Qeveria ul masivisht ndihmën shtetërore, 70% më pak në 2014-ën nga 2013-ta

0
129

Ervin Kaduku

Qeveria–  U ndërpritet kontributi atyre që përdorin subvencionet, grantet, kreditë e buta, lehtësitë fiskale, garancitë etj. Ndërkohë, fondet buxhetore na mbushën me palma

Një raport monitorimi i qeverisë shqiptare për ndihmën shtetërore të dhënë gjatë vitit 2014 dëshmon një ulje të ndihmës në masën 70 për qind krahasuar me vitin 2013. Ndihma shtetërore përfshin subvencionet, grantet, kreditë e buta, lehtësitë fiskale, garancitë etj. Referuar raportit të botuar në “Fletoren zyrtare”, ndihma shtetërore në vlerë absolute e dhënë në vitin 2014 ka zbritur me 70% e krahasuar me vitin 2013 dhe vitin 2012. Rënia i atribuohet zvogëlimit të ndihmës për kërkim dhe zhvillim në fushën e pasurive natyrore, pasi për kompanitë që operojnë në këtë sektor ofrohen lehtësi fiskale e procedurale të konsiderueshme. Ndihma shtetërore, përjashtuar sektorin e bujqësisë dhe peshkimit, në vitin 2014 është dhënë në vlerën totale 38 mln euro. Pesha e ndihmës shtetërore ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto ka zbritur nga 1.49 për qind në vitin 2013 në 0.44 për qind në vitin 2014.

Politikat e qeverisë janë që jep dy lloje ndihmash shtetërore; ndihmë horizontale që jepet për një numër të madh përfituesish pa preferenca për ndonjë aktivitet ekonomik të veçantë dhe ndihma vertikale që jepet për aktivitete dhe sektorë të veçantë. Nëse i referohemi raportit, gjatë vitit 2014 politika e ndjekur për dhënien e ndihmës shtetërore ka qenë ajo e ndihmës sektoriale pasi kjo lloj ndihmë ka mbizotëruar gjatë kësaj periudhe. Në raport evidentohet se sektorët ku është orientuar ndihma shtetërore janë bujqësia e peshkimi si dhe punësimi e zhvillimi i biznesit. Instrumentet e përdorura më shumë janë subvencionet dhe grantet si dhe përjashtimet nga taksat, shtyrja e taksave apo ulja e normës së tyre.

 

Shkak: Rënia e të ardhurave ndaj planit

Të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur gjatë këtij viti në krahasim me një vit më parë. Kështu sipas statistikave paraprake nga Ministria e Financave, vihet re se gjatë 5 mujorit të parë të këtij viti, të ardhurat janë realizuar në masën 151.1 miliardë lekë ose 6.5 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Po sipas këtyre statistikave, totali i shpenzimeve arriti për periudhën 5 mujore në vlerën e 161.2 miliardë lekë, ndërsa deficiti buxhetor është në vlerën e 9.7 miliardë lekëve. Por edhe pse të ardhurat janë në nivel më të lartë se një vit më parë, përsëri këto tregues për 5 mujorin e parë të këtij viti nuk ishin në nivelin e pritshëm, edhe pse në fillim të këtij viti hyri në fuqi paketa e re fiskale, ku pati një sërë rritje taksash, me anë të cilave pritej që të mbushej arka e shtetit. Kështu duke iu referuar këtyre të dhënave, deri më tani janë realizuar vetëm 37% e planit vjetor, çka tregon se tendenca e këtij zëri në treguesit fiskalë nuk është ajo e pritshmja. Edhe pse qeveria kishte synim të rriste të ardhurat nëpërmjet rritjes së taksave, por edhe përmirësimit të performancës së administratës fiskale, duket se kjo nuk është në ritmin e duhur dhe të parashikuar në fillim të vitit, kohë kur hyri në fuqi dhe ligji për buxhetin e shtetit.

 

20 për qind e banesave janë bosh

Një nga pesë banesa në Shqipëri është bosh, pa llogaritur këtu banesat e dyta apo ato që përdoren për qëllime sezonale. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, mbështetur në Censusin e fundit, përqindja e banesave boshe në nivel kombëtar është 21.6%. Kjo përqindje e lartë lidhet sa me emigracionin, ashtu edhe me sasinë e lartë të apartamenteve të ndërtuara dhe të pashitura, sidomos në qarkun e Tiranës dhe në zonat bregdetare. Sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, në Tiranë janë rreth 14 mijë apartamente të pashitura. Sipas Instat-it, në qarkun e Tiranës shkalla e banesave boshe është 17.4%, duke mos qenë gjithsesi më e larta në vend. Nivelin më të lartë e ka Qarku i Vlorës, me 32.3%, i ndjekur nga qarku i Gjirokastrës me 30.4%. Nëse do të përfshijmë edhe banesat e dyta apo sezonale, në nivel kombëtar 29.8% e shtëpive rezultojnë si të pazëna. Edhe për banesat e pazëna nivelin më të lartë e ka Qarku i Vlorës, me 46.7%, i ndjekur nga ai i Gjirokastrës, me 43%. Për Tiranën, shkalla e shtëpive të pazëna arrin në 26.7%.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here