“Le Courrier des Balkans” Maks Velo: Intermexo në vargje, guash e vizatime

0
164

 

maks veloStudiuesi Luan Rama në një skicë imazhesh e vargjesh që përshkruan piktorin dhe shkrimtarin Maks Velo, jetën dhe lidhjet e tij me Parisin, botuar në “Le Courrier des Balkans”, e sjell në shqip në 80-vjetorin e lindjes së tij

 

 

 

«Pi verë, në buzë kam tërë Francën e vjetër…» – Maks Velo

 

Luan Rama

Herën e fundit që Maks Velo ishte në Paris, nuk arrita ta takoja. Por një mesazh më njoftoi për librin e tij të sapobotuar në Paris nga shtëpia botuese “EMAIL” me titullin e thjeshtë «Paris». E mora librin në duar dhe krahas vizatimeve në tush e flamastër, lexova poezitë e tij për Parisin dhe menjëherë mu shfaq figura e tij e menduar, udhëve të këtij kryeqyteti që për Maksin është më shumë se për ne të tjerët: është vendlindja e tij. Po, prindërit e tij ishin këtu kur ai do të lindte një ditë të vitit 1935, nën një nga ato çati të plumbta që ngacmojnë ende shpirtin e tij përmes pastelit dhe vargut poetik. Gjatë këtyre dy dekadave, rikthimet e tij në Paris u përngjajnë prehjeve, përkundjeve, nostalgjisë së kujtesës. E megjithatë, poezia e tij rrallë herë është e gëzueshme. Është një poezi e trishtë, «bodleriane», e trishtë ashtu siç është dhe ecja e tij buzë lumit të Seine-s, sikur të ketë mbi supe një barrë të madhe. Ja pse shpirti i tij këndon trishtë me poezinë Dhe pesha e jetës rëndohet:

«Tani kuptojmë të vërtetat/ gëzimet nuk na gënjejnë më/ dhe hidhërimet e ligësitë/ i presim gjakftohtë, pa zë/ Eci anës Senës, lumit të qetë/ në të kundërt të rrjedhës;/ më kot kërkoj të takoj/ burimin e pastërt, fillesën».

Këto vargje në këtë libër të parë të llojit të vet në Shqipëri si “Livre d’Artiste”, e bëjnë atë një lloj Sizifi, pasi vërtet, nëse Maks Velo është një zë që kërkon të ndalë të keqen, fjalën e tij gjithnjë kanë dashur ta mbysin, ta deformojnë apo për shkak të saj ta sulmojnë duke fyer gjithë vuajtjen e tij në burgjet totalitare. Por artisti është kokëfortë. Ai nuk do ta ndalë luftën e tij për të Drejtën, për Progresin, pasi në vizionet e tij është gjithnjë Ardhmëria. Ai e ka njohur «tunelin» dhe gjithnjë i ka mbajtur sytë drejt dritës që shfaqej në fundin e saj. Pra ai nuk është disfatist, përkundrazi, një pesimist entuziast. Ja pse dhe «fillesa» e tij ka simbolikën e vet: është idealja. Dhe për këtë, piktori-poet ka filozofinë e tij, një filozofi e vjetër sa bota, siç e shkruan dhe në poezinë tjetër Vëllezër njerëz:

«Kështu pat thënë François de Montcorbier: «Vëllezër njerëz që mbas nesh do të vini/ kundrejt nesh mos kini zemër të egërsuar»…

Dhe Velo vazhdon: «E përfytyroj çdo mbrëmje në tavernë/ në njërën dorë ka broken plot me verë/ tjetrën poshtë fustanit të bukuroshes…”

