë. Qeveria e tenderëve dhe fasadës shpejt u vyshk sikur gjethet e vjeshtës apo e fiqve, me mashtrimet në fushatë pikërisht për njohjen e pensioneve për emigrantët në Greqi dhe Itali ku jetojnë mbi 94% e migracionit shqiptar post 1990-ës, ato do të mbeten vetëm “Revista televizive e mbrëmjes”, me lajmet e humorit, na ishte njëherë, RILINDJA ! Në mbledhjen e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ku edhe u diskutua rreth projektligjit, për marrëveshjen me Maqedoninë, për mbrojtjen shoqërore, ne deputetët e opozitës e ngritëm shqetësimin që, ky pr.ligj nuk parashikon efektet financiare për buxhetin e shtetit për sigurimet shëndetësore, kushtet për përfitimin si edhe sa përfitojnë nga skema e sigurimeve shëndetësore, (nëse e përfitojnë paketën e plotë, apo vetëm urgjencat). Shqetësues është fakti që kjo çështje nuk është as në axhendën e diskutimeve bilaterale me këto vende fqinje, siç ishte edhe rasti i vizitës së ministrit të Jashtëm grek, i cili e vlerësoi si gjithmonë punën e pa paguar dhe të vlerësuar të emigrantëve shqiptarë në Greqi, sepse normalisht atij nuk i pëlqeu të përmendte njohjen e pensioneve, a thua emigrantët grekë jetojnë me të tilla kushte në mbarë globin dhe nuk e përfitojnë të drejtën e sigurimit dhe të pensionit?! Normale mbetet për ta, por edhe minus i madh për ne, pasi shefin e kabinetit të Ministrisë së Jashtme e thërresin për të kryer shërbimin ushtarak ne Greqi, edhe pse të mos kujtojnë ata se jemi edhe ne të gjithë ushtarët e tij…?!

 

Rilindje që harron emigrantët

Kjo mazhorancë numrash, por jo më e moralit qytetar, kujtohet për emigrantet vetëm në periudha zgjedhore kur mbushte autobusët dhe avionët e i sillnin ata vetëm për votat, por më pas as që mendojnë dhe veprojnë me instrumentet e shtetit me të vetmin problem që ata kanë, sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve dhe të së ardhmes së fëmijëve të tyre. Kjo qeveri që premtoi 300 mijë vende pune, u ka afruar punësimin si azilantë, e jo më të kujdeset për emigrantët e parë, të cilët me remitancat e tyre po mbajnë akoma frymën gjallë të familjeve duke u mbyllur minimumin jetik prej 24 vjetësh. Erion Veliaj, i solli militantët me autobusë dhe u premtoi madje edhe votimin elektronik, por 80 mijë shqiptarë që flejnë kampeve të azilive në Gjermani dhe në mbarë Evropën si edhe plus 200-mijë aplikantët për lotarinë USA nuk janë 300-mijë vende pune dhe RILINDJE, por braktisje dhe lamtumire e brezit të ri e të pashpresë në kërkim të mbijetesës. Nuk duhen lënë në harresë edhe pensionistët që i keni braktisur dhe jo vetëm që nuk u rritet pensionin, por me masat drastike që ju ndërmorët me binomin tuaj, reformë-tender, vetëm sa jua keni vështirësuar jetesën, duke na rikthyer errësirën dhe skamjen, e ku sot shumica e pensionistëve jetojnë tashmë në mjerim. Vetëvrasjet po kalojnë shifrën 200, por ju as ju bëhet vonë për këto akuza direkte që populli ka kalon në krizë jete deri në vetëmohim. Për të arritur rezultatet e qeverisjes së PD-së për pensionet në qytetet, do të duhen, 26-vite me këto ritme breshke të rritjes së nivelit të pensionit, dhe për fshatin do të duhen 70 vjet. Breshkat e Ramës në Bashkinë e Tiranës po na dalin zyrave si udhërrëfyese të karvanit tuaj me dy drejtues, çiftin e ZI të 21-Janarit 2011, aty ku live para botës Ju, në emër të korrupsionit akuzuat Metën, dogjët gjithçka dhe ku humbën jetën edhe 4-protestues të pafajshëm, por me Tadiçin në Shkodër i mbyllët në 1-prill pazaret me zotin krim dhe zonjën vdekje na u martuat dhe sot nuk ndaheni dot për hir të fëmijëve, sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe po ndodh. Kjo qeveri nuk ka database të qytetarëve të saj, duke i lënë ata qëllimisht të braktisur dhe me status jetimi ilegal e anonim në kohën e lundrimit në internet, arsyeja, që populli mos të dijë më se ku jetojnë dhe mos ti kërkojmë llogari shtetit. Nuk ka statistika par ata që kanë ikur këtë vit si azilantë, sepse qeveria nuk e pranon fenomenin pasi nuk mundet ta pranojë që çereku i popullsisë aktive për punë do të emigrojë sërish për mbijetesë, madje Tahiri i drogës, replikon me homologun gjerman se; ata që vijnë tek ju janë shqiptarë të Greqisë, pasi udhëtojnë prej saj…?!

