Kriza financiare largon investimet nga Shqipëria

0
147

Kriza financiare e bizneseve fasoneGrupi “Credit Agricole” bëri të ditur ditën e mërkurë në Paris zyrtarisht se ka arritur marrëveshje për shitjen e filialit të tij shqiptar te shoqëria “Tranzit”, kompani shqiptare, filiale e grupit financiar “NCH Capital” me bazë në Nju Jork. “Credit Agricole” nuk bëri të ditur vlerën e transaksionit, që finalizon një përpjekje disavjeçare të grupit francez për të gjetur blerës për degën e saj në Shqipëri. Por, me sa duket, francezët kanë qenë aq të pakënaqur nga situata financiare e bankës së tyre, sa që kanë preferuar të shesin në “drejtim të paditur”. Në fakt, emri i blerësit është një surprizë, duke pasur parasysh se nuk bëhet fjalë për një emër të profilit shumë të lartë në tregjet financiar ndërkombëtare.

Në dy vitet e fundit, “Credit Agricole” kishte negociuar shitjen e degës në Shqipëri kryesisht me aktorë tashmë të pranishëm në Shqipëri, si “Societe Generale”, “Fibank” apo “Union Bank”, por në të gjitha rastet palët nuk gjetën marrëveshje.

Kompania mëmë e blerësit, “NCH Capital”, është grup financiar i krijuar në vitin 1993 dhe i fokusuar kryesisht në investime financiare në tregjet e Europës Lindore dhe sidomos në vendet e ish­Bashkimit Sovjetik. Zyrat Qendrore të kompanisë ndodhen në Nju Jork të SHBA dhe sipas informacionit në faqen e internetit, grupi zotërohet nga George Rohr dhe Moris Tabacinic. Në tregun shqiptar, ky grup vepron zyrtarisht që prej vitit 2010, përmes institucionit financiar jobankar “Tranzit” sh.p.k. Deri tani, nuk ka shumë informacion rreth aktivitetit të këtij institucioni privat financiar, por besohet se angazhimi kryesor ka qënë në blerjen e portofoleve të kredive të këqija nga institucionet e tjera financiare.

Blerja e bankës “Credit­Agricole Shqipëri” shkon në të njëjtin drejtim, duke pasur parasysh performancën e dobët financiare të kësaj banke në vitet që pasuan krizën financiare të vitit 2008. Banka trashëgoi probleme të shumta nga menaxhimi i mëparshëm i grupit grek “Emporiki”, të manifestuara në nivele të larta të kredive me probleme dhe rezultat financiar me humbje për disa vite me radhë. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2014 “Credit Agricole Shqipëri” ishte banka e 12 në sistemin bankar shqiptar, me 2% të totalit të aktiveve. Në fund të vitit të kaluar, “Credit Agricole” zotëronte një protofol kredie prej 17.7 miliardë lekësh dhe menaxhon depozita në vlerën e më shumë se 20 miliardë lekëve. Viti 2014 u mbyll me një rezultat financiar me humbje në vlerën e 565 milionë lekëve.

 

Caktohen menaxhuesit e eurobondit

Ministria e Financave shpalli kompanitë e huaja që do të menaxhojnë eurobondin e dytë shqiptar, që maturohet këtë vit, pasi Shqipëria doli për herë të parë në tregjet botërore me letra me vlerë në vitin 2010, me afat 5-vjeçar. Me sa duket, qeveria sheh rrugëzgjidhje të vetme daljen në tregjet valutore, duke emetuar sërish një Eurobond me vlerë të paktën 300 milionë euro, por që mund të jetë edhe më shumë, po t’u referohemi thënieve jozyrtare të herëpashershme të drejtuesve kryesorë të ministrisë së Financave.

Nga datat 22 prill – 11 maj 2015 në Ministrinë e Financave u shqyrtuan propozimet e paraqitura nga bankat për emetimin nga Republika e Shqipërisë të Eurobondit në tregun ndërkombëtar. Vlerësimi i propozimeve u bë mbi bazën e:

  1. Eksperiencës së institucioneve në transaksione të ngjashme, prezencën e tyre në tregje dhe kapacitetin për sigurimin e financimit të kërkuar;
  2. Risqeve të ndryshme që mbart secili prej propozimeve;
  3. Kostos më të ulët efektive me të gjitha elementet e saj, si: a) Afati i maturimit
  4. b) Mënyra e shlyerjes
  5. c) Komisionet, interesi dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në koston e huamarrjes në varësi të kushteve të tregut.

