Kujtim Çashku, aksidentalisht me krimet komuniste!?

0
179

Violeta Murati

agim qirjaqi ne rolin e kolonelitNë Akademinë “Marubi”, më 29 qershor, regjisori Kujtim Çashku rikthen në një projeksion special filmin historik “Kolonel Bunker”, me praninë e Anna Nehrebecka, e cila është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri”. I realizuar në vitin 1998, një bashkëprodhim Shqipëri, Francë dhe Poloni, në këtë dramë historike luan edhe aktori Agim Qirjaqi

Shqipëria e vitit 1974. Nuro Meto është i ngarkuar të mbrojë kombin kundër “armiqve të padukshëm” vendos që “bunkerizimi” është vetëm kuptimi i rezistencës ndaj ndonjë sulmi të befasishëm. Kolonel Bunker, “mbrojtësi suprem i kombit” është një monstër aparatiçik, i lindur. Ai ka ndërtuar rreth 800 mijë bunkerë, duke asgjësuar çdo gjë në rrugën e tij dhe duke bërë një sy qorr ndaj gjyqeve dhe ekzekutimeve. Ndërkohë, gruaja e tij, e pafuqishme, është dëshmitare e përkeqësimit të paranojës së tij. Ky film ka një histori të gjatë nga realizmi në vitin 1996 deri në projeksionin e premierës në vitin 2006, kur për herë të parë shfaqet në ekranin shqiptar, pavarësisht se në vitin 2000 mori një kupë në Festivalin e 11-të të Filmit. Çfarë e ka shtyrë regjisorin të çlirojë fatin “bunker” të filmit të tij, pikërisht në këtë moment? Në 50-vjetorin e rënies së diktaturës në vendet e Lindjes, kur filmi i shfaq ishte i simbolika në këtë kujtesë.

Regjisori që shmang stilin e kinemasë së tij, kur e etiketojnë si kinema historike, dokumentacion apo më shumë kundërshtues, atë me sens politik, dje ka prekur ndjeshmërinë e tij personale. Në një moment të tillë politik, kur aktorët e politikës nxehen dhe nisin e mbyllin kur të duan lojën e dosjeve të krimit komunist, duket se për regjisorin nuk përbën thjesht një rastësi. Në mos qofshin arsye komerciale për të ngacmuar ndjeshmërinë e fjetur intelektuale, gjithmonë në një të shkuar, shfaqja e këtij filmi në këtë moment shënon një fakt të dukshëm: një film politik, në një moment politik. Kur mediat janë në një front të fortë ballafaqimi politik për këtë proces të së kaluarës, siç është krimi komunist, ky regjisor hyri si një zë i vetëm sensibilizues në 2006-ën. Çashku ka treguar se filmi i tij është krejt rastësisht në këtë ditë, duke u shprehur se “mbase në këtë drejtim mund të jetë mirë, që në një moment kur sensibilizohet opinioni për një çështje të caktuar, pra me krimet e sistemeve totalitare dhe në mënyrë të veçantë me krimin e sistemit totalitar shqiptar, është në interesin tim kur një opinion fillon të sensibilizohet në këtë drejtim, në një moment që vjen edhe vepra”. Ky film regjisorit i kujton vitin ‘91, kur me projektin e tij për të drejtat e njeriut kishte zbuluar errësirën e befasishme nga diktatura. Kishte vizituar burgjet në grahmën e fundit të komunizmit, kishte parë nga afër pasojat e torturave çnjerëzore. Por ajo që e ka frymëzuar Çashkun ka të bëjë me jetën e kolonelit të famshëm të bunkerëve, Josif Zegalit, i cili ka drejtuar ndërtimin e 400 mijë bunkerëve ndërmjet viteve 1974 dhe 1985. Izolimi i vendit, paraqitja nën diktaturën komuniste dhe ngritja graduale e mentalitetit bunker të shoqërisë ndërtoi një patologji kombëtare. Çashku tregon se nuk ka marrë përsipër të thotë në gjithë filmin e tij krimet e diktaturës, apo të bëjë autopsinë e regjimit totalitar. Nxitja e tij nga letrat e Josif Zegalit, si teknicien, drejtuar Enverit lidhur me bunkerët, nëpërmjet kësaj ngjarjeje jepet e gjithë kronologjia e individit në një regjim diktatorial, e vendosur në rol nga aktori Agim Qirjaqi. Ky është antiheroi, ashtu sikurse Çashku e cilëson si një element personal në kinemanë e tij. Tragjizmi që pasqyron regjisori në “Kolonel Bunker”, historia si thriller kinematografik, e mban pikën kulmore tek absurdi i diktaturës. Por jo në thellësinë e dramaticitetit psikologjik që shfaqte ajo kohë. Regjisori ka treguar se për këtë film ka shfrytëzuar vizitat e tij në burgje në fund të viteve ‘90, në kohën kur ishte përfshirë në sensibizimin e kartës së Helsinkit, duke krijuar forumin e të drejtave të njeriut. Kjo është gjithë e kaluara dokumentuese që përcjell regjisori për këtë film, pa hyrë në të thellat e pariparueshme ende të krimit komunist, mbi njerëzit që patën direkt pasojat e diktaturës, për rebelim të të cilit u dënuan. Ky është rasti që regjisori ndahet nga filmi, duke u shprehur se vazhdon ta ketë si intelektual ndjenjën e sensibilizimit, por duket jo me ritmin kur iu desh realizmi i këtij filmi. Më poshtë, ribotojmë intervistën me Çashkun në rastin e premierës në 2006

