Skandali i ilaçeve/ Identifikohen edhe 10 farmaci të përfshira, gati largimi i Skurajt nga zv.drejtor i Fondit

0
108

Artan Cena

Skandali i ilaçeveDitët e ardhshme nuk përjashtohet mundësia e arrestimit edhe të zyrtarëve të tjerë të Fondit në Drejtorinë e Përgjithshme apo administratorët dhe pronarët e këtyre farmacive përfituese.

Prokuroria e Tiranës, krahas hetimit për 4 farmacitë fiktive, ka zbardhur emrat e disa farmacive të tjera, të cilat kanë kryer të njëjtën skemë mashtrimi me ilaçet e rimbursueshme. Mësohet se 10 shoqëri farmaceutike kanë përvetësuar shuma të mëdha parash me anë të ilaçeve të rimbursueshme me dokumente fiktive dhe me ndihmën e punonjësve të Fondit. Sipas akuzës, në mesin e 10 farmacive, ka nga ato të cilat kanë përfituar nga Fondi i rimbursimit më shumë se sa ishte parashikuar në kontratën e firmosur mes tyre dhe drejtorisë rajonale. Nga verifikimi i dokumentacionit, thonë hetuesit, janë konstatuar shuma të mëdha parash që kanë kaluar për llogari të 10 farmacive të tjera me firmën e drejtorit tashmë të arrestuar Pjerin Xhuvani. Disa prej këtyre farmacive janë shoqëri grosiste dhe disa të tjera janë farmaci që ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe kanë ekskluzivitetin e importit të disa lloj ilaçeve.

 

Farmacitë e zv.drejtorit

Në dosjen e prokurorisë, ndodhet edhe raporti i kontrollit të kryer nga zyra e antikorrupsionit, ku mes shkeljeve të mëdha të ligjit janë identifikuar edhe disa farmaci të zyrtarëve të Fondit që kanë abuzuar me ilaçet e rimbursueshme. Mes tyre, hetuesit thonë se janë edhe dy farmacitë e të afërmeve të zv.drejtorit të Përgjithshëm të Fondit Sokol Skura. Për llogari të kësaj dosje, prokurorët tashmë kanë proceduar 12 persona, mes tyre drejtori Xhuvani dhe administratorin kryesor të 4 farmacive fiktive Hysni Roçi, i cili brenda tre muajsh ka përfituar rreth 500 mijë eurove nga ilaçet e rimbursueshme. Pas publikimit të skandalit dhe arrestimit të zyrtarëve të Fondit, ka dhënë dorëheqje Drejtori i Përgjithshëm Astrit Beçi nga kjo detyrë. Në ditët në vazhdim, thonë hetuesit, nuk përjashtohen mundësia e arrestimit edhe të zyrtarëve të tjerë të Fondit në drejtorin e përgjithshme apo administratorët dhe pronarët e këtyre farmacive përfituese.

 

Gati largimi i Skurajt

Skandali i vjedhjes nëpërmjet skemës së rimbursimit të barnave, përveç ndjekjeve penale, pritet të shoqërohet dhe me largime të tjera nga puna. Pas dorëheqjes së drejtorit Astrit Beci, drejtoresha e Komanduar e Fondit të Kujdesit të Sigurimeve Shëndetësore, Milva Ikonomi, pritet të vërë në zbatim masat administrative të parashikuara për personat e implikuar dhe që u përmendet emri në raportet e auditit të njësisë antikorrupsion, ndërmjet tyre, zv.drejtori i Fondit Sokol Skuraj. Në lidhje me këtë çështje, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u shpreh se do të vazhdojnë masat administrative, si në Fondin qendror, ashtu dhe në atë rajonal. Në kumtimin e tij, Beqaj sqaroi: “Së pari, ne kemi një komunikim me ILDKPI-në për të parë konfliktin e interesit ose jo, të detyrës së tij me tregun farmaceutik. Ndërkohë, drejtuesja e re e Fondit e komanduar që sot do të vazhdojë të zbatojë edhe rekomandimet e njësisë antikorrupsion të Këshillit të Ministrave. Ka masa në vijim dhe në Drejtorinë e Përgjithshme dhe në Drejtorinë e Tiranës. Masat janë masa administrative, ndërsa çështjen me organet e prokurorisë, ndjekin linjën e tyre”, – tha Beqaj. Në fondin Rajonal të Tiranës, do të largohen nga detyra persona të tjerë në sektorin e rimbursimit dhe të informatikës. Në masat administrative parashikohet gjobë apo vërejtje me paralajmërim.

