Kriza/ Rrëshqasin Financat publike, falimentojnë ndërtuesit

0
140

Ervin Kaduku

ministria e financave–  Fondi Monetar nis urgjent drejt Shqipërisë 36 milionë euro hua, por jep mandatën: Ekonomia po zhvillohet poshtë mundësive!

Duke iu referuar të dhënave zyrtare mbi treguesit fiskale të 4-mujorit të parë të këtij viti, rezulton se të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar për këtë periudhë janë në vlerën e 36.9 miliardë lekëve ose rreth 3.7 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në një kohë kur qeveria e ka shpallur 2015 si viti i luftës ndaj informalitetit duket se të ardhurat nga TVSH janë “surprizë jo e këndshme” e buxhetit edhe për këtë fillimviti. Duke qenë se TVSH është një taksë që mat konsumin kjo mund të analizohet në dy kahe, ose ka pasur ulje të nivelit të konsumit, ose rritje të informalitetit, pasi të ardhurat nga kjo taksë janë më të ulëta se të një viti më parë. Ecuria e dobët e të ardhurave nga TVSH, që është një tregues direkt i qarkullimit në ekonomi, që jep efektin kryesore në këtë performancë negative. Edhe pse pritej një rritje e ndërgjegjësimit qytetar për kuponin tatimor dhe përdorimit të kasës fiskale nga biznesi i vogël, çka do të thoshte një rritje e formalizimit të këtij sektori duket se nuk ka ndodhur. Kjo do t’i shërbente automatikisht formalizimit të ekonomisë, por dhe rritjes së të ardhurave në buxhet, pasi të gjithë kuponët tatimorë janë subjekt i TVSH, taksë të cilën e paguan gjithmonë konsumatori fundor.

Një prej indikatorëve që sugjeron eficiencë në rritje të administrimit tatimor është produktiviteti i TVSH­së, që sipas statistikave zyrtare nuk është përmirësuar nga një vit më parë. Ndonëse të ardhurat nga TVSH janë në ulje në krahasim me një vit më parë, të ardhurat në total në buxhetin e shtetit janë me rritje nga një vit më parë. Kështu sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, rezulton se të ardhurat janë 121 miliardë lekë, nga 116.1 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por rritja nuk shpreh përmirësim të eficiencës së administratës tatimore e doganore.

Shifrat zyrtare të Financave tregojnë që si 4-mujor Tatimet dhe Doganat nuk kanë realizuar shifrat e planifikuara në periudhën 4-mujore janar-prill 2015. Madje, ato kanë sjellë të ardhura 1 për qind më pak se një vit më parë. Ndonëse të ardhurat buxhetore në total janë 4.3% më të larta se në fund të katërmujorit të parë të 2014-ës, zërat e ndryshëm flasin për problematika të administratës fiskale, të cilat, në rast se nuk shërohen shpejt, do të sjellin një zinxhir bllokues.

Një gomë shpëtimi për uljen e deficitit ka qenë për këtë periudhë rritja e të ardhurave jotatimore, ku përfshihen transferta nga Banka e Shqipërisë, pagesa e tarifave për institucionet shtetërore, fitimi i ndërmarrjeve shtetërore. Këto kanë qenë në pararojë, me rritje 44.5% nga vjet.

 

FMN jep 36 mln euro hua

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtare ka përfunduar rishikimin e katërt të performancës së Shqipërisë nën mekanizimin e zgjatur të Fondit (EFF). Përfundimi i rishikimit mundëson një disbursim të menjëhershëm të 28.88 milion SDR (rreth 35.9 milionë euro), duke e çuar shumën totale të disbursuar në 123.1 milion SDR (rreth 153.1 milion euro). Vendimi u mor pa një takim formal.

Sipas FMN, rimëkëmbja ekonomike po ndodh në Shqipëri, por rritja mbetet nën potencial. Niveli i lartë i huave me probleme i bën bankat të prira ndaj rrezikut dhe rritja e kredisë mbetet e dobët, pavarësisht lehtësimit monetar. Rreziqet e programit mund të rriten nga presionet e jashtme dizinflacioniste, kompleksiteti i reformave të sektorit të energjisë dhe nevoja për angazhim të qëndrueshëm politik ndaj rregullimit fiskal.

Autoritetet duhet të mbrojnë objektivat e deficitit buxhetor 2015 nga rreziku i rënies së të ardhurave nga renta e naftës dhe presioneve të jashtme dizinflacioniste. Reduktimi i borxhit publik në afatin e mesëm do të kërkojë angazhim politik për të mbajtur konsolidimin domethënës fiskal që filloi në 2014, sugjeron Fondi.

