“A I DINI EMRAT E DHJETË SHKRIMTARËVE SHQIPTARË TË KOSOVËS?”

0
587

 

Shkrimtarët shqiptarë të Kosovës janë fshehur nga publiku, rrinë si në faj dhe vazhdojnë njëfarë autokomunikimi absurd, lexojnë vetëm atë që e shkruajnë vetë. Duket sikur u është bjerrë guximi, u janë bjerrë idealet.

 

mk

Milazim KRASNIQI

Një pyetje që ua bëra studentëve të vitit të tretë në lëndën Hyrje në letërsi, në dukje e thjesht, e kuptueshme dhe e natyrshme, u shndërrua në siklet për të gjithë ne në atë sallë. Gjatë diskutimit me studentët lidhur me rolin e shkrimtarit në shoqëri, u kërkova që i gjithë grupi prej kund shtatëdhjetë vetash sa ishin në ligjëratë, të gjenin e t’i numëronin emrat e dhjetë shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës. Pasoi një heshtje, një topitje, një gjendje e mundimshme. Askush nuk dinte ndonjë emër të një shkrimtari shqiptarë të Kosovës, përpos emrit të mësimdhënësit të tyre dhe të një asistenti të lëndës. Në fillim m’u duk e pabesueshme, më shumë si një trill studentësh që nganjëherë si pa të keq duan të të vënë në lojë, sepse sikundër që një mësimdhënës i studion reagimet e tyre, po ashtu edhe ata mund ta kenë prirjen ta studiojnë reagimin e mësimdhënësit në situatat e pakëndshme, ku ai gjendet pa pritur. Por, shpejt e kuptova që këtu nuk kishte kurrfarë trilli, kurrfarë loje, kurrfarë studimi. Ata thjesht nuk i dinin, jo dhjetë po faktikisht nuk e dinin as edhe një emër të një shkrimtari shqiptarë të Kosovës.

