Prokuroria e Fier/ Shpërthimi në Marinzë, vihen nën hetim drejtori i Bankersit e 7 punonjës të tjerë

0
176

 Artan Cena

 Shpërthimi në MarinzëJa emrat që janë duke u hetuar nga akuza. Kompania kanadeze Bankers Petroleum është duke u hetuar edhe për gjendjen e saj financiare dhe pagimin e tatimeve

Pas më shumë se 1 muaj hetimesh pas shpërthimit në Marinzë të Fierit, Prokuroria ka vënë nën akuzën edhe 7 persona, mes tyre drejtorin e përgjithshëm të kompanisë Bankes Petroleum dhe disa punonjës të huaj. Burime zyrtare nga Prokuroria e Fierit kanë bërë të ditur se aktualisht janë administruar raporte të ndryshme të inspektimeve që janë bërë në zonë. Më pas janë marrë edhe dëshmitë e disa prej drejtuesve të Bankes dhe disa prej mbikëqyrësve të punimeve që po bëheshin në pusin që shpërtheu. Por prokuroria është duke hetuar edhe gjendjen financiare të kompanisë. Në vijim të hetimit, Prokuroria e Fierit është në pritje të raportit nga Drejtoria e Tatimeve, lidhur me veprimtarinë financiare të kompanisë Bankers Petroleum, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra për shtypin e Prokurorisë së Përgjithshme. Kontrollet janë bërë edhe nga disa institucioneve qendrore dhe lokale, në bazë të të cilave u krijuan dyshimet konkrete mbi drejtuesit e kompanisë që janë vënë nën hetim.

 

Të hetuarit

Prokuroria e Fierit ka identifikuar deri tani të paktën 7 persona, drejtues administrativ dhe teknik të Bankers Petroleum dhe kompanive nënkontraktorëve të saj, si përgjegjës për shpërthimet e gazit natyror në zonën e Marinzës, në datë 1 prill 2015. Në kuadër të hetimit të deritanishëm, Prokuroria e Fierit po i heton këta persona për veprat penale “Shkatërrim i pronës” nga pakujdesia dhe “Ndotja e ajrit”, parashikuar nga nenet 161 e 201 të Kodit Penal. Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria ka ngritur dyshime dhe po zhvillon hetime ndaj disa prej drejtuesve të kompanisë Bankes Petroleum. Kështu nën hetim janë vënë: Leonidha Çobo, drejtor i Përgjithshëm i Bankers Petroleum, Lane Gardipee, me detyrë supervizor shpimi i Bankers Petroleum për operacionet ditore të sondës 504, Wayne Gaunt, me detyrë menaxher për operacionet e shpimit të Bankers Petroleum, Steve Hrushka, menaxher i sondës i shoqërisë “Simmons” në pusin 5761, Mike Davy përgjegjës mbikëqyr për operacionet e ekipit të shpimit, i shoqërisë “Simmons”, Frenc Lazlo, supervizor i operacioneve të çimentimit, i shoqërisë “Rotary” dhe Tibor Vargon, inxhinier i operacioneve të çimentimit, i shoqërisë “Rotary”.

 

Nisja e hetimeve

Menjëherë pas shpërthimit të gazit natyror në zonën e Marinzës, Prokuroria e Fierit nisi hetimin, në kuadër të të cilit u administruan raportet e inspektimit dhe kontrollit të disa institucioneve qendrore dhe lokale, në bazë të të cilave u krijuan dyshimet konkrete mbi personat e sipërpërmendur. Ndërkohë, në vijim të hetimit, Prokuroria e Fierit është në pritje të raportit nga Drejtoria e Tatimeve, lidhur me veprimtarinë financiare të kompanisë Bankers Petroleum.

 

NËN HETIM:

Leonidha Çobo, drejtor i Bankers Petroleum

Lane Gardipee, supervizor shpimi i Bankers

Wayne Gaunt, menaxher i operacioneve të shpimit

Steve Hrushka, menaxher i shoqërisë “Simmons”

Mike Davy, mbikëqyrës për operacionet e shpimit

Frenc Lazlo, supervizor i operacioneve të çimentimit

Tibor Vargon, inxhinier i operacioneve të çimentimit

 

