Bëje inercinë të punojë për ty

0
141

 

Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

 

 

Majkëll R. Edelshtajn

Dejvid Ramsej Stile

 

 

Sikurse shumë probleme emocionale, prokrastinacioni i paarsyeshëm mund të kurohet më mirë duke identifikuar paraprakisht DUHET e tua dhe duke i diskutuar ato, por ekzistojnë edhe teknika të tjera speciale që kanë dhënë rezultate mjaft pozitive. Një person, i cili i shtyn gjërat pa arsye, zakonisht është i vetëdijshëm se po vepron kundër logjikës së tij më të mirë. Ka strategji të provuara për ta kaluar balancën në favor të një kursi më të preferuar dhe më racional veprimi. Mund të nevojitet pakëz eksperimentim për të gjetur teknikën që do të jepte rezultate më të mira për ty.

Nëse problemi yt është vetëm një apo disa detyra që vazhdon t’i shtysh për më vonë, atëhere përpiqu të caktosh një kohë specifike çdo ditë ose çdo javë për t’iu përkushtuar këtyre detyrave. Supozo sikur je regjistruar në një kurs zanor italishteje dhe ke planizuar që vitin tjetër, kur të vizitosh xha Xhiordanon në Milano, të kesh arritur njohuri të mira me gojë e me shkrim. Në ditarin tënd, përcakto kohën ekzakte për dëgjimin e këtyre kasetave. Mos i prano ftesat që bien ndesh me këto orare dhe në përgjithësi trajtoi seancat dëgjimore sikur të qenë seancat më të rëndësishme në jetën tuaj.

Koha që do tu caktosh seancave dëgjimore të kasetave mund të jetë tepër e shkurtër e megjithatë mjaft efikase. Supozo sikur i dëgjon kasetat dhe ndjek tekstin e shkruar për pesëmbëdhjetë minuta, në një kohë fikse të çdo dite. Askush nuk ka nxjerrë ndonjë dekret, ku të thuhet se nuk lejohet të vazhdosh pasi mbarojnë ato 15 minuta. Ti ndalon, kur bëhen 15 minuta! Atëherë mund të vendosësh që të vazhdosh edhe për tri apo 15 minuta të tjera. Nga ta dish? Mbase kjo gjë të tërheq dhe vazhdon t’i dëgjosh edhe me orë të tëra!

Kjo ilustron thelbin racional të shumicës së teknikave anti-prokrastinative: shfrytëzimin e inercionit për interesin tënd. Të gjithë ne, në shkallë të ndryshme, e kemi prirjen për ta shfrytëzuar inercinë; të gjithë e kemi më kollaj ta vazhdojmë një punë që kemi nisur, në vend që t’i ndryshojmë marshet e t’ia nisim diçkaje tjetër. Por ama, nëse vendosim t’ia nisim asaj diçkasë tjetër, inercia do të fillojë të punojë për të na mbajtur lidhur pas asaj pune. Racionalja i ngjan pak a shumë xhudos (jujitsu), ku luftëtari mëson mënyra sesi ta shfrytëzojë peshën e kundërshtarit në disavantazh të vetë kundërshtarit.

Ky parim mund të zbatohet pikë për pikë edhe në teknikën: “Penguesi tri-minutësh i prokrastinacionit”. Me këtë teknikë ju thjesht vendosni të kryeni tri minuta aktivitet për diçka, megjithëse këto tri minuta mund tu duken si harxhim i kotë kohe. Supozoni sikur keni disa kohë që po e shtyni për më vonë një detyrë të pakëndshme. Atëherë ju vendosni t’i kushtoni kësaj pune tri minuta.

“Por”, mund të kundërshtojë ndonjë prej klientëve të mi, unë s’do mund të bëja ndonjë gjë të vlefshme brenda tri minutave. Ç’kuptim do të kishte kjo?

Pikësynimi është që t’ia nisësh dhe prej kësaj të kesh si aleatin tënd forcën e inercisë. Edhe sikur seleksionimi dhe futja në dosje e dokumenteve tuaja t’u hajë katër minuta, ngaqë pa e bërë këtë punë përgatitore katërminutëshe nuk mund t’ia filloni dot nga puna e vërtetë, ju thjesht, harxhoni vetëm tre minuta. Por këtë pjesë luajeni në mënyrë bindëse: çdo gjë bëjeni sikur me këtë veprim do të shkonit e të punonit le ta zemë gjashtë orë, të cilat i keni vlerësuar se do ju duhen për ta mbaruar tërë punën.

