Procedurat tatimore /  Ashpërsohen masat, bizneset gati të transferohen në vende të tjera  

0
155

 

Kriza financiare e bizneseve fasoneBankierët që janë në dijeni të bilanceve dhe deklarimeve false dhe nuk i denoncojnë ato, kërcënohen me burgim. Pasojat bien mbi kreditimin

 

Ervin Kaduku

 

Aksioni kundër informalitetit pritet të marrë një hov të ri pas paketës me 9 masa të miratuara nga Kuvendi. Tashmë bizneset do të përballen me gjoba shumë më të rënda, që variojnë nga 500 mijë lekë deri në 10 milionë lekë dhe konfiskim malli, në rast se do të vonojnë pagesën e taksave, nuk i argumentojnë transaksionet që kryejnë, nuk afishojnë listën e çmimeve apo nuk lëshojnë kupon tatimor. Paketa parashikon detyrimin e bizneseve që të afishojnë listën e çmimeve në një vend të dukshëm, ashtu sikurse edhe adresën ku kryejnë veprimtarinë. Nëse këto të dyja mungojnë, atëherë do të përballen me gjoba dhe penalitetet e tjera, për faktin që biznesi do të konsiderohet se kryen veprimtari infomale.

Po ashtu, paketa parashikon që pas datës 1 prill të vitit të ardhshëm, bizneset e mëdha nuk do të lejohet të shesin me kasë fiskale mallra me shumicë të individët. Nga ana tjetër, edhe individët do të preken nga kjo paketë pasi mosmarrja e kuponit tatimor do të sjellë penalitet me gjobë.

Edhe pse në komisione u rrëzua si propozim, në paketën e Kuvendit është miratuar edhe pika që parashikon të drejtën e blerësit për të mos paguar për mallin apo shërbimin nëse nuk i lëshohet kupon tatimor. Në sajë të kësaj pike, bizneset janë të detyruara që të afishojnë edhe njoftimin ku shkruhet e drejta e blerësit për të mos paguar mallin nëse nuk lëshohet kupon tatimor. Nëse nuk e vendos këtë njoftim, atëherë gjoba është 500 mijë lekë.

Paketa parashikon edhe një periudhë faljeje për bizneset, të cilët mund të deklarojnë detyrimet e fshehura dhe të operojnë me vetëdeklarim deri me 31 dhjetor të këtij viti. Nga ana tjetër, çdo vonesë në pagesën e kësteve ta tatimfitimit do të sjellë rritjen me 15 për qind të detyrimit, ashtu sikurse çdo borxh tatimor do të mblidhet me forcë, përmes konfiskimit të mallit. Ndërsa shkeljet si moslëshimi i kuponit tatimor, mosafishimi i çmimeve e adresës apo mosdeklarimi i xhiros penalizohen me 500 mijë lekë gjobë për bizneset e vogla e të mesme, bizneset e mëdha do të përballen me penalitetin më të lartë nëse kryejnë veprimtari informale, ku gjoba arrin në 10 milionë lekë dhe sjell edhe konfiskim malli.

 

Goditja

Trysnia në rritje me qëllim uljen e evazionit fiskal, shoqëruar me shtrëngimin fiskal, mund të bëjë që bizneset të veçanta të mendojnë transferimin në vende fqinjë, ku ngarkesa fiskale është shumë më e ulët. Eksperti kontabël, Ilir Binaj, nënvizon se edhe për bizneset shqiptare mund të ketë ardhur koha të ndërmarrin zhvendosje strategjike të vendit të rezidencës. Destinacioni mund të jenë me të ngjarë vende shumë të afërta, si Kosova apo Maqedonia.

Lidhur me ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore, të miratuara të mërkurën në Kuvend, Binaj mendon se penalitete janë shumë të larta dhe nuk ka proporcionalitet mes shkeljeve dhe gjobave, duke e ekspozuar biznesin ndaj goditjeve të rënda edhe në rast të gabimeve të paqëllimshme apo ndaj vlerësimeve të gabuara të inspektorëve tatimorë.

Gjithashtu, dispozita që ndalon bizneset e shumicës të shesin pa faturë tatimore, vetëm me kupon të thjeshtë, sipas tij, mund të shkaktojë ngërç në afatin e shkurtër në zinxhirin e tregtimit të mallrave. Zinxhiri i fshehjes së qarkullimit real të biznesit të vogël nis nga blerja e mallrave pa faturë tatimore nga grosistët. Blerja e mallit pa faturë dhe shitja e tij pa kupon e bën të paverifikueshme përmasën reale të xhiros që një biznes i vogël qarkullon, ndaj nuk mundëson tatimin mbi të ardhurat reale. Rrjedhimisht, një pjesë e madhe e vlerës së shtuar në ekonomi nuk mund të matet dhe të tatohet.

 

Bankat

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP) u ka nisur një shkresë të gjitha bankave tregtare në vend, ku u rikujton dhe i “paralajmëron” se në rast se nuk raportojnë rastet kur konstatojnë se subjektet tregtare kanë bilance të dyfishta, oficeri i bankës mban përgjegjësi penale.
DPPP në shkresën e saj e klasifikon veprën e falsifikimit dhe mashtrimit me bilancet si krim fiskal sipas ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, çka bën që personat në bankë që janë në dijeni të rasteve të tilla dhe nuk i denoncojnë ato, të konsumojnë veprën penale.

