Shqip-trarët dhe reputacioni i tyre pragmatist

0
195

Elis Buba

 Elis BubaNjë qëndrim i hijshëm, i ndershëm dhe i drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve do të ishte kategorizimi i tyre, të analizuar si prurës ose bartës vlerash dhe antivlerash të përbashkëta. Në këtë sens pa asnjë ironi mund të thuhet se etniciteti që ne na përket e përfaqëson, së bashku me popullin mospërfillës në të, është një gërshetim trarësh solid, të një çatie, hermetike në disa momente dhe të çakërdisur në moment të tjera. Shqiptarët, në një optikë nga lornjeti i opinionit dhe analizës, “shqip-trarët”.

 

Shqip-trarët e këtij rajoni paradoksal

Ballkani aktual është si një fushë shahu, përplot me figurat e tij. Këto figura, këta gurë janë të dubluar e në raste të veçanta të tribluar, nga gurë të tjerë shahu, të manovruar nga duar herë të padukshme, herë kristal të qarta. Së fundmi po ndjekim me një shqetësim “crescendo”, se si këto figura shahu ngatërrojnë qëllimisht lëvizjet e tyre, për të mbërritur në një shah-mat imagjinar. Ky mat i përfytyruar nuk ka asfarë kuptimi konkret, përpos ndoshta kuptimit abstrakt politik. Ky qëllim politik i abstraguar, është me sa duket edhe ushqimi kryesor i një shtypi të uritur për jashtëqitje skandalesh. Media propaganduese, më shumë se sa informuese. Për to është lajm ç’do vogëlsirë që shkakton hata. Për këto lajmeprurëse, nuk ka të reja aty ku nuk ka konflikt. Trumbetues të tillë grabitqare, ëndërrues luftërash të pandehura, bëjnë mirë t’i shfryjnë hundët e t’i zhbllokojnë trutë nga marrëzia, dufi dhe urrejtja. Të shkarkojnë gjithçka, bashkë me sekrecionet bllokuese të shqisave të vobekta e të paarsyeshme, të një mendësie shoviniste, ksenofobe dhe raciste. Emancipimin në këto çështje mund t’ua ofrojmë fqinjëve nevojtarë, pa asnjë taksë doganore.

Problemet e rajonit kam përshtypjen se janë më së shumti të një natyre psiko-sociale e jo thjesht etnike. Këto probleme psiko-sociale, pa asnjë mëdyshje i detyrohen plogështisë etike dhe asaj që dëshiroj ta quaj mbrapshti kulturore. Mendoj se në Ballkan fryma fisnike e qytetare, gjendet në një kacafytje konstante me antiqytetarinë represive, idioteske e groteske, e cila falë prapambetjes shekullore propaganduese, përkundet nga njëra mendje në tjetrën, pa asnjë konotacion kufitar.

Shqiptarët e shpërndarë në Ballkan, Mesdhe e më tej, nuk kam dëshirë t’i cilësoj si pjesë të humbura të “Shqipërisë etnike”. Por si “Shqipë-trarë ballkanik”. Kjo për arsyen e thjeshtë se njerëzit dhe jo trevat përbëjnë atë rrjet të madh identiteti kombëtar, të cilin duhet të nisim e ta shohim nën një optikë tjetër. Ruajtja e gjuhës, traditave, zakoneve, besimit etj. janë po aq të rëndësishme sa edhe ruajtja e të drejtës së vetidentifikimit dhe e simboleve kombëtare. Ne mund të themi se si shqiptarë, gëzojmë se kemi pavarësinë e padiskutueshme të shtetit të dytë me shqiptarë në Ballkan, Kosovës. Ky fakt ndihmon në balancimin e shumë nocioneve gjeopolitike, jo për arsye se zmadhon një hartë, por sepse sfidon po këta shqiptarë t’ia dalin në vetëqeverisje. Po ashtu ne mund të themi me kënaqësi se Shqipëria politikisht dhe jo vetëm, duket se ka ecur përpara në tolerancë e dritëgjatësi. Megjithatë, një pyetje mund të krijojë jo pak tronditje. Pyetja më së shumti anon jo nga, kush qeveris në Kosovë e Shqipëri, sesa nga “çfarë” qeveris në këto dy shtete. Përgjigja mendoj se është e njëjtë jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë Ballkanin. Ajo çka po ja shtrëngon grykën gadishullit me duart e saj përvëluese, është skamja. Popujt e atyre shteteve që kanë akses të lirë në zonën Shengen, po shpërngulen masivisht në Evropën Perëndimore, të detyruar nga kushtet e vështira ekonomike, siç po përpiqen të bëjnë edhe shqiptarët e kosovarët.

