Debati në Parlament/ Beqaj i thotë “kafshë” demokrates Deda, më pas i kërkon falje publike. PD kërkoi përjashtimin

0
138

 

beqaj-dedaDebati në Parlament, ashtu siç shpesh ka ndodhur kohët e fundit, ka degjeneruar sërish në punimet e djeshme me fjalë fyese që të paktën duhet të evitohen të përdoren në “tempullin e demokracisë”. Ka mjaftuar replika mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Shëndetësisë për rastin e fëmijës Kristi Maze, i cili vuan një problem në mëlçi, që Ilir Beqaj ta quante “kafshë” deputeten demokrate Albina Deda. Kjo e fundit ngriti në Parlament shqetësimin e djaloshit 10-vjeçar, duke kërkuar ndihmë me lëvrin e fondit për të ndihmuar në transplantin e mëlçisë. Por ministri tha se djali ishte në listën e pritjes dhe se rasti nuk zgjidhet me transplant të pjesshëm. Në një moment ndërsa Deda po fliste nga karrigia e saj, ministri Beqaj ndërhyri dhe jashtë mikrofonit duke përdorur etiketimin “kafshë”. Kjo bëri që deputetja të kërkojë ndërprerjen e seancës dhe t’i kërkojë kuvendit mbledhjen e Byrosë për të marrë masa ndaj ministrit ose të kërkojë falje publike. “Nuk ka seancë pa ardhur ministri me më kërku falje. Byroja e Kuvendit të mblidhet të marrë masë. Fjala kafshë në sallën e Parlamentit nuk është e duhur”, – tha Deda. Në mbështetje të saj janë ngritur dhe deputetët e tjerë të opozitës. “Kërkoj mbledhjen e byrosë parlamentare dhe marrjen e masave ndaj ministrit Beqaj”, – tha Tabaku, ndërsa Jozefina Topalli kërkoi përjashtimin e tij. Në këto kushte nënkryetari i Kuvendit Edmond Spaho urdhëroi ndërprerjen e seancës duke shtuar se kërkesën e PD-së do e përcillte tek Byroja e Kuvendit. Në orën 12:30 u mblodh Byroja e kuvendit dhe opozita kërkoi përjashtimin me një javë nga Kuvendi të ministrit Beqaj. Por shumica në Byronë e Kuvendit rrëzoi kërkesën e PD-së duke pretenduar se Beqaj është ministër dhe nuk është deputet dhe Byroja nuk ka bazë ligjore për përjashtimin e një ministri. Pas rikthimit të punimeve të seancës parlamentare, kreu i grupit të PD-së Edi Paloka nga foltorja kërkoi që ministri të kërkojë ndjesë publike, ndryshe seanca nuk do të vijonte më tutje. Kjo ndjesë publike nuk vonoi dhe ministri pasi mori fjalën pohoi: “I kërkoj ndjesë Albina Dedës për fjalën e pahijshme. Sigurisht që janë fjalë që nuk duhen përdorur në Parlament. Por dhe unë njeri i gjallë në vazhdën e fyerjeve të përsëritura e tejkalova. Znj. Deda edhe një herë ndjesë”, – tha ai.

 

Debati i plotë

Beqaj: Më vjen keq që mjekë të grupit tuaj parlamentar, me vetëdije bëhen pjesë e kësaj loje. Një mjek është në gjendje ta kuptoj që ai rast nuk zgjidhet me transpalent të pjesshëm, zgjidhet me transplant të plotë.

Deda: Dua t’i them ministrit se këtu është shtëpia e gjithë shqiptarëve dhe nuk mund të bësh cinizma as propagandë. Nuk jeni njeri human, nuk njiheni për këtë. Nuk jeni ndonjë njeri që keni mëshirë, jeni njerëz të pamëshirshëm, jeni fokusuar të vjedhjet, hajdutëria.

Beqaj pa mikrofon: Je doktoreshë vetë, nuk bëhet me transplant të pjesshëm, kafshë.

Deda: Ju ua keni mbyllur derën qytetarëve shqiptarë dhe me këtë fjalor. Ministri i Shëndetësisë në vazhdën e fyerjeve të Kryeministrit i cili e quan opozitën dele, ky nuk mund ti quajë opozitarët kafshë sepse ne jemi këtu zëri i qytetarëve.

A.Halimi: Turqia është e vërtetë që nuk merr në konsideratë transplantin e pjesshëm, por ekzistojnë vende të tjera që e marrin në konsideratë që është Gjermania dhe Anglia.

  1. Deda nga foltorja: Absolutisht nuk ka seancë pa ardhur ministri me kërku falje këtu.

Tabaku: Në emër të grupit të Partisë Demokratike i kërkojmë kryesisë së Kuvendit të mblidhet dhe të marrë masa për deputetin Beqaj për ofendimin që i bëri zonjës Albina Deda.

Spaho: Kërkesën tuaj do ta përcjell dhe do të kërkoj që Kryesia të shqyrtojë këtë çështje për ofendimin.

Topalli: Rregullorja e Kuvendit kërkon që të ndërpritet seanca plenare, të thirret byroja dhe të merret vendimi për të përjashtuar deputetin që fyen një zonjë në parlament.

Spaho: Ndërpresim seancën për 10 minuta, për të paraqitur kërkesën tuaj.

Tahiri, Spahos: Ku je?

Spaho: Jam te kushërinjtë e tu në Vlorë, tek vëllezërit Abilaj.

Tahiri: A e ndërpreve?

Pas rikthimit të punimeve të seancës

Beqaj: Kërkoj ndjesë Albina Dedës për fjalën e pahijshme. Por dhe unë njeri i gjallë në vazhdën e fyerjeve të përsëritura e tejkalova. Znj.Deda edhe një herë ndjesë

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here