Kosova në MSA: përfitime dhe obligime

0
140

 

 

European-commisionMarrëveshja për Stabilizim-Asocim, e cila është nënshkruar të martën në Strasburg, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, është e rëndësishme për Kosovën, për shkak se hap dialogun politik dhe përfshin bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në fushën e sundimit të ligjit, të tregtisë, edukimit, punësimit, energjetikës, mbrojtjes së ambientit etj. Por nënshkrimi i MSA-së është vetëm akti formal, rruga që ka Kosova përpara drejt Brukselit është mjaft e gjatë dhe me shumë pengesa. Ndaj, ky impuls i ri që vjen nga Brukseli në Prishtinë, duhet kuptuar nga elita politike në vend si një përgjegjësi më shumë kundrejt partnerëve në BE e veçanërisht kundrejt qytetarëve të Kosovës. Ndonëse integrimi në strukturat e BE-së nuk është i vetëkuptuesëm pas një akti nënshkrimi. Duket se është një punë e gjatë dhe e vështirë në realizimin e reformave të qëndrueshme; luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit në drejtësi e në administratë, konsolidimi i shtetit ligjor dhe pavarësia e medias, për të cilat tërheq vëmendjen BE-ja. Nga ana tjetër, shtetasit e Kosovës janë ndërkohë të vetmit në Ballkanin Perëndimor, që nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa viza në Evropë. Por sipas vlerësimeve nga Brukseli, së shpejti kosovarët do ta gëzojnë edhe këtë të drejtë. Një ndër detyrimet më delikate që dalin para Kosovës në këtë kontekst është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe respektimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuara nga Brukseli. Rruga është e pakthyeshme dhe kompromiset janë të pashmangshme, qofshin ato ndonjëherë edhe të dhimbshme. Një detyrë imediate për t’iu afruar standardeve të BE-së është tani për Kosovën konsolidimi i jetës parlamentare. Nga ana tjetër, Kosova e cilëson si historike MSA-në me BE-në. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerëson se përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA), Kosova nisi rrugëtimin e saj të pakthyeshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas saj, ky përparim është rezultat i reformave të përmbushura dhe konsensusit të gjerë shoqëror dhe politik që gëzon agjenda evropiane në Kosovë. “Kosova vendosi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, marrëdhënie kjo me të drejta dhe detyrime të ndërsjella. Kjo marrëveshje do të ndihmojë në zbatimin e reformave në shumë sektorë, si dhe do thellojë dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Përfitimet e Kosovës janë të shumta, sidomos në nxitjen e investimeve të jashtme dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit”, – u shpreh presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Nënshkrimi i MSA-së është vlerësuar si historik edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila thotë se kjo marrëveshje krijon kushte të një ekonomie funksionale të tregut. “OEK vlerëson se nënshkrimi i MSA-së paraqet njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe e konsideron si kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e kushteve për të bërit biznes dhe për përshpejtimin e proceseve integruese edhe në rrafshin ekonomik. Nënshkrimi i MSA-së është gjithashtu edhe një hap i rëndësishëm në forcimin e konkurrueshmërisë së kompanive vendase dhe krijon kushte më të volitshme për pjesëmarrjen e tyre në tregun ndërkombëtar”, – shprehet Oda Ekonomike e Kosovës. Nënshkrimi i MSA-së u realizua në një periudhë kur mazhoranca në pushtet po përballet me përplasje me partitë opozitare, të cilat tash e më shumë se një muaj kanë bllokuar punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë. Kundërshtimi më i madh ndodhi pas marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here