 

Falimentojnë 244 kompani ndërtimi!

Sektori i ndërtimit në krizë prej vitesh arriti kulmin gjatë vitit që shkoi, ku 244 kompani ose 5 për qind të totalit të tyre falimentuan. Sipas të dhënave të INSTAT numri i ndërmarrjeve aktive në sektorin e ndërtimit shënoi 4.75 subjekte, nga 4.819 të tilla që ishin gjatë vitit 2013.

Kriza e krijuar nga një minifllukse që përjetoi sektori pas vitit 2005 e shoqëruar nga rënia blerjeve të banesave I rëndoi se tepërmi bilancet e kompanive vitet e fundit. Problemeve të tregut ju shtuan edhe mospagesat e qeverisë për punët publike që kryen disa firma.

Por me gjithë problemet që sektori po përjeton prej vitesh nuk ka njohur një faliment të kësaj natyre, ku brenda vitit të falimentojnë 5 për qind e kompanive aktive në treg.

Ekspertët e sektorit shpjegojnë se një pjesë e falimentit i dedikohet rotacionit politik. Një pjesë e kompanive që nuk kishin mbështetje politike nuk kanë mbijetuar ndryshimeve dhe kanë preferuar të mbyllin aktivitetin.

Por si për paradoks, Banka e Shqipërisë në raportim të treguesit

 

Hiqen kufizimet, të gjithë operatorët mund të përdorin 3G dhe 4G

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka hequr të gjitha kufizimet teknologjike për shfrytëzimin e frekuencave që operatorët celularë kanë në përdorim. Që nga 1 shtatori, brezat 900 dhe 1800 Mhz do të mund të shfrytëzohen edhe për teknologjitë e reja, përfshi ato 3G dhe 4G. Kjo do të rrisë kapacitetet e spektrit për këto shërbime dhe do të mundësojë më shumë konkurrencën mes operatorëve.

Ky vendim sjell zbatimin në praktikë të parimit të neutralitetit teknologjik, parim i rëndësishëm i rregullimit të tregjeve të komunikimeve në tregun e Bashkimit Evropian. Sipas këtij parimi, operatorët mund të përdorin teknologjinë që dëshirojnë për të zhvilluar biznesin dhe për të ofruar shërbimet te përdoruesit. Ky hap është pjesë e strategjisë kombëtare për zhvillimin e internetit me brez të gjerë, dhe synon të nxisë operatorët të zgjerojnë mbulimin me shërbime broadband në zonat me densitet të ulët të popullsisë si dhe të përmirësojnë cilësinë e shërbimit të ofruar.

Deri më sot, brezat 900 dhe 1800 Mhz shfrytëzoheshin për shërbime bazë GSM apo 2G, që përfshijnë kryesisht shërbime zanore dhe mesazhe të shkruara, por që nuk mundësojnë internet me shpejtësi të lartë. Tashmë, ato do të mund të përdoren edhe për teknologjitë që mundësojnë internet me brez të gjerë.

Rritja e spektrit në dispozicion pritet të sjellë më shumë depërtim të internetit me brez të gjerë përmes rrjeteve të lëvizshme, ndërsa forcimi i konkurrencës pritet të sjellë edhe tarifa më të ulëta. Pas heqjes së këtij kufizimi, edhe operatori i fundit që kishte mbetur pa licensën 3G, “Plus Communication”, mund të ofrojë shërbime 3G për abonentët e vet.

Kjo përbën një kthesë të dukshme në politikat e shtetit shqiptar ndaj shërbimit të internetit në celular. Deri tani po përdorej strategjia e detyrimit të pagesave, nëpërmjet tenderimit, të licensës, si për 3G, ashtu edhe për 4G.

 

Tregu

Shërbimi i internetit përbën tregun me rritjen më të fortë në sektorin e komunikimeve elektronike. Të dhënat e publikuara në kuadër të projektit të BE-së për monitorimin e vendeve në procesin e zgjerimit në Bashkimin Evropian nëpërmjet raportit Cullen International 2014 tregojnë se ky sektor ka gjeneruar rritjen më të fortë mbi baza vjetore.

Numri i personave me akses në internet fiks (në shtëpi) është rritur në të gjitha vendet nën monitorim, në mënyrë të veçantë në Kroaci dhe Maqedoni. Në Islandë, Maqedoni, Serbi dhe Shqipëri, pjesa e tregut e operatorit kryesor të telefonisë fikse, matur nga numri i lidhjeve të internetit është pak a shumë e krahasueshme me mesataren e vendeve të BE-së, rreth 42.3%.