Nuk po arrija ta kuptoja si ishte e mundur kjo gjë, kur dihet botërisht se në librat e letërsisë të shkollave fillore dhe të mesme, figurojnë emrat e një dyzinë shkrimtarësh shqiptarë të Kosovës, ndonëse kryesisht disa shkrimtarë që i kanë hartuar vetë tekstet shkollore, që i përkasin rrethit të hartuesve, ose e pakta, që janë anëtarë të partisë që ka hartuar politikat e arsimit fillor dhe të mesëm ndër vite. Rezulton se ato përmbajtje nxënësit nuk i kanë lexuar, ose i kanë lexuar aq shkel e shko, sa as emrin e autorëve nuk e kanë mbajtur mend. Në këtë aspekt edhe nuk mund t’u vësh ndonjë faj nxënësve që refuzojnë të lexojnë ato përmbajtje mediokre e t’i njohin ata gjysmëshkrimtarë, që kanë hyrë në librat shkollorë, jo për vlerat e veprave të tyre, po për afrinë që kanë me hartuesit ose me zyrtarët e ministrisë së arsimit. Por, përtej programeve të tilla shkollore që promovojnë pseudovlerën e madje edhe antivlerën, të rinjtë shkollarë që synojnë të studiojnë në universitete, do të duhej të ishin kurreshtarë e të gjenin ndonjë autorë të vërtetë të letërsisë së shtetit të vet. Sigurisht, edhe shkrimtarët e vërtetë të letërsisë së tyre kombëtare, pra në gjithë përmasat gjeografike e historike të kësaj letërsie. Por, duhet ta pranojmë se për ta zgjeruar nxënësit kureshtjen e leximit të autorëve jashtë programit zyrtar, do të duhej të merrnin frymëzime e nxitje nga profesorët dhe nga prindërit e vet, mbase edhe nga mediet. Në mungesë të këtij frymëzimi e të kësaj nxitjeje, ata vijnë në universitete me dije të kufizuara nga letërsia në tërësi e nga letërsia kombëtare dhe e shtetit të tyre në veçanti. Në atë moshë, kur si studentë u duket se janë të pavarur nga detyrimet, nga këshillat e nga urdhrat, u krijohet edhe njëfarë prirjeje që ta injorojnë nga pak kulturën dhe letërsinë e vendit dhe të kombit të vet e të shtiren se gjoja kanë njohuri nga “trendkultura” përkatësisht nga striptiz-kultura. Faktikisht, kjo është simptomë e avancimit të procesit të tjetërsimit kulturor, (i cili fillon nga mosleximi në shkollën fillore dhe në shkollën e mesme) me ç’rast shumë të rinj përpiqen edhe të imitojnë të tjerët, të përvetësojnë vlerat e kulturave të tjera, kryesisht pseudovlerat. Futja në këtë çark, mund ta bëjë të pakthyeshme shkëputjen nga kultura dhe letërsia nacionale, e cila e shikuar nga një këndvështrim i tillë simplist e hedonist, duket edhe më primitive, edhe më jashtë kohës e hapësirës, edhe më demodé. Kështu ndodhë në shumë raste të tjetërsimit kulturor, ndërsa në rastin konkret të studentëve, që nuk dinin asnjë emër të shkrimtarëve të Kosovës, nuk janë në faza të tilla. Te ajo mosnjoheje e plotë e letërsisë shqipe të vendit të vet këta studentë duket se kanë ardhur nga rrugë të tjera. Rrugën ua kanë trasuar politikat e mbrapshta në fushën e arsimit, por edhe vetë abstenimi i pakuptueshëm i shkrimtarëve të Kosovës në këto vite të lirisë e të pavarësisë. Si do që të jetë, rezultati mbetet i njëjtë, një mosnjohje totale e letërsisë shqipe të Kosovës, një shkëputje totale nga komunikimi me anën e artit letrar të shkruar shqip në këtë vend. Por, së paku është më mirë që shkaku të jetë te politikat e mbrapshta në fushën e arsimit dhe te sjelljet e deformuara të vetë shkrimtarëve, se sa te ndonjë bojkotim, që do të vinte si pasojë e tjetërsimit kulturor e kombëtar. Letërsia në të dyja rastet është dhe mbetet ashtu si e ka definuar Jurij Llotmani, “një nga mjetet e komunikimit”. Si një mjet komunikimi, edhe letërsia shqipe e Kosovës do të duhej të bartte një sasi të konsiderueshme informacioni te publiku (në këtë rast edhe te studentët tanë), të cilën nuk mund ta gjejnë as në informatat që prodhojnë mediet, as në ato që prodhon politika, as shoqëria civile ose kushdo qoftë tjetër. Atë informacion që e ofron letërsia shqiptare, (letërsia e mirëfilltë shqiptare, e cila sado e pakët që të jetë, prapë se prapë ekziston) për njeriun shqiptar dhe për shoqërinë shqiptare, nuk arrin ta prodhojë asnjë medium tjetër. Si e tillë, kjo