 

Diçka realisht nuk shkon. Nëse do të thoshim se ajo çfarë qeveris në Shqipëri, Kosovë, por edhe në vende të tjera në këtë gadishull, është hajdutëria, nuk e di nëse do të kishim bërë mjaftueshëm në drejtimin e duhur. Sakrificat tona të përditshme na japin të drejtën ta themi me plotë gojën këtë gjë e prapë mendimi nuk e cakit atë që perceptohet si realitet.

Nuk kam dëshirë të jap një opinion publik për atë pjesë të Ballkanit, që e kam njohur për së gjalli, vetëm gjatë pushimeve verore. Në anën tjetër kam shumë dëshirë të fokusoj vëmendjen time dhe tuajën tek shqip-trarët me reputacionin e tyre si pragmatistë të tepruar.

Tek këta shqip-trarë është varur një thes i madh me halle të dendura në të. Dihet se kundërshtari më i vështirë e i rrezikshëm për boksierin është thesi. Sepse është i vetmi që mban e amortizon grushtin e gjithfarë goditjesh të tjera, pa dhënë asnjë shenjë regresi fizik. Kjo e sfilit individin, po aq sa lufta e pashpresë, jo aq me sistemin sa me aplikimin që i bëhet këtij sistemi në jetën e tij. Shumë individë e grupime kanë zë dhe thonë të vërteta që nga njëra anë shuajnë kuriozitetin e pandalshëm që ne kemi për fjalë, nga ana tjetër fusin e cysin në bohçen e vetëdijes sonë fitila të akullt braktisje, dorheqje e vetizolimi, që na dërrmojnë e detyrojnë të strukemi në shulfurrikun tonë personal, larg gjithçkaje, larg fushës së disfatës. Edhe unë si këta individë kam zë, por ku ta çoj…?

 

Shqip-trarët në udhëtim të çuditshëm brenda vetes.

Gjendemi në lak të rrogës. Nën ca pushtetarë që i kapërcejnë vitet e pushtetit duke luftuar fantazmën e Makbethit, armik të njerëzimit, të kapitulluar në qeveritë e mëparshme.

Gjithçka të keqe që kemi, duhet ta ndajmë me veten. Kërkojmë lirinë e të bërit asgjë, duke përfituar gjithçka. Pandehim si pikëmbështetje të zgjuarsisë paranë. I përulemi këmbëkryq asaj që sanksionon një ligj disi i ngurtë i sociologjisë. Individi është produkt i ambientit. Kështu thuhet. Por një individ i emancipuar mund ta nxjerrë me duart e tij veten nga thesi. Mund të zgjedhë të jetë produkti i përsosur, por anormal për disa, i një ambienti dhe kulture që nuk është e tij. Quhet shkurt globalizim. I shërben më së shumti pikëpamjeve të përbashkëta, gjithsesi në respekt të pikëpamjeve të përveçme, që mundet fare mirë të shërbejnë një ditë si alternativa të përbashkëta. Ne si rajon jemi pjesë e tij me zgjedhjen tonë. Por ja që disa qarqe të padukshme shërbehen nga strategjitë e fëmijëve të vegjël, të cilët kur kërkojnë diçka, kërcënojnë me zhurmë, rrëmujë, ankesa e të qara histerike. Nuk janë vërtetë ankesa, nuk janë vërtet të qara se sa janë shfaqje anakronike të papjekurisë infantile. Tjetër shembull i të njëjtës shfaqje, është ai i formës së konfliktit mes shqiptarësh. I cili nuk fokusohet shumë tek arsyeja e vërtetë e sherrit, se sa tek nënarsyeja e çuditshme, e cila fillon dhe mbaron me pyetjet “Kush je ti? Kush jam unë?” Ofendimi më i madh verbal, mund të jetë nga nëna ose motra. Por kërcënimi konkret përpos atij me jetë, është nga vendi i punës. Këtë të fundit mund ta hasesh përditë mes shqip-trarëve. E këta përpos hakërrimave nuk kanë guxim. Flasin shumë për shumëçka por realizojnë pak. Lënë njëri-tjetrin në baltë dhe përcjellin brez pas brezi një urrejtje për “të madhin” dhe qeverinë. Ç’faj kanë qeveritë, në rastin kur ne bëhemi gropa hipotetike e njëri-tjetrit. Mes nesh, kushdo që gëzon pak inteligjencë dhe elokuencë, e merr për të mirëqenë se duhet të sillet me arrogancë, me këdo tjetër që paragjykohet si moskuptues. Kjo arrogancë shërben si vitrinë e të lartpërmendurave “inteligjencë dhe elokuencë”. Në thonjëza sepse në të shumtën e rasteve komunikimi merr një kahje ofenduese, Tipike! Gjatë të cilit, pritet të kapet në gabim verbal bashkëbiseduesi, në mënyrë që të behet një moral i gjerë e i gjatë mbi këtë gabim. Na shijojnë më së shumti fjalët mos dhe nuk si pjesë e sentencës. Këto janë tregues të një komunikimi destruktiv. Në fakt të paktat fjalë pohuese në formë, por me një karakter thellësisht mohues, që mund të gjejmë rëndom në ligjëratë, janë… po, po, por. Kur i referohemi respektit dhe etikës në lëmin e komunikimit, e kemi fjalën për dy ligje harmonike të përçudnuara dhe të urryera që na detyrojnë herë pas here të përshëndesim ose heshtim llapaqenllikun, ndonëse thjesht për të çlodhur gojën.