 

Filmi juaj del nga fati “bunker”, i cili megjithëse është realizuar në vitin 1996, vonë shfaqet për publikun. Pse gjithë ky hezitim?

Në fakt nuk mund të quhet premierë. Kjo quhet distribucion. Ne kemi organizuar një premierë në 1996-ën. Nuk pati shansin të vazhdonte distribucionin që ne e nisëm tani pas 10 vjetëve, duke qenë se në atë kohë nuk kishim salla kinemaje. Ka qenë një moment kur Shqipëria gati rezultonte pa salla kinemaje dhe presioni në atë kohë filloi të bëhej: përderisa nuk ka salla kinemaje, atëherë ne pse duhet të bëjmë filma? Gjë që ishte vërtet një absurditet i kohës, por mendoni sikur të ndodhte i njëjti fenomen: që siç u mbyllën sallat e kinemasë të ishte mbyllur dhe kinematografia, se çfarë gjëje fatale mund të ishte për ne të gjithë. Nuk do të ishin ato vepra që ne kemi parë më parë dhe gjatë ditëve të festivalit. Kështu që jam shumë i gëzuar që filmi nuk ndaloi prodhimin, pavarësisht nga mungesa e sallave të kinemasë, madje dhe sot filmi nuk po ndalon edhe pse ne kemi një sallë kinemaje.

 

Filmi vizionohet në një moment politik, kur është hapur debati për hapjen e dosjeve të krimit komunist, kur në vendet e Lindjes përkujtojnë 50-vjetorin e revolucionit kundër diktaturës. Një synim politik, si regjisor, duke na u paraqitur në një film politik?

Është një vepër që krijoi një qëndrim të caktuar politik dhe përkon me momentin që po e shfaqim tani. Në fakt, është krejtësisht një rastësi, sepse kam hyrë në negociata me kompaninë e distribucionit muaj përpara, pasi kam marrë një miratim nga ana e tyre që më në fund do ta shfaqim filmin. Mbase në këtë drejtim mund të jetë mirë që në një moment kur sensibilizohet opinioni për një çështje të caktuar, pra me krimet e sistemeve totalitare dhe në mënyrë të veçantë me krimin e sistemit totalitar shqiptar është në interesin tim kur një opinion fillon të sensibilizohet në një drejtim të caktuar, kur vjen edhe vepra në atë moment. Unë nuk marr përsipër absolutisht që të them në gjithë filmin tim a kam bërë një autopsi të regjimit totalitar. Për mua ka më rëndësi që jam përpjekur të futem në mentalitetin “bunker” të shoqërisë sonë, e cila edhe sot e kësaj dite ruan manifestimet e saj, marrëdhëniet që ajo ka brenda shoqërisë dhe mbizotëron ende mendësia e bunkerit. Kjo manifestohet nga intoleranca, nga pamundësia për të koordinuar interesa, nga ajo që quaj shpesh manifestime të patologjive kolektive, që mbetemi akoma në forma virusale si shoqëri për të reaguar ndaj një fenomeni apo një tjetri. Në këtë drejtim mendoj që filmi hedh dritë mbi një përgjegjësi individuale të secilit, sepse ajo që thuhet mund t’i bënte kolonel bunker vetes ishte kjo; që ai investoi një jetë brenda një sistemi, brenda një strukture. Në qoftë se në fund të jetës së tij ai mund të pendohej, ai nuk kishte më mundësi të riniste jetën e tij për ta ndërtuar ndryshe dhe ky është një apel për të gjithë ne, sepse në këtë jetë që ne kemi, ka shumë rëndësi akti ynë individual. Me këtë besoj se jam shumë afër filozofisë oksidentale, që ne na duhet ta vëmë në qendër të gjithë strukturës shpirtërore dhe mendore të popullit tonë, që filmi në të njëjtën kohë e hedh këtë dritë, mbi këtë përgjegjësi individuale.

