Bilanci/ Dështojnë Financat, zhgënjejnë shifrat e 8-mujorit për buxhetin

0
140

 

 

 

ministria e financaveDebate të ashpra kanë shoqëruar dje diskutimin e ndryshimeve në ligjin për procedurat tatimore në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, i ka vlerësuar masat e marra nga qeveria për të luftuar informalitetin si çoroditje dhe show qeveritar, ku fajin nuk ua ka fatura apo kasa fiskale, por keqadministrimi fiskal. Por ka reaguar kreu i këtij komisioni, Erjon Braçe, sipas të cilit thjesht regjistrimi i 20 mijë bizneseve dëshmon se kjo reformë pati rezultat.

Gjatë prezantimit të draftit për ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, bëri të ditura edhe rezultatet e deritanishme ne regjistrimin e biznesit dhe rritjes së lëshimit të kuponëve tatimorë. Krahas tyre, ministri paraqiti dhe të gjitha masat ndëshkuese dhe penalitetet për bizneset që do të gjenden me shkelje gjatë kontrolleve të inspektorëve tatimorë.

Por, shifrat zyrtare të Ministrisë së Financave lidhur me performancën e administratës fiskale në realizimin e zërave të buxhetit 2015 tregojnë se zgjedhja e “dajakut” mbi biznesin e vogël kryesisht flet për dështimin total të reformave që është përpjekur qeveria të bëjë në fushën e taksave.

Në raport me periudhën janar-gusht 2014, të ardhurat në total janë rritur me 5.1%, ku ndikimin kryesor e ka dhënë zëri i të ardhurave jotatimore. Pikërisht ky zë i fundit ka shpëtuar buxhetin, pasi nga shitja e licencave për telefoninë lëvizëse janë përfituar 6.1 miliardë lekë më shumë në buxhet, nga 12 miliardë lekë që është rritja në total e të ardhurave buxhetore për periudhën në fjalë.

Financat kanë publikuar për herë të parë shpërndarjen e të ardhurave sipas planit të rishikuar të buxhetit, ku bie në sy mosrealizimi që në muajin e parë. Të ardhurat në total janë 2.7 miliardë lekë më pak se plani dhe ato nga tatimet e doganat 1.7 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar. Mosrealizimi ka ardhur në pjesën më të madhe nga TVSH, që i mungojnë 1.2 miliardë lekë nga plani, 220 milionë lekë më pak nga tatim fitimi dhe 316 milionë lekë më pak nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Zëri tjetër me realizim më pak se plani është ai të ardhurave jo tatimore me -950 milionë lekë.

Ministria e Financave rishikoi në ulje buxhetin në gusht, për shkak të performancës së dobët të të ardhurave nga tatimet e doganat, që për periudhën janar-gusht 2015 ishin 18.3 miliardë lekë më pak se plani fillestar.

Por, çfarë mund të sjellë për të rregulluar këtë situatë formalizimi me zor i biznesit të vogël?

Në total, një biznes i regjistruar rishtazi duhet të paguajë rreth 70 mijë lekë taksa për shtator-dhjetor 2015, ndërsa në total 17 mijë biznese do të paguajnë gati 1.1 miliardë lekë në buxhet, apo rreth 8 milionë euro. Nëse marrim parasysh dhe marzhin e gabimit në llogaritje, apo dhe fluksin në vazhdim të regjistrimeve të reja (që pritet të jetë në rënie, pasi pjesa më e madhe e bizneseve nxituan të formalizoheshin në javët e para të shtatorit), të ardhurat shtesë mund të shkojnë në rreth 10 milionë euro (për 20 mijë biznese të reja). Kjo shumë është e barabartë me vetëm rreth 0.3-0.35% të totalit të të ardhurave buxhetore, që pritet të mblidhen këtë vit, sipas buxhetit të rishikuar! Vetëm detyrimet e kompanive të naftës (ARMO dhe tatimet që qeveria po përpiqet t’i marrë Bankers Petroleum, pas rishikimit të shpenzimeve) i kalojnë 100 milionë euro.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ekspertët kanë mbrojtur idenë se përqendrimi i aksionit te biznesi i vogël nuk është eficient, ndërsa evazioni më i madh vlerësohet se është te taksa e punës, akciza dhe në dogana. Për më tepër që janë bizneset e mëdha ato që japin kontributin më të madh në buxhet, ndërsa biznesi i vogël ka qenë një burim shumë i mirë vetëpunësimi.

Shumë biznese të vogla, të gjendura nën këtë presion po i bëjnë mirë llogaritë, nëse ua leverdis që të mbajnë aktivitetin, apo të mbyllin atë. Dhe nëse do të zgjidhnin alternativën e dytë, kjo do të shtonte armatën e të papunëve, në mungesë të burimeve të tjera të punësimit. Të dhënat zyrtare treguan se në 2014-n u shtuan vetëm 12 mijë vende pune, ritmet më të ulëta në vitet e fundit, ndërsa bizneset (të mëdhatë) po hezitojnë të investojnë, e konfirmuar kjo nga deklaratat e bankierëve, që pohojnë se një nga arsyet e rënies së huasë në muajt e parë të këtij viti është pikërisht mungesa e kërkesës për kredi për investime nga sipërmarrjet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here