«Vëllezër-njerëz!» Këto dy fjalë kanë një tjetër peshë në gojën e një artisti që ka provuar linçimin. Duket qartë se ky artist është i zhgënjyer nga shoqëria ku jeton. Jo pse ai priste të jetonte në një shoqëri ideale siç e kishin projektuar dikur utopistët More apo Campanella, por sepse ai kishte shpresuar se në këto dy dekada, pas shembjes së diktaturës, shoqëria shqiptare do të ngjiste shkallët e së Drejtës, të Qytetarisë dhe të Respektit ndaj tjetrit e ku fjala «vëllezër» do të kumbonte me një krenari të ligjshme dhe do të bëhej një emërtim i përbashkët i njerëzve që kërkojnë të ndërtojnë një jetë më të mirë. Por nëse artisti kërkon që ata që do të vijnë, gjeneratat e tjera, të mos kenë një «zemër të egërsuar», këtë e thotë sepse kjo ndjesi nuk ka përfshirë vetëm atë, por ajo është bërë një shprehi e përditshme, e dukshme, në pamje direkte apo përmes mediave, ku është lehtë të përbaltësh, të dhunosh, të fyesh, të vrasësh të përgojosh, jo vetëm artistin apo njeriun që kërkon të përfaqësojë vullnetin e popullit, por krijesën njerëzore që lind e lirë dhe aspiron të jetë i lirë dhe i barabartë me të tjerët. Dhe kjo padyshim e bën artistin të trishtë, që dhe kur vjen në Paris, që kërkon për të fjetur në hotelin më të lirë, (Verlaine, Rimbaud apo Van Gogh a nuk i provuan këto mansarda të vjetra, por me aq shumë dashuri?), ai përsëri të kujton gjëndjen e tij shpirtërore e materiale:  «Hotelin me shkallë druri/ të ngushta spirale që kërcasin/ e paguaj nga mbetja e faturave të jetës…»

Po, artisti jeton veç në sajë të artit të tij. Ai nuk ka rendur pas pasurisë, ofiqeve, kompromisit me pushtetin, militantizmit politik për të përfituar privilegje e para. Ai nuk ka dashur ta cenojë asnjëherë identitetin e tij. Dhe kjo nuk e ka penguar artin e tij. Përkundrazi, i ka dhënë shpirt, vibrim, forcë, siç e gjejmë dhe në poezinë e tij kushtuar Van Gogh-ut, piktorit të preferuar, emrin e të cilit, hetuesi në burg ia thoshte atij në mënyrë të shëmtuar, pasi hetuesi i dikurshëm shqiptar, kjo vegël e dhunës, kujtonte se Van Gogh, ky «borgjez i fëlliqur» dhe idhull i Velos, duhej të ishte ndonjë armik i madh i stalinizmit! Ja çfarë shkruan Velo në librin e tij për pikëtakimin me Vincent dhe Théo Van Gogh në Auvers-sur-Oise, jo larg Parisit, ku piktori ishte tërhequr në vitet e fundit të jetës së tij e ku para një fushe me grurë, atje ku hidhte penelatat e tij mbi kavalet, një ditë kishte vrarë veten:

«Van Gogh në Auvers-sur-Oise/ pikturoi çdo gjë:/ kishën e vogël në arën me grurë/ doktor Gashenë/ dhe bashkinë me flamur./ Çdo telajo ishte një festë/ siç pjekim bukët për të diel./ Vetëm për varret/ të vetin dhe të Téo-s/ nuk pati kohë!»

Vështroj pastelet impresioniste të Velos, skicat dhe imazhet e mjegullta të një Notre-Dame, një Sacre-Cœur, Pont Neuf, Eiffel apo Louvre, ato vizatime krah poezive të tij, dhe shumë kujtime të viteve të shkuara më çojnë në pikëtakimet tona në Paris, në ekspozitat e tij kur piktori rrethohej me aq shumë dashuri nga artdashësit francezë, atëherë kur prezantonte ciklet e tij të dhunës totalitare e më pas, librat si Commerce des jours etj. Skica të mrekullueshme në Paris apo Aubergenville, kur kujtimet e burgut ishin ende të nxehta, digjnin dhe klithnin me ngjyrën e tyre të zymtë. Velo ndjek një traditë të njohur tashmë në Francë, atë të shkrimtarëve-piktorë, të letrarëve artistë. Poeti i njohur Henri Michaux ishte gjithashtu një piktor i mrekullueshëm ashtu si mjaft të tjerë, ndërkohë që dhe i shtrenjti ynë Ernesto Sabato, pas letërsisë iu kthye dashurisë së tij të hershme, pikturës. Vargje thurnin dhe Arp e Miro. A nuk pikturonte aq bukur dhe me një simbolikë të madhe Victor Hugo, apo Proust, i cili në faqet e dorëshkrimeve të tij vizatonte shpesh mjediset ku zhvilloheshin ngjarjet apo portretet e personazheve të tij? Fantazma e «të dënuarit me vdekje» lindi te Hugo se pari në vizatimet e tij, para se të bënte «pleduarinë» e tij kundër «dënimit me vdekje». Ngjyra, linja, dhe poetikja të pleksura bashkë brënda një shpirti që kërkon të flasë e ku gjuha herë ka trajtën e shkronjave e herë atë të ngjyrave. Që në kohë të vjetra, Leonardo Da Vinçi fliste për këtë konkurrencë mes poezisë dhe pikturës në traktatin e tij të famshëm për pikturën, «Trattato della pitura». Leonardo vinte pikturën mbi poezinë, ndërkohë që poetët e Antikitetit, të traditës homerike apo të epokës së Virgjilit roman, e vinin poezinë në majën e Olimpit të arteve. Në historinë e artit ka ndodhur që piktorët janë kthyer në poetë. Siç duket ata e kanë ndjerë tmerrësisht nevojën e Fjalës. Përse vallë? Me siguri që ndjenja e parë përballë një imazhi ka qenë një ndjesi poetike. Kështu ata, pa kuptuar, kanë mërmëritur së pari poezinë me dëshirën për të thënë atë që do kërkonin të thoshin përmes pikturës, ashtu siç shkruan dhe Velo ne një nga poezitë e tij: «Mjegulla/ si ekran kinemaje pa zë/ Sena ngrihet lart/ lundron mbi retë/…»

