Moti dhe tekat njerëzore, ku po shkohet?

0
123

Ndryshimet klimatike“Bashkimi Europian nuk mund të mbërrijë të përmbyshë synimet e tij të përcaktuara, nga viti 2015 deri në vitin 2025, në lidhje me reduktimin e emetimit të gazit karbonik në ajër, nëse nuk përballet seriozisht me ndotjen mjedisore te shkaktuar nga makinat. Disa vende anëtare  po ushtrojnë trysni që BE-ja të skicojë një synim ambicioz, ndërkohë që disa vende të tjera, me në krye Gjermaninë, shpërfaqin një qëndrim më të tërhequr”, raporton “Presseurop”.

* * *

Kryelartësia njerëzore dhe dukuritë natyrore

Nga përmbytjet, te rrezet përvëluese të diellit: natyra nuk ka reshtur ndonjëherë ta kthejë njeriun në përmasat e tij të vërteta, sa të një kokëgjilpëre, sa të një liliputi, në një planet të keqtrajtuar që duket se ndonjëherë ia kthen kusurin edhe qytetërimeve.

Nuk duket se habitë sosin ndonjëherë për hundpërpjetët sa më s’ka, për banorët e Tokës, deri sa ata t’ia mbushin mendjen vetes se nuk janë të zotët e Botës.

Pa llogaritur këtu që habia jonë e dyfishtë pështjellon gjendjen e keqe të humorit dhe lë pas dore shqyrtimin në imtësi të sjelljeve tona të pahijshme, të të shkretëve njerëz, që vetë ata janë përgjegjës për çka u ndodh: për të mos ndërtuar më shtëpi pranë zonave të përmbytshme, për të mos shkuar në plazhe për të bërë banjo dielli gjithë ditën e ditës, këto ditë të pikut të verës ku të përcëllohet lëkura.

Kushtet klimatike – sa të pazakonta aq edhe normale – që ne po pësojmë mbi shpinat tona duhet të na shtyjnë t’i vëmë gishtin kokës për t’u treguar më të thjeshtë: shkenca dhe teknologjia, fryt i gjenialitetit njerëzor, nuk mund të na shpëtojnë nga të gjtha rreziqet që na kanosen nga tekat e motit, dhe njeriu është me fat nëse ia del paq këtyre dukurive. Era, uji, zhegu dhe acari janë bashkëudhëtare të jetës sonë, shpeshherë për mirë, jo rrallë herë edhe për keq. Të fashitësh nga mendja këtë realitet do të thotë ta shndërrosh njeriun në mjeshtër të magjive: ngrohja globale është pasojë zulmëmadhe e kësaj verbërie të shfaqur prej shumë kohësh.

Thjeshtësia është virtyti më me vlerë që duhet të zërë vend në qëniet tona dhe të na forcojë karakterin për t’u sjellë si durimtarë. Ca kohë më parë, autoritetet valone ndaluan rishtas mjete e tonazhit të rëndë për të qarkulluar. Ashtu si shiu i beharit, edhe polemikat vetëkuptohet që zunë të mufaten. A është me vend një vendim i tillë? Përgjigjia është PO. A nuk i duhet dhënë përparësi interesave ekonomike që mbart transporti rrugor? Përgjigjia është JO.

(Marrë nga “Le Soir”; nga Eric Deffet).

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here