Pastrimi i parave/ Francesco Becchetti jeton në Angli, Shqipëria e shpall në kërkim kombëtar

0
129

Artan Cena

Hetimi për BecchettinPolicia e kërkon Becchettin vetëm brenda Shqipëri kur ai prej vitesh jeton në Londër, ndërsa ka më shumë se 4 muaj që nuk ka shkelur në tokën tonë. Ja roli i të tjerëve

Pas dhënies së masës së sigurisë “Arrest me burg” nga Gjykata e Tiranës, policia ka vendosur që ta shpallë në kërkim Francesco Becchetti-n. Ndërsa besohet se pronari italian i “Agon Channel” nuk jeton prej kohësh në vendin tonë, Policia e Shtetit është kujdesur që ta shpallë në kërkim kombëtar. Në këtë mënyrë, dy ditë më parë drejtësia shqiptare ka lëshuar urdhër e arrestimit kombëtar për pronarin e televizionit “Agon Channel” italianin Francesco Becchetti i dyshuar për akuzën e “Pastrimit të parave”. Mësohet se italiani prej më shumë se 4 muajsh nuk ndodhet në Shqipëri dhe se jeton në Londër. Në kartelën e shpalljes në kërkim nga policia thuhet se Becchetti është në kërkim për “Mospagim taksash”, “Falsifikim dokumentesh”.

 

Vendimi për arrestimin

Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë për biznesmenin italian. Në dosjen voluminoze të prokurorisë, thuhet se italiani Becchetti dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka shfrytëzuar bizneset e ngritura në Shqipëri për “pastrimin” e rreth 80 milionë eurove që dyshohet se kanë burim të paligjshëm. E gjithë kjo shumë, sipas akuzës, ka ardhur nga 4 shtete të ndryshme, Itali, Austri, Gjermani dhe Luksemburg. Fillimisht paratë kanë hyrë në Shqipëri në formën e një huaje për investime në kompanive të Becchettit në Shqipëri por më pas janë ritransferuar në shuma të ndryshme drejt kompanive të biznesmenit italian jashtë Shqipërisë. Njësia e task-forcës në prokurori, gjatë fazës hetimore ka ngritur dyshime se biznesmeni Italian akuzën e pastrimit të parave, e ka konsumuar me hapjen e televizionit “Agon Channel”, me kompanitë e ndryshme në fushën energjetike, atë ndërtimore apo edhe në kontratën e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit. Për ndërtimin e këtij hidrocentrali, italiani Becchetti apo administratorët e tjerë të tij kanë falsifikuar dokumente dhe nuk kanë paguar detyrimet tatimore në Shqipëri. Këto akuza, dyshohet se i ka konsumuar pasi ka dorëzuar fatura tatimore të falsifikuara për punë të kryera në këtë kantier ndërtimi por që realisht asnjë nga këto veprime të paguara, sipas faturave nuk është bërë.

 

Të tjerët

Me vendim gjykatë përveç Becchettit, urdhri i arrestit është lëshuar edhe për shtetasin Italian Mauro De Renzis, që mbante detyrën e administratorit në disa kompani të Francesco Becchettit, duke qenë edhe personi që ka firmosur shumë transaksioneve të dyshimta. Urdhër-arresti, gjykata ka lëshuar edhe për Erjona Troplinin me detyrë aksionere e televizionit “Agon Channel”. Ne emër të saj, thanë prokurorët janë bërë shumë transaksione të dyshimta. Por gjatë ditës së djeshme gjykata ka vendosur që ta lejë atë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Për llogari të kësaj dosje, që po hetohet prej muajsh nga prokurorja Antoneta Sevdari, ishte lëshuar një urdhër-arresti edhe për Pranvera Gjikën me detyrë drejtoresh Veneto Banka në Shqipëri. Por në seancën e djeshme të sigurisë, gjykata e ka lënë atë në masën “detyrim paraqitje”. Prokurorët thonë, se e dyshuara Gjika ka bërë lëvrimin dhe transferimin e parave nga llogaritë bankare të Becchettit drejt Italisë, pavarësisht se këto kanë qenë të bllokuara për mospagim taksash.

 

Rama e quan sukses mbylljen e Agonit

 Kryeministri Edi Rama e quan një sukses sekuestrimin e Agon Channel dhe shpalljen në kërkim të pronarit Francesco Becchetti. Me anë të një statusi në Facebook, Rama ka sulmuar edhe PD-në duke thënë se “dekriminalizimi gjethe fiku që bie e nxjerr cullak PD kur goditet krimi! Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon CH një sukses!”

 

Reagojnë gazetarët: Kundër parave të pista në media

 Kundër përdorimit të parave të pista në media është reagimi i shoqatës së mediave elektronike shqiptare. Në një deklaratë për shtyp, kjo shoqatë e cilëson lajm të keq për të gjithë medien shqiptare njoftimin zyrtar të prokurorisë se investitori Italian Francesco Becchetti ka pastruar para nëpërmjet bizneseve te tij dhe veçanërisht si pronar i televizionit Agon Channel. Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar transparencën e financimit të medieve në Shqipëri, me qëllim parandalimin e deformimit të pushtetit mediatik. Infiltrimi i parave te pista në media është jo vetëm një akt kriminal, por dhe një goditje e rëndë për moralin dhe besimin e qytetareve tek media- thuhet në deklaratën e shoqatës së medieve elektronike shqiptare sipas të cilës, financimi i mediave nga aktivitete kriminale shkatërron konkurrencën e ndershme në këtë treg. Shoqata ndan punën e gazetarëve dhe punonjësve te Agon Channel nga aktiviteti i dyshuar si kriminal i pronarit të tyre. “Puna e këtij stafi te televizionit nuk duhet të lidhet aspak me akuzat për pastrim parash dhe evazion fiskal që prokuroria shqiptare ka ngritur kundër Francesco Becchetti t, është reagimi i shoqatës së medieve elektronike, e cila inkurajon prokurorinë shqiptare të bëjë një hetim sa më transparent, të vërtetë dhe të bazuar vetëm në prova”, thuhet në reagimin e gazetarëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here