 

Beqaj: Po merren masa në FSDKSH dhe Drejtorinë e Tiranës

 Ministria e Shëndetësisë nuk do të shërbejë si mburojë për personat që përfliten për korrupsion. Ministri Ilir Beqja ka lënë të kuptohet dje se masa administrative do të merren edhe ndaj zëvendësdrejtorit të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor Sokol Skuraj që sipas raportit të antikorrupsionit është i përshirë në skandalin e ilaçeve të rimbursueshme me gjithë lidhjet që Skuraj ka brenda Partisë Socialiste. “Lidhur me nëndrejtorin e Fondit, sikurse është bërë publike edhe në raste të tjera, së pari, ne kemi një komunikim me Inspektorin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë, për të parë nëse ka konflikt interesi të detyrës së tij me tregun farmaceutik. Ndërkohë, drejtuesja e re e Fondit e komanduar që sot, do të vazhdojë të zbatojë rekomandimet e Njësisë Antikorrupsion të Këshillit të Ministrave, i cili ka masa administrative edhe për Drejtorinë e Përgjithshme të FSDKSH, edhe për Drejtorinë Rajonale të Tiranës, ndërsa organet e Prokurorisë, ndjekin linjën e tyre”. Farmacitë e bashkëshortes dhe kunatës së zëvendësdrejtorit të Fondit renditen ndër përfituesit e fondeve publike përmes recetave fiktive. Megjithë këtë Skuraj vijon të qëndrojë në detyrë.

Skuraj dy vjet më parë kandidoi për deputet për Partinë Socialiste për qarkun e Elbasanit ndërsa këto zgjedhje me gjithë publikimin e skandalit e gjejnë të përfshirë në listat e këshilltarëve bashkiakë në Librazhd.

 

Gjen municionet në rrugë, i moshuari njofton policinë

 Municionet tani janë duke u gjetur edhe rrugëve e jo në ndonjë fshat të thellë të Shqipërisë, por në Tiranë. Kështu i ka ndodhur një kalimtari të rastit, i cili ka gjetur një sasi municionesh dhe ka njoftuar Policinë e Tiranës. Ngjarja ka ndodhur gjatë së dielës, ku 76-vjeçari me inicialet A. D. ka deklaruar se në rrugën “Dervish Hima”, në një shesh, ka gjetur një granatë, 119 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe një kuti plastike me kapsolla të vendosura në pjesën fundore. Pas marrjes së njoftimit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes për të nisur hetimet. Ende nuk dihet motivi i vendosjes së municionit në sheshin pranë rrugës “Dervish Hima”, dhe as personi që i posedonte.

 

Ndryshime në policinë e Tiranës, kush ikën e kush vjen

 Ard Veliu nuk do të jetë më zv.drejtor i Rendit në Drejtorin e Policisë së Tiranës, pas një ndryshimi në strukturat drejtuese të kësaj policie. Tanimë, konfirmohet se Veliu do të emërohet drejtori i shkollës bazë të Akademisë së Sigurisë, në Tiranë. Ndërsa postin që ai mbante, si zv.drejtor i Rendit në Policinë e Tiranës, do ta marrë Edmond Meshini. Meshini, ka lënë detyrën e Shefit të Rendit në Komisariatin numër 5 në Tiranë. Në njoftimin e policisë së Tiranës thuhet se në struktura priten ndryshime të tjera.

 

Krim në familje, babai qëllon me thikë të birin

 Krimi në familje rikthehet në Tiranë, babai plagos me thikë djalin, pas një sherri mes tyre. Gjatë ditës së djeshme, pas një zënke mes tyre, kryefamiljari ka plagosur të birin me thikë. Myzafer Gjona, 51 vjeç, akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe më tej ka goditur dhe çarë me thikë në dorën e djathtë, djalin të tij 19-vjeçar A. Gjona. Pas marrjes së ndihmës së nevojshme në spital, i riu u dërgua në shtëpi, ndërsa nga ana e uniformave blu u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here