Nga Bernd Riegert / DW
Në samitin e BE-së javën e kaluar kryetarët e shteteve dhe të qeverive bënin ende sikur kishte një politikë të përbashkët për refugjatët dhe iniciativa për zgjidhje. Tani, as një javë më vonë, faktet në rrugën e Ballkanit flasin një gjuhë tjetër. Nuk ndjehet më asgjë nga solidariteti evropian dhe ndarja e barrës. Çdo shtet mbron vetëm vetën.
Hungaria izolohet në mënyrë të vazhdueshme me ndihmën e Çekisë dhe Polonisë. Greqia, Kroacia, Sllovenia, Austria i lënë të kalojnë sa më shpejt të jetë e mundur refugjatët e lagur dhe që dridhen nga të ftohtët. Vendet kandidate të BE Maqedonia dhe Serbia bëjnë të njëjtën gjë. Në fund të zinxhirit ndodhet Gjermania, e cila nuk është në gjendje të pranojë më dhe gjithnjë e më shumë nuk dëshiron të marrë më, nëse ke parasysh protestat e qeverisë së landit të Bavarisë dhe sondazhet e opinionit publik.
Situata po rëndohet
Pavarësisht nga shumë vendime në Bruksel situata nuk është përmirësuar, por është acaruar: Një numër gjithnjë e më i madh azilkërkuesish dhe refugjatësh guxojnë të ndërmarrin udhëtimin, pavarësisht nga pengesat e mëdha në kufi. Numri i tyre po rritet dhe jo ashtu siä e kishin përfytyruar liderët evropianë. Dhjetëra mijëra janë rrugës nga Greqia drejt Evropës veriore. Të hënën Komisioneri i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara konstatoi numrin më të lartë të hyrjes në një ditë nga Turqia në Greqi për këtë vit. Ideja e BE-së për ta transferuar problemin në Turqi funksionon ndoshta pas disa muajsh. Por qeveria turke ka bërë tashmë të qartë se nuk do të pranojë të gjithë refugjatët, që nuk i do Evropa. Turqia nuk do të luajë rolin e “kampit të përqendrimit” për Evropën, u shpreh kryeministri turk në një krahasim të paparë. Këtu nuk sjellin dobi as joshjet me lëshime politike dhe me bankënota evropiane. Politika evropiane e muajve të fundit për refugjatët ka dështuar dhe tani kërcënon të zhytet plotësisht në kaos. Komisioni Europian i pafuqishëm flet ende për një zgjidhje panevropiane dhe dëshiron të shmangë fajësimet. Po shtetet anëtare Kroacia, Sllovenia, Austria, Hungaria dhe Greqia e bëjnë një gjë të tillë. Ato tregojnë njëri-tjetrin me gisht dhe akuzojnë njëri-tjetrin se shkelin rregullat evropiane. Çfarë rregullash? Çfarë vlen ende si rregull?
Dublini ka marrë fund
Kancelarja gjermane e ka shpallur të vdekur rregullin e Dublinit, sipas të cilit përgjegjës për refugjatin është shteti anëtar, ku ai hyn për herë të parë. Austria, Hungaria dhe landi gjerman i Bavarisë, insistojnë që të ruhet ky rregull, në mënyrë që të mund t’i kthejnë përsëri refugjatët. Greqia dhe deri diku edhe Italia nuk e repsektojnë prej vitesh rregulloren e Dublinit. Askush nuk ka deri tani një plan, se cilat rregulla duhet të zëvendësojnë Dublinin. As kancelarja gjermane. Koncepti i paqartë, sipas të cilit kufiri me Turqinë duhet të bllokohet dhe refugjatët duhet të futen në qendra të mëdha regjistrimi (hot spots), ka filluar të ravijëzohet. Nëse mund të vihet me të vërtetë në praktikë, është e diskutueshme. Për shkak se për këtë nevojitet një siguri më e rreptë e kufirit, kampe të ruajtura fort dhe dëbime konsekuente në kufijtë e jashtëm të BE-së.
Bavaria mund të veprojë e vetme
Gjendja aktuale, ku secili vend i BE-së sheh vetëm interesat e veta, nuk mund të zgjasë shumë. Menjëherë sapo Gjermania të ndërpresë pritjen e refugjatëve, i gjithë sistemi i kalimit përgjatë rrugës ballkanike do të pësojë kolaps. Një ndërprerje të tillë kancelarja Angela Merkel nuk e ka përjashtuar, por nëse në kufirin bavarez vazhdojnë të hyjnë çdo ditë mijëra njerëz, dikur nuk do të ketë rrugë tjetër. Nëse situata vazhdon të përkeqësohet, është vetëm çështje ditësh derisa Bavaria, ndoshta e vetme në kundërshtim me qeverinë federale, do të mbyllë kufijtë. Njerëzit, që vuajnë dirket nga ky kaos, janë refugjatët, si një masë që shtyhet nga andej këndej dhe si mjet presioni në politikën evropiane. Çfarë po ndodh? Ku kanë mbetur vlerat evropiane? Presidenti i Komisionit të BE, Jean-Claude Juncker, porositi në fjalimin e tij mbi situatën në BE, se Evropa nuk mund të pranojë gardhe dhe kufij. Por recetat e deritanishme të BE-së nuk vlejnë më.