Fundosja e (pa)pritur e Dules

0
183

Nga Nebil ÇikaNga Nebil Çika                                         

Një nga befasitë e këtyre zgjedhjeve ishte dalja me “këpucë të kuqe” e partisë historike të minoritetit grek në Shqipëri, PBDNJ e Vangjel Dules. Si asnjëherë më parë kjo parti nuk arriti të fitonte asnjë bashki, ndërkohë që hegjemonia e saj në zonat e minoritetit grek në Jug, por edhe përfaqësimi politik në zona të tjera ishte pothuaj i papërfillshëm. Por, çfarë ka ndodhur që Vangjel Dule dhe partia e tij PBDNJ u tret si kripa në ujë pas dominimit pothuaj 25-vjeçar të politikës së minoritetit grek në Shqipëri?

PBDNJ, e krijuar bashkë me partitë e tjera shqiptare në fillim të viteve `90 si përfaqësuese politike e minoritetit grek në Shqipëri me gjithë numrin e kufizuar të votave të saj, ka dominuar politikën shqiptare për shkak të mbështetjes së fortë të saj nga Greqia, një vend anëtar i BE-së dhe NATO, me ndikim të fortë në Shqipëri, e veçanërisht në politikën shqiptare post-komuniste. Tranzicioni i vështirë shqiptar, varfëria, pasiguria, izolimi ndërkombëtar etj. bënë që politika greke të imponohej dukshëm në dy dekadat e para post-komuniste, ku PBDNJ do të kishte përparësinë të ishte partia e privilegjuar e kësaj situate. Si vend anëtar i BE-se dhe NATO-s, Greqia ushtronte presion të vazhdueshëm duke kushtëzuar integrimin euroatlantik te vendit me zgjerimin e pranisë dhe interesave të saj në Shqipëri, ku PBDNJ dhe pozita e sajë politike kishte një pozitë parësore.

Nga ana tjetër nevoja ekonomike qytetareve shqiptare të cilët ne mase emigruan në Greqi në fillim të viteve 1990 rritën shumë mbështetjen elektorale të PBDNJ e cila në shumicën e zgjedhjeve te mëpasme ka marrë vota shumë më shumë se numri i shqiptarëve me origjinë greke pikërisht duke shfrytëzuar hallet dhe nevojat ekonomike të tyre. Vizata apo letrat e qëndrimit ne Greqi te emigrantëve, pensionet e qytetarëve shqiptarë te akorduara nga shteti grek pa punuar ndonjë ditë në këtë vend te shtrira në pothuaj të gjithë jugun e vendit janë konvertuar në zgjedhjet e mëpasme në vota pragmatike për PBDNJ si të vetmen parti greke në Shqipëri. Pikërisht kjo situatë fryu artificialisht forcën dhe pozitën elektorale të PBDNJ duke e kthyer atë për shumë vite në parti në pushtet, pavarësisht cila nga partitë shqiptare i fitonte zgjedhjet. Të gjitha ishin gati për bashkëqeverisje, mjaftonte që drejtuesit e PBDNJ të ishin të gatshëm për këtë. Në këtë situatë, PBDNJ dhe Dule e kishin ulur festen mbi si, duke menduar se pozita e tyre kanakare do të vazhdonte përjetësisht gjë që në këto zgjedhje nuk u rezultoi kështu.

Sigurisht që ky ndryshim nuk ka filluar tani. PBDNJ dhe Vangjel Dule kane filluar tkurrjen e tyre politike vite më parë. Heqja e vizave me zonën Shengen dhe veçanërisht anëtarësim ne NATO i Shqipërisë ulën ndjeshëm ndikimin grek në vend dhe rrjedhimisht edhe rëndësinë e PBDNJ si e privilegjuara politike e elektorale e këtij ndikimi. Kriza ekonomike e Greqisë e cila ndodhet sot në prag të falimentimit apo daljes nga zona euro, ndaloi një tjetër aset politik e elektoral të PBDNJ, pensionet për te moshuarit shqiptarë në Jug. Vota pragmatike apo më mire të themi e blerë me viza, pensione apo përfitime të tjera që vinin nga Greqia është kufizuar ndjeshëm, ndërkohë që pozita ekonomike e sociale shqiptarëve ka ndryshuar shumë në këto 25 vjet.

Nga ana tjetër, shteti shqiptar, politik dhe institucionet kane rritur seriozitetin dhe nivelin e partneritetit dhe politikes se jashtme veçanërisht në raport me Greqinë vendin me të cilin kemi kaq e kaq probleme të pa zgjidhura. Përveç anëtarësimit në NATO dhe statusit të vendit kandidat ne BE, pozita shqiptare në raport me Greqinë është e rritur edhe për shkak të forcimit të pozitës sonë kombëtare në rajon. Pavarësia e Kosovës, bashkëqeverisja në Maqedoni, prania në Serbi dhe Mal të Zi si dhe numri i madh i shqiptarëve ne Greqi. Sot tregu shqiptar në rajon i kalon te 10 milionët, ndërkohë që përcaktojnë politikat në të paktën tre shtete. Kjo ka bërë që forca jonë në politikën e jashtme, veçanërisht në rajon të rritet. Kjo siç thashë, ka ulur ndjeshëm ndikimin grek në punët tona të brendshme dhe kanë kufizuar rolin dhe autoritetin e PBDNJ-së në Shqipëri.

