Veshur me të zeza

0
116

moda

 

“Moda ndryshon, por stili mbetet!” Kështu thoshte dikur Coco Chanel, e cila i propozoi botës disa nga veshjet ikonë të epokës sonë. Cilat janë sekretet? Plot 10 të tilla! E kemi fjalën për veshjet më esenciale që çdo femër duhet të ketë në dollapin e saj. Ato nuk dalin asnjëherë nga moda, janë të duhurat në çdo rast dhe i përshtaten çdo moshe. Ndaj, e nisim me njërin prej tyre; fustani i zi. 80-vjeçari “I ri” Është plot 80 vjeç, por nuk duket. Një nga veshjet më të nevojshme të gardërobës, baras me fjalën “chic”, i pamposhtur ndaj çdo trendi sezonal, fustani i zi ka ditur t’u bëjë ballë shkëlqimit të viteve ’30, tradicionales së ‘50-ës, modës “hipi” të viteve ‘70, xixave të ‘80-ës apo stilit deri diku skizofrenik të ‘90-ës. Ai lindi në Parisin e vitit 1926 dhe është fëmija i ligjshëm i Gabrielle “Coco” Chanel. Por, fustani me tonalitet krejt të zi nuk ka një histori kaq të thjeshtë në revolucionin që i bëri veshjes femërore. Mjafton të përmendim faktin se ngjyra e zezë në vendet perëndimore lidhet me zinë, të cilën një femër duhet ta mbante veshur deri në dy vjet nëse bashkëshorti i saj ishte ndarë nga jeta. Kjo traditë është respektuar në mënyrë rigoroze në vendet perëndimore deri në fund të viteve ‘800, ndërkohë që në Shqipëri është ende pjesë e traditës së zisë. Ndaj, kundër këtij këndvështrimi, shfaqet në vitin 1939, personazhi I Rossela O’Hara-s në filmin kult “Gone with the Wind”, e cila edhe pse me një veshje “korb të zi” kërcen e lumtur me partnerin e saj. Nga prerja e gjatë tek “cocktail dress” Pas viteve ’30 fustani i zi nis t’i largohet paragjykimeve. Ai fillon të vishet nga femrat, kryesisht gjatë orëve kur dilnin për aperitiv, ose të njohura ndryshe si “happy hour”. Pija, e cila në këto epokë të Amerikës konsumohej kontrabandë, nis të hollohet dhe kështu lindi kokteji, i cili u kthye në stil jetese; po një stil jetese ka nevojë dhe për veshjen e duhur. Kështu, fustani i zi shkurtohet, i hiqen mëngët dhe shfaqet me të çara të theksuara pas shpine. Shtohen perlat e bardha apo aksesorët me smeralde. Pikërisht në vitin 1927, fustani i zi bëhet pjesë e pandashme edhe e veshjes për kërcim. Ikona e kësaj epoke është balerina Martha Graham, fustanet dhe stili i të cilës nxirrte në pah bukurinë e trupit femëror. Edhe kinemaja, në periudhën e artë të Hollivudit përfshihet nga magjia e fustanit të zi. Adrian, rrobaqepësi i yjeve të atyre viteve krijon fustane të mrekullueshme në këtë ngjyrë për Greta Garbon, Joan Craëford dhe Katharine Hepburn. Një tjetër ikonë e periudhës, por e formatit të filmit vizatimor, është Betty Boop. E krijuar nga Max Fleisher, Betty ka forma tejet sensual të theksuara nga një fustan i zi dekolte.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here