Por, ç’kuptim ka të harxhoj vetëm tre minuta, kur realisht unë nuk mund t’ia nis punës pa harxhuar katër minuta për këtë? A nuk është kjo një sjellje e pakuptimtë dhe e palogjikshme?

Jo! Pikë së pari askush nuk tha se juve ua kanë prerë si me gërshërë kohën vetëm për tre minuta. Ju keni plotësisht të drejtë të vendosni për të shtuar edhe një minutë të katërt apo të pestë. (Jo se duhet ta shtoni, por thjesht e keni mundësinë që ta shtoni). Së dyti, ato tre minutat e para apo katër minuta parapërgatitje, janë vërtet nisja e punës. Nëse ato janë hapëset e siparit, kjo është pjesë përbërëse e punës. E treta, roli i tre minutave është sepse duke qenë kohë tepër e shkurtër, ju do ta keni mbase vështirë të nisni e të ankoheni. Në fund të fundit, nuk do të nisnit të ankoheni se harxhuat tri minuta kohë për të ndihmuar një të verbër, të cilin s’e njihni, derisa të kalojë i sigurt matanë rrugës. Kështu, kur je përkohësisht i verbuar nga prokrastinacioni i paarsyeshëm, përse do të nisësh të ankohesh për ato tri minuta, me të cilat ndihmon vetveten për të dalë te trotuari tjetër, ku dëshiroje vërtet të shkoje? E katërta, sa më shumë që rezistoni për ta bërë veten tuaj të nisë nga detyrat e mërzitshme, aq më shumë mund t’ia shtoni vetes ngurimin, duke menduar përmasat e tërë detyrës. Me qëllim që ta thyeni këtë model mendimi, ju e ndani këtë detyrë me përmasa mamothi në copëza të vogla, të cilat mund t’i kapërdini me një kafshatë. Ju e bindni veten në praktikë për të vërtetën e proverbit të lashtë kinez “Çdo udhëtim prej një mijë miljesh fillon nga një hap i vetëm”.

 

Nisja e organizimit

Disa njerëz duken qartë se janë të organizuar: ata i presin qetësisht afatet e caktuara, arrijnë t’ia dalin një morie detyrash të vështira dhe tryezat e punës apo raftet e dosjeve, i kanë të rregullta. Po aq qartë duket se ka edhe njerëz të tjerë që janë të keq-organizuar.

Cila është lidhja midis prokrastinacionit të paarsyeshëm dhe organizimit të varfër? Kjo nuk është diçka e thjeshtë: njerëzit e mirëorganizuar nganjëherë praktikojnë prokrastinacion të paarsyeshëm. Prokrastinacioni i paarsyeshëm prek një masë të madhe njerëzish (natyrisht, në shkallë të ndryshme). Kam patur si klientë disa afaristë tepër dinamikë, të cilët, sikurse ka dalë më pas, qenë të shqetësuar nga prokrastinacione të paarsyeshme. Në disa raste, aftësitë organizacionale janë thjesht çështje fati – p.sh. kur një personi i qëllon që t’i mësojë aftësitë e nevojshme nga dikush tjetër me të cilin ka punuar më parë. Norma, ishte administratore dhe i duhej të mbante mend vendndodhjen në arkiv të korrespondencës për një mori çështjesh të ndryshme. Për disa arsye, në atë punë, sistemi kronologjik apo alfabetik për të gjithë dokumentet, nuk qe i përshtatshëm. Zakonisht Norma mbetej mbrapa me arkivimin e dosjeve dhe shpesh nuk arrinte ta gjente ndonjë dokument që i duhej brenda një afati të arsyeshëm kohe.