Në termat e teknologjisë, xDSL vazhdon të ketë një rol lider duke u llogaritur në 79% të lidhjeve fikse të internetit në vendet në procesin e zgjerimit, ndërkohë që lidhjet kabllore të internetit janë rreth 12%. Në Shqipëri, lidhjet FTTx janë rritur më shumë se dy herë.

Ndarja e linjave të internetit sipas shpejtësisë tregon një trend drejt paketave të internetit me shpejtësi të lartë në të gjitha vendet dhe me rritje në mënyrë të veçantë për kategoritë 2-4 Mbps dhe 4-8 Mbps.

Interneti nëpërmjet celularëve është segmenti më dinamik dhe me rritjen më të shpejtë të tregut të komunikimeve elektronike. Rritja në shkallën e penetrimit nëpërmjet teknologjisë 3G është ngadalësuar në vitin 2012, por gjithsesi është ofruar si mundësi dhe është rritur aksesi nëpërmjet telefonave të zgjuar dhe tabletave si një alternativë. Në Serbi dhe Kroaci, shkalla e penetrimit të internetit e matur për gjithë aparatet, përfshirë smartfones e kalon 50%, duke qenë afër mesatares së BE-së prej 54%.

 

Nis aksioni kundër karburanteve

Aksioni dy javor në sektorin e hidrokarbureve ka prodhuar rezultatet e para. Janë kontrolluar mbi 122 subjekte të tregtimit me pakicë në disa qytetet të vendit, janë vendosur gjoba me vlerë rreth 750 mijë lekë si dhe janë bllokuar disa subjekte. Problematika e cila e shoqëron tregun e karburanteve prej dy dekadash tashmë është prekur nga lëvizjet e fundit të institucioneve shtetërore. Këto të fundit kanë vendosur të ndjekin penalisht 40 subjekte për mashtrim si dhe ka pasur arrestime ne flagrancë. Aksioni i cili do të vijojë, ka pasur efekt pozitiv në buxhetin e shtetit pasi është rritur numri i kuponëve tatimorë me 10 për qind, ose mbi 100 mijë më shumë vetëm gjëtë periudhës 10­ditore.

 

 

Rënie e pandalshme e vlerës së lekut

Monedha e përbashkët evropiane ka shënuar një tjetër rekord në tregun vendas gjatë ditës së djeshme, duke u këmbyer me 141.03 lekë. Ky është niveli më i lartë që nga tetori i vitit 2013, sipas serive historike të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Euro ka shënuar rritje tek ne për gati tri javë radhazi.

Në bursat ndërkombëtare, euro sot ra në $1.14, por monedha e përbashkët është ende në rrugë për fitimin e pestë javor.

Ndërsa aktualisht ka reflektuar forcimin e euros në tregjet ndërkombëtare, fakti që monedha e përbashkët nuk ka në tregun vendas pak kohë më parë, kur ajo shkoi gati 1 me 1 me dollarin, po transmetohet tani në një nivel të lartë të euros tek ne.

Në tetor 2013, hera e fundit që euro ishte mbi 141 lekë në tregun vendas, në bursat ndërkombëtare ajo ishte tepër më e fortë s sot, duke u këmbyer me 1.35 dollarë.

Ndërsa dollari amerikan u këmbye dje në tregun vendas me rreth 105 lekë. Kështu, është arritur në një ekuilibër të ri, ku euro mbetet e fortë dhe dollari po këmbehet me rreth 124-125 lekë (në mars ai madje i kaloi 133 lekë, kur euro gati po barazohej me dollarin). Gjatë ditës së djeshme, dollari u rrit me 0.57 lekë, duke arritur në 124.15 lekë.

Aktorët e tregut pohojnë se kërkesa për monedhën e përbashkët mbetet e lartë, çka ka shkaktuar këtë ekuilibër të ri në treg.

Në këtë situatë, më të fituar janë eksportuesit, që shesin mallrat jashtë, si në lekë, ashtu dhe në dollarë, ndërsa më të humburit janë të gjithë ata që kanë një kredi në valutë, të cilët vitin e fundit nuk kanë përfituar aspak nga zhvlerësimi i euros në tregjet ndërkombëtare.

 

 

Azerbajxhani i qëndron idesë fillestare të TAP-it

Disa deklarata të përfaqësuesve të Greqisë në lidhje me realizimin e projektit për gazsjellësin Trans-Adriatik, mbi shitjen e gazit të Azerbajxhanit në Europë, janë të pasakta.