 

Filmi juaj dëshmon edhe krime nga diktatura. A mund të na thoni çfarë materialesh arkivore apo dëshmi të gjalla keni shfrytëzuar?

Në vitin ‘90 kam qenë përfshirë në luftën për të drejtat e njeriut. Kam qenë i lidhur me “Amnesty International”, kam bërë denoncimet dhe sensibilizimet e para lidhur me të burgosurit politikë të asaj kohe. Në ‘91-shin kam qenë në disa burgje, ku akoma ishin rreth 1200 të burgosur politikë në Shqipëri. Për fatin tim këto vizita i kam kryer me disa struktura ndërkombëtare, jo vetëm me “Amnesty International”. Në atë kohë morëm iniciativën të krijonim me disa kolegë forumin e të drejtave të njeriut. Kjo eksperiencë e vizitës së burgjeve la padyshim gjurmë të mëdha në jetën time dhe u përpoqa ta reflektoj dhe në film.

 

Të burgosurit në disa momente ju i paraqitni si të çekuilibruar psikologjikisht. A keni pasur fakte për këtë situatë?

Unë kam në shtëpinë time rreth 500 fotografi të bëra në burgjet e asaj kohe (në vitin 1991) ku kam njerëz me gjymtyrë të prera dhe që detyroheshin të punonin në mënyrë të sforcuar. Këto i ruaj si arkiv dhe një ditë do t’ia bëj prezent publikut. Këto janë disa karaktere, disa personazhe të cilat reflektohen në film.

 

A vazhdoni të keni të njëjtin sensibilitet si intelektual, si në atë periudhë kohe që iu desh për të realizuar filmin?

Unë vazhdoj të jem anëtar i Komitetit të Helsinkit. Kam ndjekur dhe vazhdoj të ndjek nga afër disa nga takimet, dhe jam në kontakt me raportet. Ndërkohë kam bërë vizita në disa nga burgjet tona aktuale. Tani më shumë i jam përkushtuar kinematografisë dhe shkollës “Marubi”.

 

 

Frymëzuesi në filmin shqiptar

Për rreth një dekadë, Josif Zegali u bë protagonist i një cikli emisionesh televizive, si edhe personazhi kryesor në më shumë se 40 të artikuj të shkruar nga gazetarë dhe analistë vendas dhe të huaj. Në shumicën e këtyre shkrimeve qëndron “bunkerizimi i Shqipërisë” si tema nga më demaskueset të ish-sistemit totalitar. Një pjesë e këtyre shkrimeve kanë vijuar të botohen me rastin e vdekjes, pas saj dhe të fundmet në tetor 2006, në kuadër të shfaqjes së filmit artistik, me metrazh të gjatë “Kolonel Bunker”, në Tiranë. “Është figura e një personaliteti të shquar, Kolonel Josif Zegalit, në të cilën mbështeta figurën e personazhit qendror për realizimin e filmit “Kolonel Bunker”… Me jetën, veprën dhe kalvarin e vuajtjeve të Kolonel Zegalit, por dhe të familjes së tij, do të silleshin një mori temash dhe filmash pa fund”. Kështu shprehet skenaristi dhe regjisori Kujtim Çashku në konferencën për shtyp, më 19 tetor 2006, me rastin e shfaqjes për publikun, të këtij filmi, i cili ka bërë xhiron në rreth 40 vende të botës, konkurrent dhe kandidat për çmimin “Oscar”, nderuar me 5 çmime të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here