Poshtërimi i mësuesit me ligj!

0
135

Dr. Ndriçim Mehmeti

Dr. Ndriçim MehmetiPër miratimin e ligjit të ri të arsimit të lartë dhe ndryshimeve të ligjit të arsimit parauniversitar në Shqipëri, qeveria zgjodhi jo rastësisht periudhën e fushatës elektorale. Media, opinioni, mësuesit, deputetë të pozitës dhe opozitës, janë të fokusuar më shumë tek fushata sesa çështjeve të mprehta të arsimit. Kësaj i shtohet edhe indiferenca e plotë e prindërve, që si justifikim kanë periudhën e provimeve të Maturës Shtetërore. Nëse lexon ndryshimet në arsimin parauniversitar, është pak të thuash se ndjehesh i pezmatuar. Mbetesh thellësisht i fyer, edhe sikur të kesh qenë qoftë edhe një ditë të vetme mësues. Mbetesh i nëpërkëmbur nga shteti, që dëshmon se mësuesi, e ka nën thundrën e tij. Pothuaj për dy vjet kam paralajmëruar se situata në arsim dhe pozita e mësuesit në veçanti, do të vinte duke u rënduar. Ministria e Arsimit, i vuri vulën poshtërimit të mësuesit, kësaj radhe jo me urdhra verbal, as me kërcënime vesh më vesh e telefon më telefon, por pa pikë droje e bën këtë përmes ligjit. Pasi e la pa kontratë kolektive për muaj me radhë, atni e kërcënon me hedhjen në rrugë të madhe

Çfarë na mëson tradita jonë ligjore për pozitën e mësuesit

Në ligjin e vitit 1926, theksohet se “Arsimtari nxirret krejt nga puna: a) Kur e len detyrën mat tepër se 10 ditë radhazi, pa lejen e autoritetit e pa ndonjë shkak të arsyeshëm mbas nenit 47 të nëpunësvet; b) kur shpërngulet në 20 ditë e më sipër e nuk gjente në vendin e shënuem; c) kur dënohet nga gjykatorja për ndonje delikt (krim); kur vërtetohet se ka ndonjë sëmundje ngjitëse që rrezikon nxanësit”. Pra mesa duket profesioni i mësuesit, futej në statusin e nëpunësve të shtetit, gjë që në vitet e demokracisë, as është kujtuar kush që ta bëjë. Ligji i vitit 1938, i jep të drejtën drejtorit dhe Ministrinë e Arsimit për pushimin e mësuesit, duke futur edhe elementë politikë. “Për mungesë lealizmi përkundrejt Rregjimit, për shkelje të parimeve kombëtare, si dhe për faje që kompromentojë e mësuesve ase përbëjnë një kat të randë mosbindjeje, ndëshkohen me:  premja e rrogës; pezullimin prej detyrës së bashku me të premen  e rrogës deri në 6 muaj; pushimi.” Në periudhën e diktaturës, në “Rregulloren e shkollave 8-vjeçare, të mesme, të ulëta dhe kurseve mbi shkollën e mesme të përgjithshme me shkëputje dhe pa shkëputje nga puna”, të miratuar prej Ministres së Arsimit dhe Kulturës, Cami,  mësuesit i vihen detyra ideologjike, por ai nuk pushohet ose largohet pas dëshirës apo konsultimit të prindërve me drejtuesin e shkollës. Edhe atëherë kishte komitet prindërish, i cili kishte detyra të përcaktuara në Nenin 47. “Ndihmon shkollën për të rritur kujdesin e prindërve për mbarëvajtjen në mësim; edukimin komunist të brezit të ri; ndihmon në organizimin e punës pedagogjike me prindërit etj.” Në harkun e 90 viteve, pas shumë ndryshim,eve, ekonomike, shoqërore e politike, MAS, merr në dorë frenat e centralizmit të emërimit të mësuesve, më shumë se në të gjithë historinë e arsimit shqiptar.

Në realitet ndryshimet ligjore nuk është se japin më shumë detaje, për këtë, duke e lënë gjithçka në dorë të drejtorit të shkollës. Po kush është sot drejtori i shkollës? Në raste shumë ta rralla, ai është i pa përfshirë në politikën aktive dhe vepron me bindjen që krijon nga ligji. Në rastet e tjera vepron sipas direktivave që vijnë prej zyrës së partisë. Me ndryshimin e ligjit, drejtori që nuk kishte asnjë rol në zgjedhjen e mësuesit, tani merr rolin kryesor, kështu që mësuesit duhet të kujdesen jo për dijet e tyre, zhvillimin profesional, e kështu me radhë por ta kenë mirë me drejtorin dhe ta mbajnë sa më mirë me prindërit.

 

“Doni të poshtërohet ligji që është themeli i shtetit, apo nemuri (nëpunësi) që e merr ligjin nëpër këmbë”.