Në përfundim të vlerësimit, Ministria e Financave shpalli kështu fituese propozimet e paraqitura nga Deutsche Bank dhe JP Morgan Chase, duke i përzgjedhur ato si bashkë-udhëheqës kryesorë (Joint Lead Managers) për të drejtuar procesin e emetimit nga Republika e Shqipërisë të eurobondit.

 

Pamje pak transparente të ministrive ekonomike shqiptare

Një kredi e konsideruar historike është firmosur këtë muaj nga Ministria e Financave dhe fituesja e tenderit përkatës Deutsche Bank. Po të analizojmë kushtet financiare të kredisë, në fakt kjo do të ishte ndër huatë me favorizuese për palën shqiptare. Një kredi prej 250 milionë eurosh, me një interes 1.3 % mbi benchmark rate (ky i fundit është aktualisht 0.5%, duke e çuar interesin në total 1.8%), me një afat maturimi 10 vjeçar dhe një tarifë angazhimi 1.25% të pagueshme vetëm një herë. Mbi të gjitha, kjo është një kredi e siguruar nga Banka Botërore, që do të thotë se në rast se qeveria shqiptare nuk do të mund të shlyej këtë detyrimin e saj ndaj bankës huadhënëse, atëherë këtë kredi do ta ekzekutojë Banka Botërore për vlerën deri 200 milionë euro. Por sigurisht që kjo garanci nga Banka Botërore ka një kosto financiare, një normë interesi që nuk është bërë e ditur ende, dhe në këtë rast lind pikëpyetja nëse kjo garanci ka qenë e nevojshme dhe financiarisht efiçente. Megjithatë Shqipëria nuk është e para në rajon që merr kredi me garanci të Bankës Botërore. Kjo është aplikuar në 2 vitet e fundit dhe nga shtete të tjera të rajonit.

Qeveria është shprehur se do ta përdorë këtë fond për të ulur defiçitin buxhetor në dy vitet në vijim, i cili nga masa 69% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB, ose ndryshe 7 miliardë euro) që është aktualisht, sipas premtimeve të programin elektoral, në fund te mandatit qeverisës në vitin 2017 duhet të ketë arritur masën 60% te PBB-së. Megjithatë ky fond nuk do të jetë i mjaftueshëm që të shlyhen eurobondet me vlere 300 milionë euro të emetuara në 2010 dhe që maturohen në nëntor të këtij viti, prandaj pritet që qeveria të emetojë eurobonde të reja ose sërish të marrë hua për të mbuluar borxhin prej 550 milionë eurosh në total. Në përfundim mund të themi se kjo është një “kredi me leverdi”, por ashtu siç është parashikuar në programin qeverisës 2013-2017, rritja ekonomike duhet të vijë nëpërmjet ristrukturimit ekonomik me fokus rritjen e PBB-së dhe jo nëpërmjet huave që janë shndërruar në një rreth vicioz.

 

Më në fund një strategji

Muajin e kaluar raportuam ngërçin e të ardhurave buxhetore, dhe rritjen e shpenzimeve qeveritare në masën 6% kundrejt çdo parashikimi financiar të zhvillimit ekonomik. Të njëjtën gjë kishte marrë në konsideratë edhe Ministria e Financave, e cila e ndërgjegjësuar, këtë muaj organizoi konferencën “Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020” me praninë e Drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Jean Eric Paquet dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve ndërkombëtare dhe shqiptare.

Ministri Cani u shpreh “Ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik të vendit ka qenë kurdoherë një prioritet madhor, që ndikon në zhbllokimin e potenciale ekonomike të pa shfrytëzuara që ka vendi. Në këtë strategji synohet të gjenden mekanizma për forcimin e kuadrit të përgjithshëm fiskal. Kjo strategji ka vendosur objektiva të rinj si ne të parandalojmë krijimin e detyrimeve të reja, ku do të realizohet më mire kontrolli i angazhimeve financiare. Në vijim do të bëjmë kufizime të buxhetit të pakontrolluar siç ka ndodhur deri tani dhe kështu vihet në kontroll niveli i shpenzimeve në të ardhmen që mos të krijojmë detyrime të prapambetura”. Në tërësi strategjia vë fokusin në menaxhimin më efiçient të burimeve publike dhe kontrollit financiar përkatës, deficienca këto të cilat deri më tani kanë shkaktuar një humbje prej 100 milionë eurosh dhe shpërdorim fondesh për shkak të mos prioritizimit të projekteve, sipas Jean Eric Paquet.