Në vazhdë të mendimit do të thosha se ndoshta nuk është e këshillueshme për shembull, t’u thuash derrave, Mirëmëngjes! Mirdita! Mirëmbrëma! Pasi përgjigja mund të mos vijë kurrë. Gjithsesi një lloj përgjigje mund të vijë në rast se u thuhet; Mirëmëngjes zoti derr! Mirdita zoti derr! Mirëmbrëma zoti derr!

Shembullin e vulgaritetit e marrim drejt për së drejti nga televizori. Nga “feshkuj” me atë vështrimin e tyre të ngulur, të qetë, të egër, tinzar si të gjarprit. Imazhi i zhburrërimit. Mendojnë për ne, teksa hanë për vetë. Mes shqip-trarëve, do të mësosh se sa më lart të ngrihesh në hierarki, aq më pak do të punosh vetë, por çuditërisht do të gëzosh më shumë merita, nga puna e të tjerëve. Po kaq çuditërisht paguhesh më shumë. Ja përse pushteti është i lakmueshëm. Të jepet, ose e merr për të parazituar në kurriz të të tjerëve. Eh kapitalizëm të marrsha të keqen!

Dashamirësisht themi se kemi një popull tragjik. Të mërzitur, të pezmatuar, turivarur. Një sërë njerëzish, nga tanët, pikërisht për ngrystësinë e tyre të trashëguar, mund t’i dallosh në çdo cep të botës. Por si të mos jenë të tillë?! Kur edhe ajo kategori e shoqërisë, si e jona, e cila është e angazhuar me punë, ose e vetëpunësuar, ankohet e sëkëlldiset nga ligështimi që i shkakton ideimi i të nesërmes. Po të tjerët, që nuk kanë asgjë?! Gdhihen kotë, për asgjënë që i pret gjatë gjithë ditës. Ngrysen po kotë, në ftohtësinë e folesë së tyre, në ngurtësimin e pashoq të gjirit të familjes. Ç’kuptim mund të ketë e nesërmja për ta?!

Mes shqip-trarëve, mund të kuptosh se jeta jote jo rrallë, mund të shërbejë si burim për ndonjë barcaletë të ngushtuar mes humorit të zi dhe pikëpyetjes që bllokon pa ndërgjegje trurin e vogël i cili më pas, nuk di ç’të shkaktojë, të qeshura a të qara.

Mungesa e pikave orientuese e normalizuese të prehjes shpirtërore, siç është për një pjesë të mirë të Evropës teologjia, besimi ose filozofia, ndihmon në shkëputjen e individit nga gjykimi i saktë mbi të mirën dhe të keqen, të drejtën dhe të gabuarën. Ndaj sot askush nuk e ka problem të kryej një cikël shkollimi, pa u kualifikuar realisht në asgjë. Ose të punësohet në vend të dikujt tjetër, pa meritë. Frika nga dënimi i Hyut, ruan vreshtin nga mëkatarët e fajtorët. Kësi soji bota ka ecur për mijëra vjet. Ndaj le të mbërrijmë të paktën një të këtillë stad normaliteti. Në një botë të përsosur, kjo lloj frike do të ishte e pakuptimtë, pasi njerëzit do të silleshin si njerëz me njëri-tjetrin e jo si shtazë. Por fatkeqësisht jemi të ndotur e mbi të gjitha shumë të zbrazët, për tja mbërritur diçkaje të tillë.

