Drama e Laertit, çjerrja!

0
131

Laerti

Violeta Murati

Tragjedia e Sofokliut, “Elektra”, është bërë e njohur për publikun shqiptar, së pari nga një vënie më 2010 në Teatrin Kombëtar, me regji të Adonis Filipit dhe në fillim të këtij viti në teatrin e Durrësit nga Laert Vasili. Në funksion të regjisorit të dy emrat e mësipërm e kanë kaluar së bashku këtë përvojë. Vasili e ka sprovë të parë një vepër kaq të madhe nga antikiteti, të cilën dy net më parë e realizoi edhe në Butrint, si pjesëmarrës në edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Butrintit

 

Tragjedia e Sofokliut, “Elektra”, është bërë e njohur për publikun shqiptar, së pari nga një vënie më 2010 në Teatrin Kombëtar, me regji të Adonis Filipit dhe në fillim të këtij viti në teatrin e Durrësit nga Laert Vasili. Në funksion të regjisorit të dy emrat e mësipërm e kanë kaluar së bashku këtë përvojë. Vasili e ka sprovë të parë një vepër kaq të madhe nga antikiteti, të cilën dy net më parë e realizoi edhe në Butrint, si pjesëmarrës në edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Butrintit.

Shkallët e gurta u mbushën përplot me publik si gjithmonë, kur ndodh që vihen shfaqje shqiptare ose greke në amfiteatrin e Butrintit.

Shfaqja iu përgjigj këtij publiku me çjerrje. Ndoshta Vasili, si regjisor i ri, ka pasur asin nën mëngë, për shkak se ka qëndruar një kohë të gjatë në Greqi dhe ndoshta i ka qëlluar rasti më shpesh të ishte në kontakt me teatrin grek. Por si duket, gjithë kjo përvojë nuk e bëri dot regjisor të antikitetit, fjala për performancën që pamë në Butrint.

Lënda e kësaj tragjedie është e mbushur me dramë, me psikë të rënduar, me vaje, me gjëma. Është një tragjedi që trondit psikologjikisht e shpirtërisht. E çon njeriun në përballjen më të egër, më të pamëshirshme, më të ndyrën – me krimin në familje. Prindër që vrasin fëmijën e fëmijë që hakmerren ndaj tyre. Brenda këtij krimi shpërthimet njerëzore bëhen gjëma, sepse ky është sinori i fundit i ekzistencës së shoqërisë.

Elektra së bashku me vëllain e saj kërkojnë të hakmerren ndaj nënës së tyre, e cila kishte vrarë babain e tyre. Një dhimbje e akumuluar, e mbushur me urrejtje në pritje të gjatë për shpagim.

Gjithë këtë gjendje nuk ishte e mundur ta shihnim. Pa dinamikë, pa ritëm, pa mizanskenë, shfaqja ka kaluar në gati një orë e gjysmë e shtrirë në skenë, duke krijuar një statizëm dështak për aktorët. Të shtrirë në skenë, në të shumtën e kohës, teksti i veprës nuk kalonte përmes aktorëve, të cilët vetëm bërtisnin panevojshëm, e në raste të tjera zërat e tyre mbyteshin nga muzika. Qysh në fillim kur u vunë në skenë në një trekëndësh triniteti, aktorët u dukën të lodhur, të rraskapitur, jo siç mund ta prisnim për shkak të dhimbjes. Ishte e panevojshme të shihje aktorë të lodhur e të djersitur në fytyrë ende pa nisur loja. Pasthirrmat e gulçimat, ashtu shtrirë, nuk transmetonin ndonjë element natyror të interpretimit. Sforcimi për të përqendruar dritën, si duket element në të cilin ishte mbështetur shumë regjisori, nuk krijonin ndonjë konfigurim artistik. Një linjë rutinore horizontale e skenës bëhej e mërzitshme, duke humbur konstruktin e gjithë veprës.

Ajo vepër nuk arriti dot të ngrihej në këmbë.

Ndërsa është thënë jo pak herë, por ndoshta dhe vetë Vasili e di, se tragjeditë antike duan përgatitje specifike, aq më tepër kur një teatër nuk ka përvojë. Dhe aq më keq kur një regjisor e merr si rrisk. Publiku nuk pati mundësinë të shihte një realizim origjinal, qoftë edhe me një fije të hollë estetike. Aktorët me punën e tyre ishin shpërdoruar duke lënë jashtë çdo mjet dhe natyrë të dramës.

Teatri i Vasilit kaloi pa ide, pa sugjerime e propozime skenike. Shtrirë për tokë, aktorët bërtisnin duke mos lënë dot as gjurmën e gjëmës, duke e shndërruar qaravitje të rëndomtë, se artistike jo e jo. Përderisa kjo mënyrë e dhënies së tragjedisë është tërësisht në duart e regjisorit, ndoshta në këtë rast Vasili ka keqkuptuar punën artistike me përvojën e tij të të parit tragjedi. Lojës në Butrint i mungonin mjetet e tragjedisë, përveç amfiteatrit të gatshëm, që e shpëtoi nga dështimi këtë vepër.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here