Megjithatë rezulton se kjo strategji është hartuar dhe miratuar që në Dhjetor 2014, prandaj me shumë sesa diskutime me palët e interesuara dhe të përfshira, kjo konference ishte sa për të bërë publike strategjinë, e cila të paktën këto 4 muaj të para të implementimit nuk ka pasur një efekt për të bërë diferencën. Por të besojmë se nën moton“ jo më shpenzime të pakontrolluara apo detyrime të prapambetura” kjo strategji do të ketë një efekt afatgjatë.

 

Të besojmë, kë?

Në fund të vitit të kaluar, qeveria deklaroi se do të kompensonte plotësisht shtresat më të varfra të popullsisë për rritjen e çmimit të energjisë. Për këtë qëllim, në buxhet u përcaktua një fond 1.6 miliardë lekë, i cili do të mbulonte gjithë efektin e rritjes së tarifës për rreth 200 mijë familje në shkallë vendi. Ky kompensim supozohej të parapaguhej, por deri në muajin e katërt të këtij viti asnjë kompensim nuk ka dalë nga buxheti i shtetit. Institucionet e përfshira, qeverisja vendore, ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Financave, kanë reaguar me deklarata zyrtare, dhe për efekt të këtij raportimi ne na intereson qëndrimi i kësaj të fundit, e cila u “akuzua” se këto fonde nuk janë raportuar në zërin përkatës të shpenzimeve në buxhet.

Ministria e Financave ka sqaruar: “Treguesi Kompensim për shtresat në nevojë”, pjesë e treguesve fiskale në tabelën e buxhetit 2015 ka një specifike. Pavarësisht se parashikohet si një zë i veçantë (në plan), kur përdoret bëhet pjesë e treguesve të tjerë buxhetore. Kështu p.sh; fondi i kompensimit janar-shkurt-mars, përfituar nga pensionistët, është pjesë e shpenzimeve për sigurimet shoqërore. Nëse kontaktoni me ISSH drejtuesit konfirmojnë se pensionistët kanë përfituar kompensimin e janarit në shkurt dhe të shkurtit në mars, dhe ky shpenzim është i reflektuar në shpenzimet për sigurimet shoqërore, pra atje ku reflektojnë shpenzimet për pensione dhe përfitime të tjera. Po kështu për ndihmën ekonomike, papunësinë apo për punonjësit buxhetore, shpenzimet për kompensimin e energjisë janë pjesë e shpenzimeve në zërat përkatës”.

Ky informacion mbetet për t’u vërtetuar në bilancet e institucioneve të përfshira me dhënien e ndihmës, prandaj do t’i rikthemi për raportim dhe transparencë muajin e ardhshëm

(Marrë nga APPA – Albanian Platform for Policy Advocacy)

 

 

Rregullat e reja të BSH frenojnë kredidhënien, paratë ikin jashtë

Teksa kredia për ekonominë është ngadalësuar ndjeshëm dhe investimi në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare është zbehur, bankat në Shqipëri po preferojnë të investojnë paratë e depozituesve jashtë vendit, duke zgjedhur sigurinë përpara kthimeve më të larta. Sipas statistikave tremujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.3 trilionë lekë në fund të tremujorit të parë 2015, duke shënuar një rritje prej 1.3% në krahasim me fundin e 2014-ës.

Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë zëri “Marrëdhënie me bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare”, i cili është zgjeruar me 9.4 miliardë lekë apo 5.3%, duke ndikuar në gati 50% të rritjes. Ndonëse interesat e euros janë negative, sërish bankat duket se po e shohin këtë si një alternativë më të sigurt të investimit të parave të tyre. Në tremujorin e parë, bankat kanë rritur ndjeshëm me 20% huatë për bankat dhe institucionet e tjera financiare.