letërsi ka vlerë konkrete njohjeje për lexuesin shqiptar, pra që ai ta njohë veten edhe përmjet saj, ta njohë shoqërinë e vet, kombin e vet, pra, përmjet një forme specifike të shprehjes dhe përmjet përjetimit estetik që e ofron vetëm teksti artistik. Sikundër mund të shihet, në asnjë rast nuk po flas për prodhim patriotizmi me anën e letërsisë shqipe. Idetë dhe mesazhet e vlerave patriotike fare mirë mund të merren edhe nga letërsitë e tjera kombëtare dhe nga shkrimtarë që nuk i përkasin kombit tonë. Pra, e kemi fjalën për njohjen sa më konkrete të vetes, duke shfrytëzuar shërbimet e një mjeti të komunikimit, sikundër është letërsia, si strukturim artistik i një bote konkrete dhe të papërsëritshme. E pra, pse po refuzohet kaq fort nga publiku (duke përfshirë në plan të parë studentët e përfshirë në këtë tregim) ky shërbim i kësaj letërsie, e cila mund të mos jetë më e mira, ndoshta as shumë elegante, por prapë është një ofertë e krijuar tërësisht në gjuhën tonë? Mund të ketë edhe shkaqe të fshehura, që duhet të zbulohen me anën e analizës kritike të gjendjes së shoqërisë, po edhe të vetë rolit të shkrimtarëve. Fjala vjen, mos ka ndodhur që para se publiku ta refuzojë këtë letërsi, vetë shkrimtarët shqiptarë të Kosovës, e kanë refuzuar publikun, ose duke injoruar shijen e tij, ose duke e nëpërkëmbur gjendjen e tij, në një kohë kur ai ishte në zgrip të ekzistencës dhe kur ka pasur më shumë nevojë për ndihmën e shkrimtarit, ndërsa ajo ndihmë prej tij nuk i është ofruar në mënyrë adekuate? Fjala vjen, në deceniet e para të jetës së shqiptarëve nën terrorin e ideologjisë dhe praktikës komuniste jugosllave, shkrimtarët shqiptarë të asaj kohe, me shumicë absolute, janë bërë vegla të regjimit, kanë folur e kanë shkruar brenda shemave ideologjike e politike e nuk kanë arritur ta përjetësojnë artistikisht vuajtjen e njeriut shqiptarë të kësaj hapësire. Kjo gjendje ka zgjatur rreth tre decenie. Vetëm në vitet tetëdhjetë, kur filloi zhgënjimi kolektiv me “vëllazërim-bashkimin” e jugosllavizmin, pati filluar një shqiptarizim i tematikave të disa veprave artistike që shkruheshin në gjuhën shqipe në Kosovë. Kjo është koha lexuesi shqiptar edhe e zbulon dhe fillon të identifikohet me letërsinë shqipe të Kosovës, ndonëse ajo ende nuk ishte plotësisht e çliruar nga dogmat ideologjike dhe nga ndikimet stilistike të letërsive jugosllave. Por, në këto vite letërsia shqipe filloi të ngrihej në një medium, që kishte një ndikim, që ofronte një përgjigje, që bëhej pjesë përbërëse, jo vetëm e emancipimit estetik, po edhe e mobilizimit nacional. Mjafton të kujtohen orët letrare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku salla e madhe dhe solemne asnjëherë nuk e zinte brenda as gjysmën e publikut, shumica absolute e të cilëve ishin studentë. (Atyre studentëve nuk do t’u ndodhte të mos i dinin emrat e shumë shkrimtarëve, që i shihnin aty.) Por, ky funksion mobilizues i shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës dhe i letërsisë së tyre, ndodhi për herë të parë e të fundit, sepse në vitet nëntëdhjetë shumë prej shkrimtarëve të njohur, u bënë politikanë dhe ofruan shërbimet e veta si politikanë, si veprimtarë, si atdhetarë, duke braktisur vokacionin e shkrimtarëve (Disa u tërhoqën krejt nga jeta publike). Shkaqet e ndryshimit të kursit të angazhimit të shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës kanë qenë që atëherë të kuptueshme e janë edhe sot, por pasojat kanë mbetur të pariparueshme. Prandaj, një periudhë dramatike e jetës së shqiptarëve të Kosovës u kalua faktikisht pa ndikimin e letërsisë, e cila do të mund të ishte një mjet komunikimi që do t’u ofronte ndonjë përgjigje për dilemat e tyre tejhamletiane. Fatkeqësisht, letërsia e viteve nëntëdhjetë nuk e pati dhënë atë përgjigje, ndonëse ende shtirej se e bënte njëfarë përpjekjeje dhe madje mbahej më të madh, por kjo vinte më shumë si pasojë e statusit të ri të shkrimtarëve si atdhetarë, e jo si shkrimtarë. Prandaj, letërsia shqipe e Kosovës e