Vegime të tilla kisha lexuar në poezitë e Arthur Rimbaud-së kur shkruante për katedralen e ngritur në qiell. Ishte një imazh që kishte përballë. Apo më mirë një refleks i katedrales në ujin e lumit që shkonte. Gjatë një shekulli, historianët e artit dhe biografët e tij janë përpjekur ta deshifrojnë këtë varg dhe duket se ia kanë mbërritur. E duke menduar kështu, ne rivijmë gjithnjë me mendjen tonë në shëtitjet e Velos në Saint-Michel dhe rrugicat e Quartier Latin, në shtëpitë e vjetra dhe historike të Marais-ë së kohës së Revolucionit, në Sheshin e Bastilles apo buzë Senës, në Quai Voltaire, nën dritaret ku u shua shpirti i iluministit të madh Voltaire. Buzë Senës, me dhjetëra herë ai është ndalur pranë bukinistëve të deshifrojë botën e atyre njerëzve dhe magjinë e këtij qyteti kaq të lidhur me librin: «Poshtë kapakut metalik/ varur në shpinën e Senës/ dyqani më i vogël në botë/ por dhe më fisnik/ me libra ngjeshur/ mezi marrin frymë/ vendosur në rradhë, si reparti për Hymn…»

Dhe Maks Velo ulet për një çast, rrëmben lapsin dhe vizaton mbi letrën e bardhë. Punon në tush apo pastel. Tashmë përballë ka katedralen Notre-Dame dhe këmbana të Parisit. E tek skicon konturet e saj, vargjet ngjizen brënda shpirtit të tij: «Kupola në miniaturë/ varur në qiell/ si këmborët në qafën e dhive…». Po. Gjithçka është asociacion imazhesh, ndjesish, idesh, simbolesh. Ashtu siç dhe ky piktor-poet shkruan poezinë Kolazh: «Qielli i Parisit/ letër pastel në gri…» Maks Velo, i cili e di se jeta ka qenë e vrazhdë me të (jo jeta, por sistemet politike), përsëri është një poet i fjalës si dhe i formave, pra një artist delikat. Kujtoj një ditë të largët, 15 vjet më parë kur në periferi të Parisit, në një dhomë të marrë me qera e të improvizuar në atelier, ai jetonte né kushte spartane: letër, laps dhe një frymëzim të pagjumë. Buka e tij e përditshme ishte ai frymëzim që vinte nga pikëtakimi që kishte me Parisin e ëndërruar. Nuk e kam pyetur asnjëherë nëse në Spaç e ka ëndërruar Parisin, nëse ka përjetuar një Paris imagjinar, ku kishte parë dritën e parë të jetës dhe ku kishte jetuar me librat e piktorëve dhe poetëve të tij. Me siguri që po. Pasi Parisi për të, si dhe për gjithë bashkëvuajtësit e tij ishte atdheu i Lirisë. E pra në këtë vendlindje, (ai mund ta quajë me shumë dëshirë këtë) ai krijonte artin e tij, larg censurave, diktateve, interesave të ngushta e meskine. Ishte ai dhe piktura. Artisti përballë artit. Artisti si pjellë e Artit.