Zëri tjetër i aktiveve që ka shënuar rritje ka qenë ai i marrëdhënieve me Bankën Qendrore, që është rritur me 5 miliardë lekë, apo 5%. Huaja dhënë sektorit privat u rrit me vetëm 0.5% në raport me dhjetorin 2014-s, duke ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes (në periudhën tetor dhjetor 2014 rritja ishte 3.5% në raport me tremujorin e mëparshëm). Bankierët kishin paralajmëruar se masat e marra nga Banka e Shqipërisë, në fuqi nga 1 janari, që imponojnë rregulla të reja mbi kapitalin, do ndikonin negativisht në kredidhënie.

Një tjetër zë që ka shënuar rënie ka qenë ai i veprimeve me letrat me vlerë, me bankat që janë tërhequr nga investimi në letrat me vlerë të qeverisë, duke e detyruar këtë të fundit të dalë në tregjet ndërkombëtare për të financuar borxhin e saj. Zëri i veprimeve të letrave me vlerë shënoi një rënie prej 0.3% në tremujorin e parë 2015, në krahasim me tetor-dhjetor 2014. Bankat me kapital të huaj vazhduan të ashtuquajtur proces te ‘deleveraging’, duke ulur ekspozimin në investimin me letrat me vlerë të qeverisë, në linjë me orientimin e mëmave.

 

 

Norma të reja për përdorimin e letrës së cigares

Ministria e Financave përcakton një procedurë të re doganore, për mbikëqyrjen e shitjes brenda vendit të letrës së cigares, e cila përdoret vetëm për prodhim cigaresh.

Është gati projektvendimi i Qeverisë, i propozuar nga Ministria e Financave, për të përcaktuar një procedurë doganore mbikëqyrëse të importimit dhe prodhimit të lëndës së parë të prodhimit të cigareve në vend.

Projektvendimi shihet si pjesë e programit politik të qeverisë për minimizimin e informalitetit dhe kontrabandës në vend.

Ministria e Financave bën të ditur se gjatë analizimit të importeve të cigareve për periudhën katër mujore Janar- Prill 2015, u konstatua një ulje e importeve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga analizimi i situatës së tregut të cigareve, u konstatua se gjatë kësaj periudhë 4-mujore është rritur importi i lëndës së parë që përdoret për prodhimin e paketave të cigareve, ku konstatohet se vetëm për 4 muajt e parë të vitit 2015 janë importuar rreth 74% e gjithë sasisë vjetore të vitit 2014.

Ministria e Financave, nisur nga ky konstatim, ka kërkuar një ndryshim në vendimin e qeverisë “Për dispozitat zbatuese të ligjit “Për akcizat”, sipas të cilit, “importuesit/prodhuesit e produktit të “letrës së cigares”, “letrës së cigares në formë tubi, bashkë me filtër”, duhet të bëjnë kërkesë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të marrë autorizim importi/prodhimi për këto mallra”.

Sipas këtij ndryshimi, importuesi/prodhuesi i autorizuar, për çdo rast të importimit/prodhimit të mallrave të përcaktuara si më sipër, duhet të depozitojë si garanci përpara zhdoganimit, në një llogari bankare, 110 lekë për 20 copë “letër cigare në formë tubi” apo 110 lekë për 20 copë “letër cigare në formë tubi, bashkë me filtrin”, e cila do t’i çlirohet në datën e paraqitjes së dokumentacionit të shitjes, tek depozituesit e miratuar si prodhues cigaresh, sipas legjislacionit në fuqi.

Ndryshimi i bërë sanksionon gjithashtu se në rastet kur një importuesi/prodhuesi të autorizuar për importimin/prodhimin e mallrave të përcaktuara më lart, i gjenden sasi të padeklaruara në import/prodhim ose vërtetohen shitje tek operatorë ekonomikë, që nuk janë depozitues të miratuar prodhues cigaresh, ndaj tij zbatohen respektivisht, dënimet e parashikuara në “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Po ashtu i revokohet autorizimi si importues/prodhues i këtyre mallrave, si dhe i hiqet e drejta e rimarrjes së autorizimit për një periudhë dyvjeçare.

Ministria e Financave, me këtë propozim të bërë, kërkon një procedurë doganore të monitorimit të lëvizjes brenda vendit të letrës së cigares, duke kushtëzuar importuesin dhe prodhuesin që të vendosë një garanci bankare në shumën e akcizës së cigareve, që prodhohet me sasinë e importuar.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here