viteve nëntëdhjetë nuk u bë zëri autentik as i ikanakëve që morën botën në sy që të shpëtonin nga varfëria dhe nga dhuna e pushtuesit serb, as i atyre që mbeten dhe që duke qëndruar, vuajtën shumë, u terrorizuan dhe u masakruan barbarisht nga pushtuesi serb. Kjo letërsi nuk dha ndonjë përgjigje të vyer as për martirizimin dhe heroizimin e shumë shqiptarëve, në ëndrrën e tyre për liri. Ndërsa, pas çlirimit, kjo letërsi, pothuajse dezertoi krejt nga misioni i saj. As nuk i denoncoi me personazhe që do të mbaheshin mend kriminelët e mujsharët, as i mbrojti me personazhe mbresëlënëse të traumatizuarit në liri. Thjesht, bëri hipokritin dhe tash po e paguan çmimin, me injorim nga lexuesi. Shumica absolute e shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës, sot janë fshehur nga publiku, rrinë si në faj dhe vazhdojnë njëfarë autokomunikimi absurd, lexojnë vetëm atë që shkruajnë vetë. Duket sikur u është bjerrë guximi, u janë bjerrë idealet. (Në i kanë pasur ndonjëherë.) Nga ana tjetër, disave që më shumë se shkrimtarë janë thjesht injorantë, u është rritur kapardisja, krekosja. Rrahin gjoks se na qenkëshin alamet shkrimtarësh, pa dyshuar aspak në janë vërtet të tillë. Mbase këtu është rasti t’ua kujtojmë këtyre injorantëve mendimin tronditës të Elias Kanetit, lidhur me misionin e shkrimtarit: “Sot s’mund të quhet shkrimtar askush që nuk dyshon seriozisht në të drejtën e vet për të qenë i tillë. Ai që nuk arrin ta shoh gjendjen e botës ku jeton, zor se mund të thotë ndonjë gjë rreth saj”. Po të përcjellësh mizërinë e të kapardisurve si gjoja shkrimtarë në njërën anë dhe heshtjen funebre që ka kapluar jetën e shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës në përgjithësi, me asociacione të shkatërruara, me botime të provincializuara, me fshehje nga ballafaqimi me politikën, me fshehje që të mos i zënë askund dritat e kamerave, ku do të mund ta thoshin një mendim që buron nga misioni i mirëfilltë i shkrimtarit, bindesh se kjo heshtje funebre në fakt më shumë është një vdekje klinike e shkrimtarit të këtij vendi. Shkrimtari që nuk merr përgjegjësi, klinikisht është i vdekur, ndonëse fizikisht mund të jetë i gjallë. Kaneti thotë edhe këto fjalë goditëse: “Shkrimtar mund të jetë vetëm ai që ndien përgjegjësi, megjithëse ka të ngjarë që në veprimet e tij të veçanta e tregon këtë fare pak më shumë se të tjerët. Kjo është një përgjegjësi për jetën që po rrënohet dhe njeriut s’duhet t’i vijë trup të thotë se kjo përgjegjësi ushqehet nga dhembshuria, e cila s’ka vlerë nëse shpallet si ndjenjë e përgjithshme dhe e papërcaktuar”. Aso dhembshurish të përgjithshme e të papërcaktuara, me përmbajtje si nga dynja të tjera, kanë përmbytur tashmë letërsinë shqipe të Kosovës, veçmas të këtyre viteve në liri. Ndërsa, mungon fytyra e shumëvuajtur e shqiptarit konkret, jeta e të cilit u dhunua përgjatë robërive të gjata, por po dhunohet konkretisht e brutalisht edhe në liri. Për ta njohur këtë fytyrë tonën të mbushur kultere nga vuajtja, do të duhej të na ndihmonte letërsia e sotme shqipe. Nëse ajo e injoron edhe më tutje këtë nevojë të publikut, të njeriut shqiptar, atëherë pse duhet të hidhërohemi ne si gjoja shkrimtarë, që publiku, njeriu shqiptar, po na e injoron këtë letërsi, e cila atij nuk po ia kumton atë kumt që ai prêt prej saj. Prandaj, ajo pyetja që u bëra studentëve, për emrat e dhjetë shkrimtarë të Kosovës, edhe pse mungesa e tillë e përgjigjes nuk mund të arsyetohet me asgjë, madje as me librat e dobët shkollorë të shkollave fillore e të mesme, ndoshta ishte më mirë të mos bëhej fare. Ajo mungesë e plotë e përgjigjes nuk përmirëson asgjë. Por, edhe mund të na ndihmojë të kuptojmë diçka: mund ta kuptojmë se edhe padituria konkrete është simptomë e një disfate shumë më të thellë e më afatgjatë kulturore, shoqërore, kombëtare e madje edhe morale. Në rend të parë të shkrimtarëve. Pas tyre edhe e të gjithë të tjerëve. Por, pas tyre.

Në Prishtinë, 31 tetor 2015

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here