Rekord i administratës/ 115 milionë euro të vjedhura nga zyrtarët e shtetit

0
143

Ervin Kaduku

korrupsion rryshfet–  11 drejtues të lartë e të mesëm paditen në Prokurori

–  Drejtori merr makinën e ndërmarrjes dhe e çon “për skrap” pa i marrë leje askujt…!

–  “Zhduken” 80 milionë euro nga kompanitë koncesionare të naftës me holluesit e hedhur në shtresa nëntokësore

Është e vështirë të gjendet një periudhë tjetër vitet e fundit, gjatë së cilës Kontrolli i Lartë i Shtetit të zbulojë abuzime e vjedhje të pasurisë shtetërore në masën 115 milionë euro. Po kjo del nga raporti i auditimeve, të kryera nga ky institucion gjatë periudhës janar-prill 2015. Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga 56 auditime të planifikuar për auditim, ka ushtruar dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 99 auditime.

Ja çfarë kanë zbuluar në katër muaj grupet e auditit.

 

Dëme totale

Janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 15.735.597.000 lekësh. Si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën e përgjithshme prej 400.678.000 lekësh. Këto shkelje financiare i përkasin veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2012–2014.

Në total, kemi të bëjmë me një abuzim në masën afro 115 milionë euro!

 

Sektori i Tatim-Taksave

Në total, janë regjistruar dëme në vlerën e përgjithshme 11.678.569.000. “Pjesa e luanit” e këtij dëmi është konstatuar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë (Koncesionet Hidrokarbure), AKBN, në vlerën totale 11.5 miliardë lekë, nga të cilat 11.2 miliardë lekë janë evazion i pastër fiskal nga mosdeklarimi i prodhimit të shtuar të naftës bruto si pasojë e përdorimit të holluesit (diesel 1 000 ppm) në shtresë.

Ndërkohë, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Barnave është konstatuar dëm në vlerën totale 72.1 milionë lekë, nga mosndalimi i tatimit mbi të ardhurat dhe përfitime të padrejta rimbursimi nga shteti për dy kompani farmaceutike nga diferenca midis çmimit/njësi të referencës nga lista e çmimeve për barnat e rimbursueshme dhe çmimit/njësi që duhej të tregtohej në fakt një medikament i caktuar, përfitime këto të shoqëruara me elementë të evazionit fiskal.

Ndërsa në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, shkeljet kapin vlerën 58.1 milionë lekë, si detyrime të pallogaritura e të paarkëtuara nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë aktivitet lojëra fati.

 

Sektori i Doganave

Këtu dëmi total i konstatuar ka qenë 3.4 miliardë lekë të reja. Konstatuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Degët Doganore, Durrës, Fier, Vlorë, Kakavijë, Qafë-Thanë e Bllatë, si detyrime doganore të papaguara, si pasojë e mosllogaritjes dhe mosarkëtimit të rentës minerare për mineralet e eksportuara.

 

Prokurimet

Në total janë shpërdoruar 203 milionë lekë nga fondet e shtetit. Shkeljet janë konstatuar në Ujësjellës Kanalizime Sh.a., Korçë 71.3 milionë lekë, projektin “Furnizimi me ujë dhe mbrojtja mjedisore e liqenit të Shkodrës”, Ujësjellës-Kanalizime Sh.a., Shkodër 29.2 milionë lekë, Postën Shqiptare, Tiranë 20.1 milionë lekë, Hekurudhën Shqiptare, Tiranë 16.4 milionë lekë apo Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë 10.8 milionë lekë, etj.

 

Shpenzimet operative

Këtu janë konstatuar 37.5 milionë lekë shkelje, konkretisht në “Albafilm”, Sh.a 14.4 milionë lekë, Ujësjellës Kanalizime, Sh.a. Korçë 8.2 milionë lekë, etj.

 

Urbanistika

Në fushën e urbanistikës dëmi i llogaritur ka qenë 21.9 milionë lekësh si pershembull, Bashkinë Kuçovë, në vlerën 11.1 milionë lekë, për mosllogaritje të taksës se ndërtimit 2% dhe diferencë në përllogaritjen e situacionit të punimeve.

 

Shpërblimet

Janë dhënë shpërblime në kundërshtime me ligjet dhe aktet e tjera nënligjore në një total prej afro 150 milionë lekësh të vjetra. Kështu p.sh. në Ujësjellës – Kanalizime, Berat 4.4 milionë lekë si shpërblime të dhëna në kundërshtim me dispozitat ligjore për punonjësit. Në Shoqërinë “Elber” Shpk, Elbasan, Ujësjellës-Kanalizime sh.a., Korçë; Vlorë e Fier, si shpërblime të përfituara padrejtësisht nga anëtarët e këshillit mbikëqyrës, si edhe pagesa të dhëna jashtë kohës normale të punës, të pajustifikuara ligjërisht. Apo në Bashkinë Kuçovë, si shpërblime të përfituara padrejtësisht nga punonjësit për festimin e fundvitit etj.