Fier, shiste naftë kontrabandë, pranga pronarit e dy inspektorëve

Dy inspektorë të Tatimeve të Fierit janë vënë në pranga pasi akuzohen se kanë lejuar zhvillimin e një aktivitetit të paligjshëm, të shitjes së karburantit. Në pranga për shitje kontrabanda të karburantit është vënë edhe K. Grembi, pronari i pikës së shitjes. Oficerët e seksionit për krimin ekonomiko-financiar në Policinë e Fierit finalizoi operacionin e koduar “Inspektori”, ku si rezultat i tij është bërë i mundur arrestimi në flagrancë për veprën penale “shpërdorim detyre” i dy inspektorëve O. Kuka, 35 vjeç, lindur e banues në Fier dhe G. Harunaj, 30 vjeçe, banore e qytetit Fier. Të dy këta mbanin detyrën e inspektorit të terrenit në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Fierit. Burimet zyrtare të policisë thanë se ata nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë lejuar të ushtrojë aktivitet të kundërligjshëm dhe ti shmangin detyrimet tatimore pronarit të një pike karburanti në fshatin Agim, të Komunës Libofshë. Në pranga është vënë edhe K. Grembi, 50 vjeç, nën akuzën e “Kontrabandës së mallrave të akcizës” dhe “fshehje e të ardhurave”. Për këtë qëllim janë sekuestruar edhe 15.000 litra naftë, në cilësinë e provës materiale.

 

Korçë, dy adoleshente të zhdukura prej 4 ditësh, kërkohen në Tiranë

Prej katër ditësh dy minorene rezultojnë të zhdukura në qytetin e Korçës. Kristina Zeqollari dhe Erigersa Dylellari janë parë për herë në fundit në datën 12 maj në afërsi të Pallatit të Sportit duke hipur në një makinë të tipit “Volkswagen Golf”. Babai i 14-vjeçares Erigersa Dylellarari thotë se ka dyshime se vajzat mund të jenë larguar nga Korça në drejtim të Durrësit ose Tiranës dhe se mund të kenë rënë pre e trafikantëve. Ai kërkon ndihmë nga policia për gjetjes e së bijës, e cila kishte më pak se tre muaj që shoqërohej me 15-vjeçaren Kristina Zeqollari. “Për herë të fundit e kanë parë afër pallatit të sportit dhe ka hipur në një makinë “Golf 3”. Kemi bërë denoncimin në polici dhe ata na kanë thënë se janë duke punuar shumë por ende nuk kanë rënë në gjurmët e tyre. Vajza kishte disa muaj që shoqërohej me 15-vjeçaren Zeqollari”, – ka thënë babai i vajzës 14-vjeçare. Ai ka bërë thirrje që kushdo që i sheh të njoftojë policinë. “Kush i sheh këto foto në gazetë apo televizorë të njoftojnë policinë sa më të afërt”. Ndërkaq, emri i Kristina Zeqollarit nuk është i panjohur për policinë e qytetit juglindor. Dy vjet më parë ajo ishte larguar sërish nga shtëpia pa lajmëruar. Pas denoncimit të prindërve, policia e gjeti disa ditë në kryeqytet. Ajo tha se kishte ikur me dëshirë për të shijuar jetën.

 

Ekstradohet nga Athina i kërkuari për trafik kanabisi me Greqinë

 Një 30-vjeçar i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim dhe prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë. I ekstraduari prej Athinës është shtetasi Dhimtri Memini, 30 vjeç, banues i qytetit të Vlorës. Ndaj tij Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka vendosur 3 vjet më parë masën e sigurisë “Arrest me burg” për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Memini në bashkëpunim me shtetasit me inicialet E. F. dhe J. M. është përpjekur të trafikojë nga Shqipëria drejt Greqisë 6 kilogram hashashi në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij dhe të shtetasit me inicialet J. M. u gjet një sasi prej 23 kilogram të tjera lënde të dyshuar hashash, gati për trafik. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën, u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në Aeroportin e Rinasit ky shtetas iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

I dënuar në Itali, kapet në Rinas kur po kthehej nga SHBA-ja

 Një 39-vjeçar i dënuar me 13 vjet burg për trafik lëndësh narkotike përfundoi në prangat e policisë në aeroportin e Rinasit. Efektivët e policisë kufitare të Rinasit arrestuan shtetasin Eljot Xhafaj, banues në Tiranë. Xhafaj u arrestua për llogari të drejtësisë italiane. Ndaj tij, Gjykata e Apelit në Milano ka dhënë dënimin me 13 vite burg për akuzën e “Trafikut të drogës në bashkëpunim”. Në momentin e arrestimit, ky shtetas po kthehej nga Shtetet e Bashkuara.

 

Kapet me 300 doza heroinë, në shtëpi i gjenden edhe armë

 Një 29-vjeçar është arrestuar dy ditë më parë në orët e mesditës në kryeqytet pasi iu gjetën 300 doza heroinë. Burime zyrtare nga policia thanë se Emiljan Dervishi ishte duke udhëtuar me biçikletë në Rrugën e Dibrës në momentin kur është ndaluar nga policia. Burime nga uniformat blu kanë bërë me dije se nga kontrolli në shtëpinë e tij në fshatin Ferraj në Tiranë, u gjetën edhe 2 armë zjarri, një automatik dhe pushkë si edhe 150 fishekë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here