Në shkresën e drejtuar bankave thuhet: “Megjithëse dihet, gjejmë rastin të ritheksojmë se sipas nenit 12 të ligjit nr. 9917, datë 19.5.2008, bankat kanë detyrim të raportojnë në DPPP jo vetëm rastet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, financimin e terrorizmit, por edhe rastet, kur dyshohet, apo dihet se po kryhet, është kryer apo tentohet të kryhet vendosja/injektimi i fondeve që rrjedhin nga veprimtari kriminale, ndër të cilat janë edhe falsifikimet dhe krimet fiskale, çka esencialisht do të thotë se në asnjë rrethanë banka nuk mund të pranojë të dhëna financiare, të ndryshme nga ato zyrtare, pasi:

-qartazi shkel ligjin .9917, datë 19. 5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, i ndryshuar, duke u bërë palë me skemën mashtruese dhe duke cenuar rëndë detyrimet që rrjedhin nga ky ligj.
-persona të veçantë në bankë mund të konsumojnë veprën penale të parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, duke pranuar me dijeni fshehjen, mbulimin e origjinës së paligjshme të të ardhurave, burimit të tyre etj; investimin në veprimtari financiare të fondeve publike të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (së paku që burojnë nga fshehja e të ardhurave, neni 180 i Kodit Penal)”.
Në materialin që u është dërguar bankave jepet një shembull i dy bilanceve që një kompani ka dorëzuar në bankë, ku ka një diferencë prej 11 milionë lekë më shumë të gjendjes monetare të një subjekti në bilancin real (përkatësisht 1.1 milionë lekë në bilancin zyrtar dhe 12 milionë lekë në atë real). Gjithashtu ka diferenca të mëdha në zërat e aktiveve afatgjata (që janë të reduktuara në bilancin real), fryrje të shpenzimeve në bilancin zyrtar dhe diferenca në kapitalin e aksionerëve.

Efektet
Prej vitesh është bërë e zakonshme që bankat tregtare t’u kërkonin subjekteve aplikante për kredi dy bilance, atë zyrtarin që dorëzonin tek tatimet dhe realin që mbanin për vete, ku ky i fundit shërbente në më të shumtën e rasteve si bazë për vendimmarrjen e punonjësve të bankave në miratimin apo jo të huasë.
Bankat kishin rënë dakord që gradualisht deri në vitin 2018, ato të pranonin vetëm bilancet zyrtare, në mënyrë që t’u jepej kohë bizneseve të formalizoheshin dhe bankave që të kishin një gjykim me të qartë mbi aktivitetin real të kompanive.

“Më 1 janar të vitit 2018, bankat do të pranojnë vetëm deklaratën tatimore të bizneseve gjatë procesit të kredidhënies. Nuk do të ketë më pranim bilancesh ilegale dhe t’i përdorin si bilance që përbëjnë bazën e vendimit për të dhënë apo jo kredi”, ka pohuar kryeministri Rama para pak kohësh.
Megjithatë, kjo shkresë drejtuar të gjitha bankave e bën efektive menjëherë detyrimin për të pranuar vetëm bilancet zyrtare të subjekteve që aplikojnë për kredi.

“Kërcënimi” për burg për oficerët e kredisë dhe ndalimi i menjëhershëm i marrjes në konsideratë të bilanceve reale, që mbajnë subjektet, pritet të stepë edhe më tej kredidhënien dhe kërkesën për hua në ekonomi, që dhe pa këto masa ishte tepër e brishtë. Stoku i huasë për ekonominë shënoi rënie në korrik për të dytin muaj radhazi, referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë. Totali i kredisë arriti në 551.6 miliardë lekë në korrik, duke rënë me 0.18% në raport me qershorin. Në shtatë muajt e vitit 2015, huadhënia për ekonominë është rritur vetëm në maj. Ndërsa në raport me dhjetorin 2014, stoku i kredisë ka rënë me 1.5%.

 

Sindikatat

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë ka cilësuar luftën për uljen e shkallës së informalitetit në ekonomi si një aspekt pozitiv i ndërmarrë por nuk pranon që ky aksion të përdoret si dogmë, por si një kërkesë imediate për përmirësimin e pagave dhe të pensioneve. Sipas presidentit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja kërkojnë që ky aksion të mos përdoret për të rritur të ardhurat e padukshme pasi duket se ky aksion ka sjell vetëm probleme dhe ne do të jemi në krah të biznesit të vogël për të mbrojtur të drejtat e tyre. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë ka kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtarë të Punës ku të diskutohet dhe të jepet një zgjidhje për situatën jo vetëm në favor të qeverisë por edhe të biznesit të vogël dhe të vetëpunësuarve.

Sipas të dhënave të bëra publike rreth 40% e ekonomisë në tërësi është informale. Nga mos pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore kemi afërsisht 40% informalitet. Gjithashtu informalitet kemi edhe në sektorë të tjerë si ndërtimet pa leje, evazionin fiskal në biznese apo edhe në qarkullimin e parave në rrugë jo bankare. Nëse nuk merret parasysh kërkesa e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë për një zgjidhje sa më të mirë të situatës ata paralajmërojnë për dalje në protesta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here