Megjithëse kërkoi të shpallej i pafajshëm, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nuk ka pranuar që procesi ndaj tij të zhvillohet normalisht, e thënë ndryshe me dëshmitarë, por të vijojë me gjykim të shkurtuar, duke pranuar faktet në gjendjen që janë. Kërkesa u paraqit në seancën e kësaj të marte në Gjykatën e Tiranës nga avokati mbrojtës i të akuzuarit, i cili nuk kishte preferuar të ishte vetë i pranishëm në seancë. Me këtë kërkesë ishte dakord edhe përfaqësuesi i akuzës. Në këto kushte edhe gjyqtari i çështjes Artan Gjermeni vendosi ta pranonte kërkesën, duke caktuar datën 6 tetor për të dëgjuar konkluzionet e akuzës dhe të mbrojtjes. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u akuzua pas vjedhjes së 713 milionë lekeve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë. Për ketë ngjarje u akuzuan 18 persona, ish-punonjës të Bankës së Shqipërisë, të cilët kërkuan gjykim të shkurtuar përveç kryeinspektores së bankës Elivar Golemi, procesi ndaj të cilës vazhdon ende.