Norma nguronte të hapte dosje të re për subjektin në fjalë, ngaqë për shkak të përvojës te një punë e mëparshme, kishte mendimin se ai subjekt qe tepër i rëndësishëm dhe nuk mund ta arkivoje aq kollaj. Pastaj, për një apo dy javë asaj iu desh të ndihmonte një kolegen e saj, e cila punonte në një drejtori tjetër, por që kryente një funksion të ngjashëm. Norma u habit kur vërejti se kolegia, në vend që të humbte kohë duke vrarë mendjen se ku mund të qe arkivuar X dokument, hapte menjëherë një dosje të re për të. Dilte se për këtë lloj aktiviteti të veçantë, kjo mënyrë qe më efikase. Norma e përdori menjëherë këtë teknikë të re në punën e saj dhe eliminoi mjaft shpejt shumicën e vështirësive që haste me arkivimet.

Megjithatë, në raste të tjera, prokrastinacioni i paarsyeshëm i ka rrënjët te dështimi për të përshtatur metoda organizacionale. Lorenci ishte nëpunës zyre me një mori detyrash të vogla e tepër të larmishme. Ai ndihej përherë në siklet ngaqë nuk i kishte përfunduar aq shpejt sa duhej disa detyra dhe, kur e pyeste superiori i tij se përse nuk i kishte bërë, ai justifikohej se qe duke punuar me një detyrë tjetër, rëndësinë e së cilës shefi zakonisht e konsideronte si diçka të dorës së dytë. Gjithashtu, Lorenci pati vënë re se disa detyra “s’arrinte t’i kryente dot” ngaqë ato i “fluturonin nga mendja”.

Lorencit i patën dhënë një bllok të madh planifikimi ditor, për të evidentuar çdo ditë të gjitha detyrat. Por ai e refuzonte me kokëfortësi përdorimin e tij, ashtu siç qe printuar. Në vend që t’i shënonte të gjitha detyrat që priste të kryheshin brenda afatit në një X ditë e tu vinte shenjë dalluese atyre që tashmë ishin kryer, ai, e para herë që i shënonte ato në bllok ishte vetëm kur ato detyra kishin përfunduar e madje edhe këtë gjë e harronte nganjëherë. Kështu, ai nuk krijoi dot kurrë ndonjë listë tek e cila të mund të shihte sesa detyra kishte dhe sa kohë do t’i merrnin ato gjatë ditëve në vijim. Ai nuk mund të shkonte dot kurrë te superiori i tij e t’i thoshte: “Kam kryer punët X, Y, dhe Z. Sot mbasdite them të merrem me problemet U dhe B, të cilat duken më urgjente. Kjo do të thotë se do e vonoj një ditë W, të cilën më thatë se e donit në fund të ditës së sotme. W-në do të kem mundësi ta mbaroj nesër, po s’më doli ndonjë gjë e papritur. A jemi në rregull kështu?” Lorenci ishte rezistent ndaj ndryshimit të zakoneve të tij të punës, për shkak të mendimeve të tija “DUHET”.

Siç e konceptonte Lorenci, hedhja paraprake e detyrave në bllok, do të thoshte që ato t’i hanin kohën e duhur për të kryer detyrat aktuale. Si shumë njerëz, ai e përbuzte kohën e harxhuar për parapërgatitje edhe atëhere kur kjo e ndihmonte në përmirësimin e efikasitetit të punës aktuale. Ai i thoshte mendjes se puna DUHEJ të organizohej vetiu e pa ndonjë planifikim dhe se ai vetë DUHEJ ta kishte aftësinë për të vendosur në çdo çast se me cilën nga këto detyra që radha të merrej, në vend që të ndiqte renditjen e tyre të paracaktuar sipas listës. Në rastin e Lorencit, prokrastinacioni i paarsyeshëm ishte shkaku kryesor i organizimit të tij të dobët.

Prioritizmi mund të lindë nga prokrastinacioni. Kalvini bëri listën e gjashtë gjërave, të cilat i pati lënë pas dore në punë dhe vendosi të shfrytëzonte ditën e diel e të kalonte dhjetë orë në zyrë për t’i kryer këto gjashtë gjëra. Ai vajti në zyrë, bëri një filxhan kafe dhe i telefonoi një shoku për të folur disa minuta. Aty vuri re disa zarfe nga korrespondenca e të premtes së kaluar dhe vendosi të harxhonte dy-tri minuta për tu hedhur atyre një sy e për t’i hequr qafe. Kur e mbaroi leximin e tyre, vuri re se kjo punë i pati ngrënë rreth një orë e gjysmë. Atëherë shtiu edhe një filxhan tjetër kafeje dhe mori një nga ato gjashtë detyrat, e cila kishte disi edhe vlera argëtuese për të. Pasi i hodhi një sy, ndjeu se nuk vazhdonte dot pa shkuar pak në banjë. Kur po kthehej prej andej, vuri re diçka tepër interesante që po dilte nga faksi dhe u ul ta lexonte. Njëmbëdhjetë orë pasi kishte hyrë në zyrë, i vajti mendja se tre nga gjashtë detyrat nuk i pati prekur fare dhe vetëm tani vuri re se dy prej tyre qenë më urgjente se gjashtë të tjerat, aq urgjente, sa po të mos i kryente deri në orën 8:00 të mëngjesit, do të kishte pasoja serioze.