 

Një ministër i Jashtëm turist

Ministri i Jashtëm Bushati nuk takon emigrantët, por bën fundjava turistike në Argjentinë gjoja për të lobuar për Kosovën në UNESCO, dhe çfarë morëm si komb prej saj; dështimin si shpagim të pamerituar për të gjithë shqiptarët patriotë që u fyen pas këtij turpërimi historik të diplomacisë tonë naive. Mijëra euro bileta udhëtime e hotele luksi të shkuara dëm, e dështimi kthehet në shtim oreksi vetëm për tenderë dhe abuzimesh miliardadollarëshe e të tjera skandale. Çfarë shërbimi shëndetësor ju ofrojmë ne, kur skemën e sigurimeve shëndetësore ju po e zhbëni e po e vidhni me drejtorët dhe farmacitë që në grup po arrestohen, por edhe pse në masë arresti, ato fitojnë tenderë 5 milionë $? Skandalet Tuaja në mjekësi nuk po kanë fund, sa edhe gazetat e televizionet nuk po i mbajnë dot pa i denoncuar, me gjithë kontrollet dhe ligjet për burgosje të fjalës së lirë që po doni ta kaloni në fshehtësi. Krimet tuaja nuk kanë të numëruar, aq sa ju po kërkoni deri në pushimet kolektive nëpër spitalet ndaj specialistëve dekadorë me militantët e miellit dhe mbajtës së flamurit partiak. Ju doni ti këmbeni specialistët sikur fëmijët që luajnë me lodrat e tyre, që i japin dhe i marrin ato më njëri-tjetrin, jo, kjo sduhet të ndodhi në atë sektor jetik, dhe protestat janë replika e vetme që u keni lënë në duar jo vetëm atyre, por edhe popullit që nuk do të shkojë në duar militantësh për shëndetin e tij dhe të fëmijëve. Ato janë specialistë dhe jo militantë, ata shërojnë njerëz dhe japin jetë njerëzish jo vota, ndërsa ju kërkoni ti zëvendësoni ata me militantët se ju dhanë votat? Jeta e njerëzve, për ju vlen sa karrigia e përkohshme e pushtetit, kjo është shenja e barazimit për Ju pusht-etarë…?! Turp dhe fatalitet të luash me jetën për pushtet. Pas skandalit me recetat fiktive, plot 35 mijë, me vlerën 2.2 mil dollarë, si nënë mjeke dhe deputete, i bëj thirrje KLSH-së, të bëj objekt kontrolli Hemodializën, paketat e hemodializës që Beqaj i tenderoi në privat dhe tani po ja kalon koncensionarit. Pra me, qartë, rimbursimi me pacientët që bëjnë hemodializën me 13 seanca në muaj dhe vlerë rreth 11000 lekë secila seance, pra rreth 1.5 mil lekë cikli mujor, pa llogaritur rrugëtimin dhe stresin e ankthin, këtë shërbim falas ju keni premtuar ju RILINDJA…?! Këtu abuzimet tuaja unë jua siguroj se do kenë vlera edhe më të mëdha sesa recetat fiktive, tashmë në proces gjykimi nga drejtësia që pritet të jetë në dilemën e saj ndaj mafies me bluza të bardha. Çdo faturë që fondi rimburson sot është e paraakorduar dhe e likujduar në vlera shumëfish reales, pasi mekanizmat e kontrollit janë zhbëre qëllimisht duke u bërë si “radarët e Mrikës”. Kur fiken radarët “punojnë bashkë” Mimkat dhe çimkat, që pickojnë trupin shëndetlig të pacientit popull, dhe më pas fjalën e ka Tahiri me kushot e Audit A8 për destinacionin e sigurt të drogës që po qelb Evropën mbarë. Kur qëllimisht fiket sistemi online i farmacive dhe i Fondit të Beqajt, punonin “Beqaj me klietelistët e Ramës”, dhe me urdhërporosi të Ramës milionat zhduken matanë oqeanit. Ora e gjykimit të drejtësisë ligjore po vonon për Ju, RILINDAS, por ora e revoltës popullore nëse ajo nuk vepron shpejt po ofron, dhe ajo orë më pas po u kurdis, nuk ka më zot që ta frenojë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here