Ateizmi është një luks suprem edhe për ata individë, të cilët gëzojnë një inteligjencë të spikatur, të regjur në përvojë. Ndaj le ti përmbahemi besimit fetar si orientim parësor, për shpëtimin e shpirtit nga pllakosja e mjerimit.

Sepse kur mbërrin në vendin tonë, porsa zbret nga avioni ose trageti, duhet të të ofrojnë dy kokrra aspirinë, për dhimbjen e kokës, që pritet të kesh.

Kam edhe dy fjale që ia vlen t’i ndaj me ty. Përpos retorikës mbi skandalet sakatuese të përditshmërisë sonë, në shumë familje, do të thosha fisnike, edhe sot e kësaj dite, sikundër edhe dikur, është dashur e duhet shumë punë edhe për një rezultat minimal. Gjithnjë është imponuar ideja se nëse fëmijët nuk janë për shkollë, të shkojnë në punë e kokën ngrënshin. Askund këtyre fëmijëve, nuk u kanë dhënë një ndihmë, a prioritet më shumë, sepse janë bijtë apo bijat e filanit. Në ambientin e punës gjithashtu u është dashur dyfishi i angazhimit për të mbërritur tek të tjerët. Mund ta identifikoj fare mirë familjen time mes atyre të kësaj kategorie. Krijuar rreth vitit 1984, para lindjes sime. Si bashkëqytetarë e bashkëvuajtës, në njëfarë mënyre, me prindërit të vëllazëruar nga konditat, i njohim fort mirë defektet e këtyre nënave e baballarëve tanë të nderuar. Mungesën e kurajës dhe guximit të tyre, ambicien e tyre të munguar a cunguar, drejtpërdrejtshmërinë dhe drejtësinë e tyre naive. Por ju dhe unë e shumëkush e dimë se prindërit tanë janë viktima të tranzicionit. Janë viktimat tona të drejtpërdrejta. E them këtë sepse, duke qenë ne në jetën e tyre, sakrifica e tyre ka qenë e dyfishte, në dallim nga të tjerët, që ndryshimi i sistemit i gjeti pa fëmijë ose familje. Sot është dita e të pafytyrit, dita e atij që abuzimin dhe shkeljet i ka normë pune. Ka prindër sot të cilët i thonë fëmijës 8 vjeç, “do të bëj mami doktoreshë si veten” dhe të jesh i bindur që me dozën e duhur të paturpësisë, e harrin këtë qëllim. Ne do mbetemi po ne. Pasi një gjak kemi, e po të njëjtën natyrë të përzemërt, bujare e të qytetëruar në sakrifica. Ky është plusi ynë në disa raste e minusi në raste të tjera. Terapia më e mirë është të flasësh me veten përpara pasqyrës. Vetëm asaj mund t’i thuash të vërtetat që ia fsheh botës. Por sinqeriteti me veten është ngujuar në një provincë të mendjes. Ose ndoshta ai është thjesht një mit dhe sinqeriteti nuk ekziston. Ekziston vetëm dobësia. Ajo që i fal mëkatet konsumatore të vetes.

Nëse këto fjalë mund të përcillnin një mesazh, ai do të qe “Kurajo për të mbërritur veten, për t’u bërë dikush, dhe kur ta mbërrish këtë vetvete, mirënjohja ndaj ndihmës së askujt të mos shndërrohet në vetëkënaqësi”.

Jemi veçse një popull i vogël, me njerëz akoma më të vegjël. Luftojmë me njerëzit dhe rrethanat, me lojërat dhe prapaskenat tona të vogla. Mbi të gjitha duket se luftojnë tallanditë e fatit të padurueshëm, që është më i madhi poet komik i jetës sonë. E sosëm mimikën e fytyrës sonë të vërtetë, atë që shpreh grahmat e fundit gjatë ngordhjes së një shpirti, që bluhet nga pamundësitë, si në mulli. Kjo fytyra jonë e vërtetë, në bashkërendim më fytyrat e vërteta të të tjerëve, krijon atë maskën e madhe që na konfiguron ne si një vend i përqeshur palaçosh. Nga kjo maskë e madhe që po na ngjitet në mish, prej turpit, po ja mbathim dita ditës ne shqip-trarët kudo ku jetojmë. Disa duke u vetëdeklaruar grekë, disa italianë, disa anglezë, disa gjermanë, francezë etj.

Për shqiptarë na vjen turp me u thënë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here