Kjo deklaratë vjen nga ministri i azerbajxhanas i energjisë, Natig Alijev. Ai tha se pjesëmarrja e një niveli të lartë të Greqisë nivelit në takimin e parë të Këshillit Konsultativ të Korridorit Jugor të Gazit në Baku më 12 shkurt, dhe deklaratat që ata jo vetëm i mbështesin, por janë gjithashtu të vërteta për të gjitha marrëveshjet e mëparshme, janë të mjaftueshme.

‘TAP është një projekt evropian. Dhe unë besoj se Evropa, BE-ja duhet të ushtrojë një ndikim përkatës për disa çështje, në qoftë se shfaqen të tilla’, – tha ministri.

Deklarata të veçanta nga kushdo nuk kanë rëndësi, pasi ne e kemi njohur ndërkombëtarisht dokumentet, shtoi ai.

Ministri Aliyev theksoi se TAP është një konsorcium, i cili ka përfunduar prej kohësh një marrëveshje përkatëse me qeverinë greke, duke shtuar se qeveria e Greqisë, nga ana tjetër, ka marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë dhe Italinë.

‘Këtu në Azerbajxhan punët po ecin me një ritëm të shpejtë, ne jemi përpara me të gjitha oraret dhe programet si në Shah Deniz, d.m.th. shpimin e puseve, ndërtimin e platformave, furnizimin e gypave, etj, ashtu dhe në projektin për zgjerimin e Tubacionit të Kaukaz-it të Jugut, tha ministri.

Korridori Jugor i Gazit do i mundësojë Evropës të diversifikojë burimet e hidrokarbureve dhe të forcojë sigurinë e energjisë, dhe gjithashtu do i mundësojë Azerbajxhanit të sigurojë një treg të ri në Evropë. Gazi azerbajxhanas synohet të transportohet fillimisht përmes Korridorit Jugor të Gazit.

Si pjesë e sigurimit të furnizimit me gaz azerbajxhanas në tregun evropian, vendimi përfundimtar për investim u arrit në 17 dhjetor të vitit 2013 në fazën e 2 të zhvillimit të gazit në det të hapur në Shah Deniz dhe zhvillimit fushës.

Gazi i prodhuar në këtë fushë do të shkojë së pari në tregun evropian (10 miliardë metra kub), ndërsa gjashtë miliardë metra kub të këtij gazi do dorëzohen çdo vit në Turqi.

Kontrata për zhvillimin e fushës në det të hapur Shah Deniz u nënshkrua më 4 qershor, 1996. Rezervat e provuara të fushës janë vlerësuar në 1.2 trilion metra kub gaz dhe 240 milionë tonë metrikë të kondensuar.

Si pjesë e fazës së 2-të të zhvillimit të fushës, gazi do të eksportohet në Turqi dhe tregjet evropiane duke zgjeruar Tubacionit e Kaukazit të Jugut dhe ndërtimin e tubacionit të gazit natyror Trans-anatolian (TANAP) dhe Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP).

 

 

Greqia drejt ristrukturimit të borxhit

Qeveria greke ka avancuar një propozim konkret, të paralajmëruar prej kohësh, mbi mundësinë e ristrukturimit të borxhit. Kërkesa i drejtohet Eurogrupit, në të cilën propozohet një shtyrje fillestare e afatit të pagesës së detyrimeve. Sipas ministrit grek të financave, niveli i borxhit grek është i pankontrollueshëm, dhe nevojitet patjetër një ristrukturim i borxhit. “Ne nuk kërkojmë një reduktim të këtij borxhi”, – thekson Varoufakis. “Në muajt Korrik-­Gusht ne na duhen rreth 6.7 miliardë dollarë borxh nga partnerët tanë, në mënyrë që të shlyejmë detyrimet e planit të vjetër të shpëtimit”, ­shtoi ai. Nga ana tjetër, Varoufakis është më se i qartë për mënyrën sesi mund të realizohet diçka e tillë, nëpërmjet një marrëveshje mes Bankës Qendrore Evropiane dhe qeverisë greke. Por kjo ide duket se nuk është e mirëpritur nga Banka dhe kreu i saj, Mario Draghi. Ky i fundit vazhdon ende kontradiktat me Bundesbankun gjerman për sa i përket programit të lehtësimit sasior në shkallë të gjerë. Një marrëveshje e tillë, praktikisht do të përkthehej në një dobësim të programit të lehtësimit sasior, gjë të cilën Draghi nuk mund ta rrezikoj në një moment të tillë. Nga ana tjetër, zëdhënësi i qeverisë greke, deklaroi se kjo e fundit do të avancojë një tjetër kërkesë ndaj Bashkimit Evropian, ku propozon një takim të jashtëzakonshëm të Eurogrupit brenda këtij muaji.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here