Marine Le Pen para gjykatës në Lion, sepse i ka krahasuar myslimanët që luten në publik me pushtimin e Francës në Luftën e Dytë Botërore. Parullat antiislame të Frontit Kombëtar në Francë po ashpërsohen.
Kursi politik i partisë ekstremiste të djathtë Fronti Kombëtar duket si një vijë gjarpri. Në dimrin e vitit 2010 Marine Le Pen donte të tërhiqte në anën e saj krahun e vjetër të djathtë të partisë. Në atë kohë ajo kishte deklaruar në një takim publik, se myslimanët që luteshin në publik i kujtonin pushtimin e Francës në Luftën e Dytë Botërore. “Sigurisht, nuk ka tanke dhe asnjë ushtar, por kemi të bëjmë me pushtim”, – tha atëherë Le Pen. Sfondi ishin debatet në lidhje me mbylljen e disa rrugëve të caktuara në disa qytete për shkak se aty myslimanët luteshin para xhamive të mbushura me njerëz. Një organizatë kundër racizmit e akuzoi Le Pen për këto shprehje dhe tani ajo po e përdor procesin gjyqësor në Lion për ta prezantuar veten si një luftëtare për lirinë e shprehjes.
Marine Le Pen kishte zgjedhur krahasimin e emigrantëve myslimanë me Luftën e Dytë Botërore me vetëdije për të hyrë në terrenin politik të babait të saj. Jean-Marie Le Pen, themeluesi i Frontit Kombëtar, ka një listë të gjatë dënimesh për vepra penale duke filluar nga urrejtja racore deri tek zbutja e krimeve naziste.
Kriza e refugjatëve çon ujë në mullirin e të djathtëve
Në vitin 2011 Marine Le Pen fitoi brenda partisë dhe nisi pas kësaj ta zbuste gradualisht tonin e saj që të fitonte vota nga shtresat e mesme. “Zhdemonizim” e quajti ajo këtë strategji. Por pasi liderja e partisë e largoi kohët e fundit nga partia të atin për shkak të proceseve dhe të skandale të tij të përjetshme, ajo po merr një kthesë tjetër, pra një ndryshim të vogël kursi djathtas. Kështu zëvendëskryetari i partisë Florian Philippot tha në shtator se politika gjermane për refugjatët u shërben vetëm interesave cinike e biznesit të madh gjerman, edhe se pas saj fshihet “nevoja për skllevër për industrinë” e Gjermanisë.
Nëse procesi në Lion do të jetë në dobi apo në dëm të Marine Le Pen për zgjedhjet rajonale në dhjetor, është ende e hapur. Ajo aktualisht kryeson në zonën zgjedhore të Pas-de-Calais në sondazhe dhe partia e saj Fronti Kombëtar llogarit se do të fitojë në të paktën dy nga 13 departamentet. Dhe të gjitha shenjat janë që ata të arrijnë në zgjedhjet presidenciale në vitin 2017 në zgjedhjet balotazhin dhe ta kalojnë presidentin Hollande dhe socialistët pas tij. Mosmarrëveshjet mbi një politikë evropiane për refugjatët po i forcojnë mbështetësit e partisë ekstreme të djathtë.
Fronti Kombëtar polemizon kundër fesë islame
Deklaratat e Marine Le Pen nuk kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes, thotë Alain Jacubowicz i Lidhjes Ndërkombëtare Kundër Racizmit. Nuk është fjala për të ndjekur vazhdimisht penalisht të gjithë për deklaratat e tyre, por “ky proces kundër tyre është i rëndësishëm që të kryhet”. Deklaratat e Marine Le Pen kanë qenë qëllimisht provokuese. Krahasimi që u bëri ajo myslimanëve me pushtuesit “janë jashtë kufijve të debatit politik”. Përveç kësaj, për momentin deklaratat e saj kundër fesë islame po bëhen gjithnjë e më provokative, prandaj Jacubowicz do ta përshëndeste një dënim të kryetares së Frontit Kombëtar si një të shtënë ligjore paralajmëruese kundër Frontit Kombëtar.
Aktualisht në Francë po zhvillohen edhe procese të tjera ndaj funksionarëve të lartë të partisë Fronti Kombëtar për skandale financiare, shpërdorim të taksave apo për pastrim parash. Megjithatë deri tani sipas sondazheve duket se proceset për serinë e skandaleve të partisë Front National nuk e kanë dëmtuar atë. Shumica e pasuesve të kësaj partie mendojnë se partitë e tjera në Francë po përdorin drejtësinë për të zhvilluar një fushatë kundër partisë Fronti Kombëtar.