Koha kalon dhe mund “ veshë krimet Por kurrë nuk mund “ fshijë

0
152

 

 

images (3)

 

Nga Bedri Blloshmi

 

 

Po mbushen 25 vjet që vazhdon zhurma, demagogjia dhe ulërimat që “shajnë” famëkeqin komunizëm. Nga ana tjetër dalin të organizuar me fotografinë mbi kurriz dhe shaminë e kuqe në qafë. Fotografia e diktatorit neve na kujton pushkatimin dhe zhdukjen e 6500 burrave atdhetarë shqiptarë, na kujton ulërimat, bërtitjet e mijëra nënave duke kërkuar djemtë e tyre të vrarë përrenjve dhe humnerave. Kjo na kujton krijimin e lumenjve të gjakut dhe lotët që janë derdhur në Shqipëri për 70 vjet me radhë. Kjo fotografi e urryer që ngeli në qafën e nostalgjikëve dhe pjellës së tyre na kujton luftën civile vëllavrasje. Nga ana tjetër thuhet se jemi distancuar nga e kaluara kriminale dhe udhëheqësit e saj gjë që s’është e vërtetë. Ju kini marrë përsipër që te gjeni eshtrat e gjithë atyre të pushkatuarve nga dora e atij që mbani në zemër dhe shpirt, keni marrë përsipër të ingranoni shtresën e të persekutuarve politikë. Ajo fotografi që mbahet në qafë nga ju dhe mbështetësit e saj na kujton sistemin gjakatar që na bëri të jetojmë me sy ulur e me zë të mekur, me kokat e qethura zero, nën kërbaç dhe gjithmonë të uritur. Na bëri që të jetojmë në dëshpërim e shpeshherë dridheshim duke dëgjuar klithmat e shokëve tanë që torturoheshin qelive. Na zgjoi zhurmën çjerrëse të kallashnikovit që villte flake. Kjo zhurmë do të thoshte se një i dënuar ishte sharruar e kishte mbetur i varur në telat me gjemba. Na kujtoi rrjedhjen e gjakut me currila nga vrimat e plumbave e atij të vrari. Ajo fotografi që duhet ngjeshur në fundin e ndonjë humnere apo të hidhet në llavën e ndonjë vullkani, sot ka mbetur në qafën tuaj që e mbani me mall e dashuri atë shkatërrimtar të kombit shqiptar. Për neve është hapja e plagëve që përjetësisht mbetën të pashërueshme. Juve që drejtoni sot, punën e parë që bëtë në Tiranë vajtët pastruat piramidën e kriminelit, pastaj dolët e folët për konferencën famëkeqe të Pezës që për shumicën e shqiptarëve ajo është një kujtesë që duhet harruar përgjithmonë. Nga ana tjetër ju flisni për dekriminalizimin e vendit nga vrasësit e kriminelët dhe sigurimsat e shtetit. Kurse, në fakt, po zbatoni tjetër gjë. Hetues, operativë, kr. degësh, bashkëpunëtorë të Sigurimit, rezidentë juve i keni ngjeshur në qeverinë që po drejtoni. Madje disa ish zv.ministra të diktatorit janë prapë sot zv.ministra. Keni mbledhur gjyqtarë, prokurorë dhe hetues, disa prej të cilëve janë tek Avokati i Popullit si p.sh. hetuesi dhe torturuesi Petrit Azemaj që çirret për të drejtat e njeriut. Ata që dje kanë vrarë dhe masakruar, kanë dënuar me burg familje të tëra dhe pjesa tjetër u internua përjetësisht sot ju i kini mbledhur për të bërë drejtësi. I kini nxjerrë nga hambari i krimit dhe kërkoni dekriminalizimin e vendit dhe pse duart e tyre kullojnë akoma gjak te pafajshmish. Më habiti fytyra e një prokurori i quajtur Njazi Jaho që e pashë në krah të disa fytyrave të tjera kriminelësh që kanë vrarë njerëz me duart e tyre ku gjithashtu merrte pjesë dhe ambasadori amerikan dhe ambasadori gjerman. Unë nuk do zgjatem më, por më poshtë do t’ju bëj të mundur të lexoni pretencën e Njazi Jahos mbajtur në Librazhd më 1963 që ka dënuar babain e poetit të ekzekutuar Vilson Blloshmi (Sami Blloshmi).

Me këto fytyra do t’ua mbushni mendjen ndërkombëtarëve dhe popullit shqiptar se luftoni krimin???

Zotërinj qeveritarë ku po na çoni???

 

Shokë gjyqtarë,

Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm si dhe revizionistët e çdo kallëpi e kanë halë në sy pushtetin tonë popullor. I pandehuri Sami Blloshmi është kulak, ay pra është armik, dhe natyrisht helmi që aty e ka nxjerrë nëpërmjet propagandës kundra pushtetit popullor dhe duhet të mos shkëputet nga pozita e tij shoqërore.

– Punonjësit e vendit tonë, nën udhëheqjen e sprovuar të Partisë sonë të punës kanë arritur suksese të shkëlqyera.

– Republika popullore e Shqiprisë qëndron si shkëmb graniti dhe të gjitha sulmet dhe provogacionet e armiqve dhe revizionistëve do te pësojnë dështim të plotë dhe të turpshëm.

– i pandehuri Sami ashtu si dhe armiqtë e tjerë kanë pritur dhe punuar për minimin e bazave të pushtetit tonë, kanë kujtuar se sulmet dhe presionet e grupit revisionist te Hrushovit do ta gjunjëzonin popullin dhe Partinë tonë, se ne nuk do të ishim në gjëndje të përballonim vështirësitë e krijuara. Mirpo faktet flasin ndryshe. Uniteti i popullit me Partinë dhe Pushtetin popullor është forcuar më tepër se kurrë. Ne ecim drejt përpara për ndërtimin e plotë të shoqërise Socialiste. Vendi jonë nuk është i vetmuar. Niveli material e kulturor i masave punonjëse po përmirsohet vazhdimisht.

– i pandehuri Sami Blloshmi nuk mund të pajtohet me këtë të vërtetë dhe jo vetëm kaq, par ay për disa vjetë rreshë nuk pushoi së propaganduari kundra pushtetit popullor, prandaj ne themi se ay cdo gjë e ka bërë me një qëllim të caktuar, për të ngjallur mosbesim në forcën e pushtetit popullor dhe në të ardhmen tonë të ndritur, për të minuar dhe dobësuar pushtetin tonë popullor. Prandaj kundra tij ashtë plotësishtë e drejtë të zbatohet neni 73 i K.P.

– Në masën e dënimit kemi parasysh rezikshmërinë e madhe të këtij krijimi dhe rezikshmërinë që paraqet vet i pandehuri (kulak).

– Kërkojmë që ay të deklarohet fajtor dhe në bazë te nenit 73/I i K.P. të dënohet me 8 vjet heqje të lirisë.

 

Librazhd 25.7.1963  Nd. Prokurori

Njazi Jaho

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here