 

Pagat

Dëmi total i konstatuar është 8.8 milionë lekë, si p.sh. në Albafilm, Sh.a., si pasojë e marrjes në punë të punonjësve me kontrata provizore, me afate një, dy dhe tremujore të përsëritura disa herë brenda vitit, pa miratimin e Këshillit Mbikëqyrës, Ujësjellës-Kanalizime Berat, ALUIZNI, Qarku Korçë, si përfitime pagesash të tepërta, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, Bashkinë Kuçovë, si pagesë e padrejtë e diplomës të mbarimit të studimeve jashtë vendit, pa u konvertuar në Ministrinë e Arsimit.

 

Mungesat materiale

Dëmi total është 1.4 milionë lekë, gati i gjithi i konstatuar në Albafilm, Sh.a. nga vlera e mallit të nxjerrë jashtë përdorimit, pa zhvilluar asnjë procedurë dhe pa mbajtur asnjë procesverbal nga komisioni i miratuar për nxjerrjen jashtë përdorimit si edhe nga vlera e një automjeti tip “Zim” përvetësuar nga ish-administratori, pa asnjë vendim të Këshillit Mbikëqyrës, duke e dokumentuar fiktivisht me fletë-dalje për skrap me destinacion “Shkozet”, Durrës.

 

Të tjera

Në zërin “të tjera” “shkëlqen” Hekurudha Shqiptare, në vlerën 302.4 milionë lekë, nga të cilat 32.8 milionë lekë janë të ardhura të paarkëtuara nga subjektet e kontraktuar, për transportin ndërkombëtar të mallrave me rrjetin hekurudhor dhe 269.6 milionë lekë nga moszbatimi i procedurave ligjore për përdorimin e subvencionit të akorduar nga buxheti i shtetit për transportin e udhëtarëve në vitin 2014, duke ndryshuar destinacionin e këtij subvecioni, për aktivitete të tjera të kësaj shoqërie dhe kryesisht për paga, sigurime shoqërore, shpenzime karburanti, shpenzime riparimi etj.

Absurditete konstatohen psh në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila ka dhënë 170 vendime penale të formës së prerë me gjoba në shumat 21.364.000 lekë, të cilat as nuk janë regjistruar në pasqyrat financiare dhe as nuk janë marrë masat e duhura për arkëtimin e tyre.

Ndërsa në Ujësjellës-Kanalizime, Korçë, 361.6 milionë lekë, që është teprica kontabile e krijuar në “projekte në proces”, nuk është e shoqëruar me faturat përkatëse ose procesverbal shpenzimesh, pasqyruar në kontabilitet në mënyrë fiktive.

Po kështu, në Agjencinë Kombëtare të Zhvillimit të Turizmit, Tiranë, vlera e përgjithshme e abuzimeve kap shifrën 14.1 milionë lekë të reja, nga të cilat 12.140.000 lekë janë mallra të promocionit të papërdorura, çka ka rritur gjendjen stok të tyre në magazinë, si edhe 1.917.000 lekë pagesa të vendimeve gjyqësore të formës së prerë për largim të padrejtë nga puna për tre raste.

 

Zhdëmtimi dhe ndëshkimet

Për parregullsitë dhe shkeljet financiare me dëm ekonomik në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, të pasqyruara në raportet e auditimit të evaduar gjatë kësaj periudhe, KLSH ka rekomanduar zhdëmtimin e dëmit të shkaktuar në masën 100% të tij.

Për shkeljet e konstatuara në bazë të ligjit për nëpunësin civil, KLSH u ka kërkuar organeve respektive shqyrtimin dhe marrjen e 374 masave disiplinore dhe administrative, si vijon: Vërejtje 118 raste, mbajtja deri 1/3 të pagës 14, pezullim ngritje në detyrë 29, largim nga shërbimi civil 34, në kompetencë të Institucionit 84, më kompetencë të APP-së 69 dhe masa administrative (gjoba) 26 raste, në total 374 raste.

 

Ndjekje penale

Po kështu, gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë 11 kallëzime penale, për drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë, konkretisht:

“ALBAFILM”, Sh.a., për tre ish-administratorë

Ministria e Arsimit dhe Sportit, për sekretar të Përgjithshëm dhe një anëtar të KVO

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, kryetar i KVO dhe dy anëtarë të KVO

Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Turizmit, Tiranë, drejtor i përgjithshëm

ZVRPP, Sarandë, tre specialist

ZVRPP, Elbasan, katër specialist

ZVRPP, Pogradec, pesë specialist

ALUIZNI, Korçë, dy ish-drejtorë dhe një ish-përgjegjës

Ujësjellës-Kanalizime, Sh.a. Korçë, drejtor

Posta Shqiptare, Tiranë, ish-drejtor i përgjithshëm dhe një ish-administrator i përgjithshëm.

Të 11 kallëzimet penale janë në hetim nga degët e prokurorive në rrethe.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here