A është kjo Mirdita jonë?!

0
155

 

albina Deda

Albina Deda
Sot është 26 tetor dhe të majtët do të festojnë me pompozitet “çlirimin e Mirditës”, por për ne të djathtët kjo ditë është e zezë dhe me shumë dhimbje e lot do të rikujtojmë pikërisht fillimin e persekutimit komunist më të egër për shqiptarët. Do të kujtojmë dhe nderojmë të parët tanë që vuajtën, u vranë, u burgosën, u internuan dhe nuk panë as edhe një ditë të mirë, por për mirditorët, u bënë vetëm net të këqija. Mirdita është e shquar për një sërë personalitetesh krahinore me vokacion kombëtar, dyer të mëdha që kanë lënë shenjë në historinë kombëtare, bajraktarë si edhe prijës popullorë, drejtues kuvendesh dhe burra të mençur odash e të traditës. Pikërisht, për këtë shkak, për atë krenari dhe zë që i kishte dhënë aq shumë si vetës ashtu edhe Kombit përgjatë regjimit komunist, si mbarë vendi edhe mirditorët e pasuan më shumë sesa asnjë krahinë tjetër. Fillimisht, ajo u copëzua pjesë-pjesë në administrimin territorial për t’i humbur identitetin etnokulturor dhe atë historik, e më pas, fill pas çlirimit, filloi terrori i kuq me ekzekutimet pa gjyq e në gropat e përbashkëta të vdekjes, me burgosjet e torturat deri në çmenduri, internimet e familjeve me gra e fëmijë, djegien e shtëpive si edhe konfiskimin e pasurive. Mirdita që krenohej me mospushtimin e vet ndër shekuj, e njohu pushtimin e saj të parë dhe atë më të tmerrshmin po nga vetë shqiptarët: pushtimin sllavo-komunist. Le t’u referohemi disa shifrave: Të ekzekutuar e të vdekur në burgje – 320 burra e gra. Të burgosur dhe të dënuar me burgime të rënda – 345 persona. Të internuar – 606 persona prej të cilëve, edhe 129 fëmijë.

Nga sa shihet edhe nga këto shifra, krahasuar me popullsinë e Mirditës në atë kohë, i takon që 1 në 10 mirditorë, ose u ekzekutua, ose u burgos, ose u internua nga e ashtuquajtura partia e popullit që ekzekutonte po në emër të popullit…?! Referuar faktit që në atë kohë për Mirditën ishte karakteristike familja e madhe me shumë anëtarë, rrallë familje mirditore mund të mos kishte në gjirin e vet një pjesëtar ose të vrarë ose të burgosur, apo edhe të internuar. Në emër të luftës së klasave komunizmi ja doli paq të triumfonte për të shkatërruar familjen e shëndoshë dhe patriotike e intelektuale të Mirditës, madje deri në gjenocid e terror mizor. Nuk është e rastit që ky margjinalizim do të fillonte me denigrimin e dyerve të para e më të mëdha të krahinës, simbol ky i vetëqeverisjes të kësaj krahine, sikurse janë ato të bajraktarëve dhe deri tek kapidanati i Gjonmarkajve.

Por nuk është e rastit dhe pa qëllim zhdukja e shtyllës tjetër të kësaj vetëqeverisjeje që lidhet edhe me konstitucionin shpirtëror të mirditasve, duke i rrafshuar kishat dhe katedralet, abacinë e Nulliues të Oroshit, të vetmen në Ballkan, si edhe dhjetëra famulli, në një Mirditë historike, që për shekuj kishte ngritur me kujdes e përshpirtësi kompleksin e Kuvendeve të benediktinëve si edhe atë françeskane. Nga ana tjetër, copëtimi administrativ në 5 rrethe i krahinës së Mirditës solli;
Deformimin e zhvillimit të natyrshëm nëpërmjet zhvillimit të sforcuar industrial; Rrënimin e ekonomive të vogla fshatare dhe pasurisë pyjore nëpërmjet kolektivizimit absurd. Rezultatet ishin: Armata e të papunëve përballë rrënojave të industrisë së përpunimit të minerareve me teknologji të vjetruar ku pasojat ishin; 780 kryefamiljarë të vdekur nga silikoza në moshën 35 – 55 vjeç, e cila vazhdon edhe sot me pasojat e saj në trashëgimi. Mbi 30% e popullsisë me asistencë sociale. Dhe si kurorë turpi qëndron ai lapidar në kujtim të minatorëve të vdekur në minierat e turpit dhe të krimit të kuq. A do të duhej të vendoset aty një buqetë lule për jetët e tyre e madje tu kërkonin falje…?! Natyrisht ata se pranojnë krimin, madje vitet e fundit ehe fëmijët po i veshin edhe me shallët e pionierit dhe nderojnë me grusht, por kjo nuk do të ndodhë në Mirditë, ata s’do të provokojnë dot ndërgjegjen dhe shpirtin e pathyeshëm të mirditorëve patriotë. Minierat që ngritën për qëllime përfitimi për të mbajtur në këmbë regjimin më çnjerëzor duke marrë jetë njerëzish të pafajshëm dhe jo për të mirën e popullit, siç edhe trumbetohet akoma prej tyre duke lënë pas mijëra të sëmurë në varfëri ekstreme, si edhe një mjedis të ndotur e të intoksinuar për shkak te teknologjise më të prapambetur të Globit, me lajmet e viktimave vetëm sesa akuzojnë dhe sjellin fytyrën reale të krimit të kuq. Jo rastësisht burgu famëkeq i SPAÇIT, do të jetë për vitin 2016 në Listën e Fondit Botëror të Monumenteve [WMF] a thua ata do ti lexojnë lajmet e radhës apo do ti përbuzin vlerësimet e botës së qytetëruar mbi gjenocidin e etërve…?! Mirdita është e larë me gjak, e rrethuar me gjemba, e bijtë dhe bijat tuaja Mirdita jonë u masakruan nga mënyrat më të pashembullta që ka njohur bota në shekullin XX, e sot në mileniumin e tretë, do të shohim live se si do të reagojnë bijtë e bllokut ndaj këtij krimi kombëtar. Mirditë, të vunë në një sprovë të rëndë, në qafë kishe litarin, në trup të djegin akoma plumbat, në këmbë të shtrëngojnë akoma pincat e hekurta të një sistemi monstruoz që Rilindi për të na akuzuar për heshtjen tonë, pra nënëlokja jonë, Mirdita jonë, ta mbyllën gojën me ”fletë rrufetë”, të syrgjynosën brenda trupit tënd, të vranë psikologjikisht, por ti s’u dorëzove kurrë.

Të shkatërruan përkohësisht Kulturën dhe Besimin, të shuan dyert më të mëdha të zemrës tënde, i detyruan bijtë dhe bijat tuaja të arratisen nga gjiri juaj, por bijtë dhe bijat tuaja nuk do ta harrojnë kurrë të kaluarën makabre, në përsëri do të të jemi pranë, këtu do të na kesh në gjirin tënd të ngrohtë, për të rikthyer identitetin tënd të rrëmbyer padrejtësisht nga bijtë e ”Kuçedrës së Kuqe”, dje dhe sot fatkeqësisht në pushtet. Mirdita jonë me halle gjithmonë, që hallet po t i shtojnë! Fjala përgjegjësi është pak, para asaj që duhet për Ty, Mirdita jonë, Kreshta e krenarisë sonë kombëtare, jo, nuk jeni vetëm…!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here