 

Gjatë dy dekadave, Parisi u bë një prehje e shpirtit të këtij artisti. Sa herë kthehej në Tiranë, shpirti i tij ishte një tallaz, sepse Velo nuk e duronte demagogjinë, hipokrizinë, kompromisin me pushtetin e vogël. Maks Velo e shikonte dhe e sheh si të shenjtë emrin Artist dhe misionin e artistit. Artisti është mbi pushtetet: artistët, filozofët, intelektuali i vërtetë, këta pinjollë të Sokratit që dinë të shkojnë drejt «demosit», që dinë të flasin në emër të vetvetes dhe në emër të popullit, që kanë kurajon të dalin në shesh, të protestojnë, të ngrenë zërin, të gatshëm për sakrificë. Kështu, duke ardhur në Paris, i lodhur nga kaosi e trazirat e mëdha në vendin e tij, Velo kërkon njëkohësisht dhe prehjen. Ecën buzë Senës ndalon me një mik në bistrotë parisiene dhe pranë një gote vere vizaton e thur vargje:

«Pi verë/ në buzë kam tërë Francën e vjetër…”

Vallë ka në gojë shijen e një Baudelaire, një Rimbaud, të këtyre dashnorëve të mëdhenj të verës dhe poezisë?.. Apo ngjyrat ngazëlluese të një Degas, Bonnard, Cezan, ku pastelet e tij të fundit ndjenin mallin e impresionistëve. Velo vështron linjat e këtij qyteti sikur ky qyet të kishte trajtat e një vajze të bukur, dhe kështu ai kërkon t’i këndojë ashtu siç i këndonte njëherë një Apollinaire apo një Cocteau e Max Jacob, të cilët ishin piktorë e poetë njëherësh. Për Velon, «Çdo gjë është e butë/ çdo gjë është ëndërr/ perfeksion spontan / në gri, në blu/ është jeta në rozë…» Dhe tek ai humbet tutje në sfondet e urave të shumta mbi Seine, përkundur nga zëri i një Edith Piaff «Jeta në rozë», («La vie en rose»), ne rithemi me ëndje vargjet e tij mbi urat e këtij qyteti që lidhin brigje dhe shpirtra:

«Urat e Parisit si këmbë të bukura femrash/ futur në Senë/ fustani i ngritur sipër/ bërë urë…»

Dhe papritur imagjinojmë gjithë urat e botës si këmbë grash, që lidhin e pleksin në vetvete jetë e dëshira, dashnorë të humbur gjer dhe pikëllime e vetëvrasje. Pikëtakimet e Velos me Parisin, vargje të kthyera po aq poetikisht në frëngjisht nga Evelyne Noygues janë si «Intermexo» të këndshme, herë të trishta e dëshpëruese për atë çka dëshiron artisti e herë me një dritë shprese. Sidoqoftë, vargjet e pastelet e këtij libri, janë një homazh, si mijëra homazhe që artistë të botës i bëjnë Parisit, këtij qyteti që ngërthen aq shumë nostalgji, ëndrra e dëshira të mëdha.

Botuar në Courrier des Balkans, janvier, 2012 (në frëngjisht).

 

 

 

Info/kult

Një kolonë anash

 

 

Fatos Lubonja fiton çmimin “Prince Claus” në Holandë

 

Fatos Lubonja është shpallur fitues i çmimit “Prince Claus” në Holandë, që shpërndahet për personalitete të fushave të ndryshme. Gazetari shqiptar është një ndër dhjetë laureatët e çmimit “Prince Claus”, të cilët janë të fushave të ndryshe si fotografia, muzika, letërsia etj.

“I pavarur dhe objektiv vazhdimisht në analizën e tij, Fatos Lubonja është një zë kryesor për kritikën në vendin e tij. Shkrimet e tij ofrojnë një pamje të kulluar të ngjarjeve në historinë e kohëve të fundit të Shqipërisë. Një kontribuues i rregullt për gazetat dhe komentues televiziv, si dhe redaktor dhe botues i një reviste kritike, ai trajton çështje të ndjeshme dhe pa frikë flet të vërtetën”, – thuhet në përshkrimin e çmimit të Lubonjës.