Kaosi i Kalvinit rridhte nga tri burime: nënvlerësimi i kohës së duhur për kryerjen e një detyre, tërheqja pas gjërave të tjera më pak të rëndësishme dhe paaftësia për t’i kryer detyrat sipas radhës së prioritetit. Varianti i metodës “Pa keqardhje për të ardhmen” do të ishte i dobishëm për t’i luftuar këto lloj mangësish. Në fillim të asaj dite të diel, Kalvini mund t’i kishte bërë pyetjen vetes: “Po sikur dy orë pas këtij çasti, të helmohem rëndë nga ushqimi ose të bjerë rrufeja në zyrë e t’i djegë tërë kompjuterat, atëherë unë s’do të punoj dot njëzet e katër orë! Dhe, nëse do të kthej kokën mbrapa pas njëzet e katër orëve, çfarë mund të mendoj unë se do të kishte qenë më mirë të bëja gjatë këtyre dy orëve? Pasi të merrte përgjigjen, Kalvini me siguri që të parën fare do të kishte kryer detyrën urgjente, madje edhe sikur ta kishte planizuar brenda atyre gjashtë detyrave me të cilat do të merrej përgjatë dhjetë orëve që ndenji brenda.

Kur organizimi i dobët vjen si rrjedhojë e mungesës së aftësive organizative, ky është një problem praktik që mund të menaxhohet me mënyra të ndryshme. Ka libra, kaseta dhe mjedise pune që ndihmojnë për të rritur aftësitë organizative dhe aftësinë e planizimit më të mirë të kohës. Por mund të mësohet shumë edhe thjesht duke vëzhguar me kujdes ata njerëz që duken mbi mesataren për sa u përket aftësive organizative si edhe duke kopjuar metodat apo procedurat që përdorin ata.

 

 

Box gri

Kaosi

Kaosi i Kalvinit rridhte nga tri burime: nënvlerësimi i kohës së duhur për kryerjen e një detyre, tërheqja pas gjërave të tjera më pak të rëndësishme dhe paaftësia për t’i kryer detyrat sipas radhës së prioritetit. Varianti i metodës “Pa keqardhje për të ardhmen” do të ishte i dobishëm për t’i luftuar këto lloj mangësish. Në fillim të asaj dite të diel, Kalvini mund t’i kishte bërë pyetjen vetes: “Po sikur dy orë pas këtij çasti, të helmohem rëndë nga ushqimi ose të bjerë rrufeja në zyrë e t’i djegë tërë kompjuterat, atëherë unë s’do të punoj dot njëzet e katër orë! Dhe, nëse do të kthej kokën mbrapa pas njëzet e katër orëve, çfarë mund të mendoj unë se do të kishte qenë më mirë të bëja gjatë këtyre dy orëve? Pasi të merrte përgjigjen, Kalvini me siguri që të parën fare do të kishte kryer detyrën urgjente, madje edhe sikur ta kishte planizuar brenda atyre gjashtë detyrave me të cilat do të merrej përgjatë dhjetë orëve që ndenji brenda.

Kur organizimi i dobët vjen si rrjedhojë e mungesës së aftësive organizative, ky është një problem praktik që mund të menaxhohet me mënyra të ndryshme. Ka libra, kaseta dhe mjedise pune që ndihmojnë për të rritur aftësitë organizative dhe aftësinë e planizimit më të mirë të kohës. Por mund të mësohet shumë edhe thjesht duke vëzhguar me kujdes ata njerëz që duken mbi mesataren për sa u përket aftësive organizative si edhe duke kopjuar metodat apo procedurat që përdorin ata.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here