Hetimi për Becchettin/ Bllokohen llogaritë bankare, ja skema se si janë pastruar miliona euro në Tiranë

0
120

Artan Cena

korrupsionSi ishte shpikur një kompani fantazmë që kishte hedhur në gjyq një prej bizneseve të italianit të Agon Channel. Pas fitimit të gjyqit, Becchetti kishte paguar miliona euro, duke ja dhënë vetes

Gjykata e Tiranës, vendosi sekuestrimin e të gjitha llogarive bankare dhe aktivitetin e 9 kompanive të ndryshme, që drejtohen direkt apo indirekt nga biznesmeni italian Francesco Becchetti. Ndërkohë mësohet se të gjitha llogaritë bankare dhe kompanitë e Francesco Becchettit në Shqipëri, janë bllokuar, përfshirë edhe televizionin Agon Channel. Ky vendim u është dhënë dy ditë më parë nga gjyqtarja Manjola Bejleri, pas kërkesës së prokurores Antoneta Sevdari, e cila nga shtatori i 2014 po hetonte të gjithë bizneset e italianit Becchetti në Shqipëri. Kjo për faktin se ekzistonin dyshime të arsyeshme se duke shfrytëzuar koncesionin për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, ka përdorur kompanitë e krijuara prej tij për të pastrua miliona euro.

 

Falsifikimi i faturave

Në vendim thuhet se nga informacionet e drejtorisë së policisë së Tiranës, rezulton se në drejtim të Shoqërisë “Kalivaçi Green Energy” janë transferuar para nga jashtë vendit, për të cilat ka dyshime se burimi i tyre vjen nga veprimtari e paligjshme kriminale. Prokurorët dyshojnë se pastrimi i parave është kryer nga kompanitë që drejtoheshin nga Becchetti apo njerëzit e tij të afërm, duke zmadhuar vlerën e investimit të kryer në ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit. Për të pastruar paratë, hetuesit thonë se Becchetti dhe administratorët e tij kanë falsifikuar faturat në shumë raste, duke rritur vlerën e punimeve të cilat realisht nuk janë kryer. Gjithashtu, hetuesit kanë provuar se duke përdorur kompanitë e tij si nënkontraktor për kryerjen e punimeve në Kalivaç, ka rritur disa herë vlerën e atyre pak punimeve të kryera në ndërtimin e hidrocentralit. Gjatë hetimit, prokurorët kanë zbuluar një konflikt të sajuar mes dy kompanive të ndryshme që për pronar kishin italianin Becchetti. Ata kanë dorëzuar një mal me dokumente të falsifikuara pranë Gjykatës së Arbitrazhit në Shqipëri, një gjykatë që funksionon si OJQ. Në këtë proces ata kanë paraqitur fatura të falsifikuara, me të dhëna të pavërteta për punime të pakryera.

 

Mashtrimi në gjykatë

Në përfundim të këtij procesi të sajuar, ata kanë zgjidhur mosmarrëveshjen duke detyruar njërën nga kompanitë në pronësi të nënës së Becchetti t’i të paguaj në formë dëmi një shumë prej rreth 49 milionë eurosh. Me zbardhjen e këtij vendimi, kompani italiane ka dorëzuar drejt Shqipërisë 15 milionë euro ndërsa shumën tjetër për llogari të kësaj kompanie e ka transferuar në një bankë në Luksemburg, ku edhe janë përdorur për aktivitet të tjera ekonomike. Referuar vendimit të sekuestrimit, prokuroria ka arritur në konkluzion se italiani Francesco Becchetti për një periudhë 6 vjeçare me anë të dokumentet të falsifikuara dhe faturave fiktive i ka dhuruar vetës rreth 24 milionë euro. Me vendim të arbitrazhit të Shqipërisë, ai ka përfituar rreth 15 milionë euro nga para që mendohet se kanë burime të paligjshme. Prokurorët thonë se nga verifikimi paraprake, dyshohet se Becchetti dhe të afërmit e tij, kanë qarkulluar duke i pastruar në Shqipëri rreth 40 milionë euro.

 

Mos pagimi i taksave, Becchetti i ka Shqipërisë borxh 7 milionë dollarë

Francesco Becchetti, që është shpallur në kërkim për pastrim parash, i ka Shqipërisë një borxh prej të paktën 7 milionë dollarësh, si detyrime tatimore të pashlyera të një prej kompanive teë tij. Po ashtu hetimet e deritanishme kanë treguar se në skemën e pastrimit të parave të italianit Becchetti janë përfshirë 9 shqiptarë. Kompania “Energji”, një nga 5 sipërmarrjet e italianit Francesco Beçhetti dhe familjarëve të tij, të sekuestruara në 60% nga prokuroria rezulton të jetë një debitore ndaj shtetit shqiptar në 770 milion lekë të reja. Sipas kontrollit nga Dega e Tatim-Paguesve të Mëdhenj, rezulton se “Energji” duhet t’i paguante shtetit një shumë prej më shumë se 7 milionë dollarësh detyrime tatimore, të cilat nuk janë paguar”. Për këtë arsye, Drejtoria e Tatimeve ka urdhëruar bllokimin e llogarive bankare të “Energji” dhe pagesën e detyrimeve nga llogaritë e saj. Për të shmangur tërheqjen automatike të parave në favor të Drejtorisë së Tatimeve në formën e detyrimeve të papaguara, koncensionari “KGE” i ka bërë pagesat për “Energji” nëpërmjet kompanisë “Cable System”, e cila kontrollohej në shumicë absolute nga Liliana Condomitti, e ëma e Becchettit. Këto transferta, të cilat arrijnë në miliona euro, janë lejuar në mënyrë të kundërligjshme nga Pranvera Gjika, drejtuese në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Të paktën 9 shqiptarë rezultojnë të përfshirë në skemën e ngritur nga italiani Francesco Becchetti për pastrimin e parave. Erjona Troplini, administratore në disa kompani të italianit dhe Pranvera Gjika, drejtuese e Veneto Banka u arrestuan. Po ashtu janë pyetur nga prokuroria edhe 7 biznesmenë e drejtues të tjerë të lidhur me kompanitë e Becchettit. Hetimet e prokurorisë kanë zbuluar se përmes transaksioneve të kryera mes tyre, Becchetti arrinte të fshihte edhe taksat dhe pagesat e detyrimeve që arrijnë në 770 milionë lekë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here