Por PBDNJ, veçanërisht ne drejtimin e Dules, i ka kaluar dukshëm kompetencat dhe rolin e një partie politike minoritare. Me shume se përfaqësuese e minoritetit grek ne Shqipëri ajo ka funksionuar si prani apo pararojë e qarqeve nacionaliste greke me qëndrime apo pretendime të qarta antishqiptare. Shpesh here Dule dhe politikane të tjerë janë përfshire në debate e çështje që nuk kanë lidhje me minoritetin dhe interesat e tij, si çështja çame etj. Lidhjet dhe aktivizimi politik me organizata antishqiptare si SEVA, MAVI etj. e kanë kthyer PBDNJ në një parti të pa këndshme jo vetëm për shqiptarët por edhe për minoritetin grek i cili ka filluar të reagojë. Ka një pjesë të mirë të tyre që e shohin jetën e tyre në shtetin shqiptar në paqe e vëllazëri që kanë reaguar politikisht. Para disa vitesh, një tjetër parti e minoritetit grek MEGA u shfaq ne politikën shqiptare. Më racionalë se Dule ata u pranuan pa ndonjë problem nga ambienti politik shqiptar dhe shpejt bënë diferencën me PBDNJ. Minoritaret grekë që jetojnë në Shqipëri e kanë llogaritur jetën e tyre të lidhur me shtetin e popullin shqiptar dhe shpesh qëndrimet ekstremiste të z. Dule u kanë sjellë probleme edhe atyre. Për shembull, çamët që Dule i sulmon sa herë qe mundet mund të jenë komshi, miqësi apo krushqi të tyre. Nëse ata janë biznesmenë klientët e tyre janë shqiptarë të cilët të merituar nga politika e Dules mund të mos jenë me të tillë. Janë shumë pak grekë sot në Shqipëri e Greqi që besojnë në ëndrrën shoviniste të Vorio Epirit, të cilën Dule e ka shfrytëzuar deri tani politikisht.

Me pak fjalë politika nacionaliste është faktori kryesor i fundosjes elektorale te PBDNJ. Ne prag te këtyre zgjedhjeve Dule bërë një nga gabime që besoj se e vulosi përfundimisht fundosjen e tij. Ai reagoi ne mënyrën me bizantine të mundshme ndaj emërimit te kryetarit te partisë çame PDIU, parti shqiptare, Idrizit, nënkryetar i Kuvendit te Shqipërisë një detyre që Dule kreu i një partie greke e kryente prej dy vjetësh pa shqetësuar asnjë shqiptar persi edhe çamet. Kjo pa dyshim nuk kishte asnjë lidhje me minoritetin grek dhe interesat e tij pasi çështja çame ka te bëjë me shtetin dhe qeverinë greke. Për këtë Dule doli nga koalicioni me qeverinë dhe u fut ne zgjedhje e vetme. Sikur te mos mjaftonte kjo ai kandidoi për baskitë njerëz te njohur si anëtare të organizatave terroriste te akuzuar për vrasje te ushtareve shqiptarë e te tjera. Reagimi nuk vonoi. Jo nga shqiptaret por nga votuesit e tij te minoritetit grek. Përfundimi asnjë bashki te fituar dhe befasim minoren ne këshillat bashkiake. Një koalicion diku klandestin dhe diku i hapur me PD-në nuk funksionoi dhe duhet thënë se i dëmtoi dukshëm demokratet qe nga reagimi i shqiptareve dhe minoritareve në Jug humben disa bashki deri atëherë të sigurta si Saranda, Libohova etj. Por për këtë ne paçim nge do flasim një here tjetër. Dule humbi por jo vetëm kaq. Me politikat e tij por edhe me kushtet e reja gjeopolitike ne rajon ai çoi në kthimin e vëmendjes elektorale te qytetareve shqiptar me origjine greke te partitë shqiptare dhe ato me konstruktive greke. Fitorja e kandidatit te opozitës dhe e LSI-se në Dropull janë shenjat më të qarta të fundosjes politike e elektorale te Vangjel Dules.

Si përfundim, dua të theksoj se ka edhe shume prova, argumente e sidomos arsye që çuan Dulen dhe PBDNJ në këtë humnerë elektorale. Ka ardhur koha që minoritaret grekë që jetojnë këtu te kuptojnë se ka vetëm një rrugë te sigurt, integrimin në politikën dhe shoqërinë shqiptare. Këto zgjedhje me sa duket këtë mesazh dhanë! Dule është fundosur, por jo kaq papritur sa duket!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here