Fatos Lubonjës i jepet ky çmim për përshkrimin që i ka bërë në letërsinë e tij episodeve kyçe të historisë së Shqipërisë; për ruajtjen e integritetit intelektual dhe të pavarësisë në momente ekstreme, për luftën e vazhdueshme për demokraci, të drejta të njeriut, fjalën e lirë dhe të drejtën për të treguar historinë e vendit të tij në një kontekst ku liria mbetet ende e brishtë; për zgjerimin e hapësirës së debatit publik e krijimin e platformave për zëra të tjerë kritikë; si dhe për thënien e së vërtetës pa frikë ndaj pushtetit.

 

 

Luiza Xhuvani ngjitet në skenë si Hamleti

 

Është mbajtur sekret nga drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental, Kiço Londo, por mikesha e tij, tashmë jo deputete e PS-së, pra aktorja Luiza Xhuvani, do t’i rikthehet skenës së teatrit, por me një rol të pazakontë, do të luajë Hamletin. Dilemën shekspiriane “Të jesh apo të mos jesh”, që mund të ketë qenë pjesë e gjendjes së aktores, tashmë do ta përcjellë edhe për publikun. Xhuvani do të luajë rolin e Hamletit në tragjedinë e Shekspirit, i cili do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” më 10 tetor, raporton shekulli.

Vepra është marrë përsipër nga regjisori Enke Fezollari, ndërkohë që puna ka nisur për të risjellë në skenë “Hamletin”. Fezollari do t’ia përshtatë portretit të Luiza Xhuvanit. Mësohet se, Fezollari ka ndërtuar në mendjen e tij imazhin e Hamletit femër, në momentin kur pa Xhuvanin në rolin e Margaritës në skenën e Athinës.

 

 

Një kolonë anash

 

Njeriu me kamera

 

Dziga Vertov (1896-1954) dhe “Njeriu me kamera” hapin “Javën e Filmit Pa Zë” duke nënvizuar bindjen tonë, të frymëzuar prej këtij autori, në konceptimin e kinemasë si art jo-fiktiv apo ekskluzivisht argëtues, por real, imanent me realitetin, me një gjuhë dhe dinjitet të vetin që duhen lexuar, interpretuar dhe rigjallëruar.

Bashkimi Sovjetik i fillimshekullit të kaluar kishte nevojë për një medium të ri dhe një gjuhë të re për të dokumentuar risinë dhe freskinë e jetës së revolucionit. Dhe arti i Vertov-it është i sintonizuar në të njëjtën frekuencë valësh që arrin majat e tij tek “Njeriu me kamera”, një film meta-kinematografik që sot e kësaj ditë përbën një nga thesaret më të pasura gjuhësore të artit të shtatë.

Por, siç ndodh shpesh, revolucioni i pushtetit politik dhe ai i artit politikisht të angazhuar e kanë marrëdhënien dhe bashkëjetesën idilike afatshkurtër. Pushteti politik me ndërhyrjet staliniste po merrte rrugën e atrofizimit të realizmit socialist, ku një autoriteti hierarkik, unik, i gjithëpushtetshëm vendos leximin, interpretimin dhe krijimin e realitetit që kthehet në një të vërtetë të njëtrajtshme. Ndërsa Dziga Vertov, nga ana tjetër, po zbulonte një gjuhe filmike polifonike, po arrinte të zbërthente autoritarizmin e montazhit, e konstruktit, e idesë unilaterale të realitetit që mundësohet vetëm nga pajtimi, mospërfshirja apo neglizhenca e një pluraliteti subjektesh si dhe nga tendenca alienuese e mjetit teknik dhe aftësisë së tij në riprodhueshmërinë artistike (Benjamin). Projekti vertov-ian KinoGlaz (KinoSyri), përveçse tentativa e parë e një kinematografie jo të recituar, tregon, nga kjo pikëpamje, perceptimin makinik të njeriut të robotizuar, të alienuar, por edhe të vetëdijshëm, që s’rresht së shfaquri këtë kusht të jetës së tij.

Dziga Vertov, më me fat sesa Majakovski apo Mejerchol’d-i, do të vdesë gjysmë i harruar në 1954. Me artin e tij pasuroi kinemanë me “fjalët e veta”, me sintagma kinematografike, me elementë minimal kuptimorë që krijuan një gjuhë elementare e cila nuk u shndërrua kurrë në dogmë. Ai frymëzoi Nouvelle Vague-n francez e sa e sa kineastë të tjerë, që vazhdojnë dhe e citojnë me mirënjohje këtë monument të artit të kinemasë në veprat e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here