Këtë përgjigje do të jepte Noli edhe sot pas më shumë se 90 vitesh, po të shikonte sesi merrej nëpër këmbë një ligj, për t’i dhënë të drejta më shumë nemurit (nëpunësit të shtetit), të caktuar prej qeverisë sesa mësuesit, që ligji ja njihte më parë. “Drejtori i institucionit arsimor publik fillon procedurën e largimit të mësuesit edhe me kërkesë të prindërve dhe vendos largimin, pasi konsultohet me përfaqësues të prindërve të institucionit arsimor, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.” Si mund ta kuptosh ndryshe këtë ndryshim në ligj, përveçse poshtërim të mësuesit me ligj. Si mundet që aftësia profesionale e mësuesit, metodologjia e tij e mësimdhënies, vlerësimi, menaxhimi i klasës, të mos jenë më kriteret bazë të vlerësimi të punës së tij? Po aq, as vlerat e tij morale e qytetare që përcjell mësuesi tek nxënësi, nuk kanë rëndësi. As dijet që ai ju jep, modelin e tij të mirë. Rëndësi ka ç’mendon prindi dhe drejtori për të. Në këtë rast, Noli do të ngrinte pyetjen: “Doni të nderohen më tepër nemurët që ndërrojnë ditë më ditë pas qejfit të guvernave apo partive, apo ligjin që nuk ndërron e qëndron mbi të gjithë? Mirëpo këtë përgjigje ministrja Nikolla e ka. “Bëmë vërtet një ligj konsesual”, u shpreh ajo- “po ja që e kuptuam se në disa raste zgjedhja e mësuesit me konkurs dhe komision të përcaktuar nga ligji nuk funksionoi siç duhet”. Po përse do thoni ju? Askush nuk do ta marri vesh asnjëherë. E para se shumë pak mësues janë zgjedhur me konkurs dhe shumica janë emëruar nga selitë e partisë; E dyta vetë ministrja nxori udhëzime pas udhëzimesh për emërimin e mësuesve dhe asnjëherë nuk ka bërë bilancin e dëmeve të sjella nga udhëzimet e firmosura prej saj. Ministrja Nikolla, nuk na bëri të ditur se përse jeta e mësuesit, duhet të varet në duart e drejtorit të shkollës të emëruar prej saj, dhe prindit? A nuk mund të varej fare mirë vlerësimi i punës së mësuesit, emërimi dhe largimi i tij, në instrumente ligjor, që njihen dhe miratohen prej shumicës së opinionit dhe ligjvënësve? Por kjo nuk mund të bëhej. Koalicioni qeverisës, që është shtuar me më shumë vagon në prag fushate, kërkon vende pune të sigurta dhe zbatimi i ligjit nuk jep më shumë siguri sesa arbitrariteti, ku mund të veprosh si të duash. Prandaj Noli pyeste gjithë shqetësim “Doni të bëhemi këpuclëpirës të nemurëve që vijnë e shkojnë apo të rritim një brez qytetarësh që nderojnë ligjin e shtetit”.

Pushteti i sotëm është i më i interesuar për nemurët sesa për mësuesit. Mësuesit zgjidhen nga nemurët, në bazë të gjykimit të shëndoshë të nemëurëve për mësuesit. Ministrja nuk ka agjendë të vetën kolegët mësues, por nemurët e partisë. Nemurët zgjidhen prej saj, i japin llogari asaj dhe hidhen poshtë kur u del ndonjë proçkë. Zonjën Tabaku (Bakiasi), Nikolla e pohoi që e zgjodhi vetë, u mburr se e arrestoi po vetë, madje bëri politikë me të duke deklaruar se “familja e saj kërkon votat për PD-në”. Nuk më ka ardhur aspak çudi, kur një kolege në Elbasan më thotë se drejtoresha e shkollës ku ajo punon, i kishte thënë se “unë jam fytyra e Ministres së Arsimit në shkollë”. Nemurët kanë marrë guximin, që t’i tregojnë dhëmbët mësuesve, duke mos kursyer as emrin dhe fytyrën e ministres.

Duke folur për edukimin në Gazetën “Demokratia” në vitin 1929, Branko Merxhani, nënvizonte se “Para njëqind vjete-shkruan një Pedagog i math i ditëve t’ona betejën e Lejpzig-ut e fitoi mësuesi i shkollës së Prusisë. Po sot në Yser dhe në Verdun fitoi mësuesi i shkollës fillore të Francës. Dhe këtë nga shkaku i idealizmës dhe shpirtës aktive që mundi të mbjellë në shpirtrat e nxënësve të tij mësuesi fillor i Francës”

Kush është më shumë i rëndësishëm për shoqërinë tonë sot nemuri apo mësuesi? A do të pajtohet shoqëria jonë me nemurët, apo do të përkrahi mësuesit, që kanë qenë idhulli i tyre përpara se shteti shqiptar, të krijohej? Këtë e kam të vështirë ta them. Por për një gjë jam shumë i sigurt: Ne kemi më shumë nevojë për mësues shumë të mirë se për nemurët e partisë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here